English

Banka e Shqipërisë vlerëson se në Shqipëri po konstatohet rënie ekonomike

Tiranë, 24 qershor NOA - Analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore.

Këtë konstatim e pohoi Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i cili mori në shqyrtim sot Raportin Mujor të Politikës Monetare.

Në këto rrethana, BSH vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind.

Duke pohuar të dhënat për agjencinë e lajmeve NOA, burimet zyrtare nga BSH, thanë se "ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit e konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie".

Ky zhvillim është reflektuar në reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve dhe në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Nga ana tjetër, presionet e jashtme inflacioniste kanë ardhur në rritje: ulja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore është kompensuar nga nënçmimi i lekut gjatë kësaj periudhe, duke rezultuar në rritjen e çmimeve në vend të disa mallrave të importit dhe duke sjellë një rritje të lehtë të inflacionit në muajin maj kundrejt nivelit të shënuar në muajin e shkuar.

Ndikimi i nënçmimit të kursit të këmbimit pritet të shfaqet më i plotë gjatë muajve në vijim, duke ekuilibruar presionet e reduktuara inflacioniste të kërkesës së brendshme.

Për rrjedhojë, bilanci i presioneve inflacioniste duket i balancuar dhe ecuria e inflacionit të çmimeve të konsumit pritet të luhatet brenda nivelit objektiv të Bankës së Shqipërisë gjatë periudhës së ardhme.

Ky parashikim mbështetet edhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë, të cilat mbeten të ankoruara rreth nivelit 3 për qind.

Aktiviteti ekonomik botëror, i matur nga rritja ekonomike, niveli i tregtisë globale dhe i lëvizjes së flukseve të kapitalit, ka vijuar të ngadalësohet më tej gjatë muajve prill-maj. Në vendet e zhvilluara, vërehet një moderim i ritmeve të rënies por treguesit ekonomikë ende nuk flasin për një përfundim të shpejtë të recesionit ekonomik.

BSH, konstaton se zgjatja dhe intensiteti i lartë i krizës kanë sjellë përkeqësimin e situatës ekonomike të vendeve në zhvillim, duke përfshirë edhe vendet e rajonit, ndërkohë që disa prej tyre kanë rënë në recesion.

Sakaq, çmimet e lëndëve të para dhe bazë mbeten më të ulëta se ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, BSH konstaton se rritja e inflacionit në vend në muajin maj, ka vijuar të pasqyrojë në mënyrë më të plotë prirjen nënçmuese të kursit të këmbimit në çmimet e mallrave të konsumit që kanë origjinë importi.

Inflacioni vjetor në muajin maj të vitit 2009 rezultoi 2.1 për qind, duke u rikthyer brenda intervalit të tolerancës rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.

Kontributin kryesor në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet e papërpunuara me 1.8 pikë përqindjeje dhe ato të përpunuara me 0.3 pikë përqindjeje.

Çmimet e administruara dhanë kontribut negativ prej 0.4 pikë përqindjeje duke kompensuar kontributin pozitiv të kategorisë "Shërbime". Goditje relativisht të lehta nga krahu i ofertës, si rritja e çmimit të naftës, kanë gjetur reflektim në rritje e inflacionit të muajit maj.

Sakaq, informacioni më i fundit dhe analizat përkatëse sugjerojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend në tremujorin e parë, i shprehur ky në ngushtimin e aktivitetit kredidhënës për sektorin privat, në rënien e eksporteve, në ngadalësimin e ritmit të zgjerimit monetar dhe në mosrealizimin e planit të të ardhurave fiskale.

Rezultatet e vrojtimeve të besimit konfirmojnë rënien e ritmit të rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë dhe të dytë 2009, duke sinjalizuar dobësimin e kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Tremujori i parë i vitit 2009 dëshmon për përkeqësim të pozicionit të jashtëm të vendit si pasojë e zgjerimit të deficitit korent, i cili ka rezultuar rreth 25 për qind më i lartë se një vit më parë.

Rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme ka sjellë rënien e importeve dhe të eksporteve, duke rezultuar me një ngushtim të lehtë të deficitit të bilancit tregtar. Eksportet dhe importet e mallrave shënuan rënie vjetore, respektivisht prej 14.7 për qind dhe 5.6 për qind.

Megjithatë, rënia e suficitit të të ardhurave korente dhe të shërbimeve, ka sjellë zgjerimin e deficitit të llogarisë korente.

Ky zgjerim nuk është mbuluar plotësisht nga të hyrat e llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në një deficit të lehtë të bilancit të pagesave për këtë periudhë.

Një zhvillim i tillë është duke u monitoruar me kujdesin e duhur nga Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar implikimet e mundshme të tij për ekuilibrat makroekonomikë dhe duke faktorizuar nevojën për një qëndrueshmëri afatgjatë të pozicionit të jashtëm valutor të ekonomisë në vendimmarrjen e saj.

e.l/NOA

Â

KOMENTE