Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kreu i OSBE: Jo votime me kamera celularësh në zgjedhjet e 28 qershorit
English

Kreu i OSBE: Jo votime me kamera celularësh në zgjedhjet e 28 qershorit

Tiranë, 24 qershor NOA - Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Bosh kërkoi sot me forcë që të mos manipulohet vota e shqiptarëve qoftë dhe me forma të ulëta ku përfshihet teknologjia e lartë.

"Kërkojmë të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit ‘instruktohen' që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar", - paralajmëroi prerë, z.Bosh.

***

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Prezenca në Shqipëri ka marrë pjesë sot në akreditimin e vëzhguesve të nxjerrjes paralele të rezultateve.

Kryetari i prezencës, Robert Bosh, e vlerësoi këtë projekt të nxjerrjes për herë të parë në mënyrë paralele të rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të së dielës.

"Çdo mekanizëm, çdo mjet apo veprimtari që i shërben forcimit dhe ruajtjes së një besimi më të madh të publikut ditën e zgjedhjeve mund të mirëpritet dhe të përqafohet", - tha Bosh.

"Gjithë njerëzit e përfshirë në të do t'i ndërmarrin detyrat e tyre me kujdesin, energjinë dhe profesionalizmin më të madh", - tha ambasadori Bosh.

Ai i tha përfaqësuesve të projektit, se "veprimtaria që ju do të kryeni është e rëndësishme për zhvillimin demokratik të këtij vendi, dhe vlerësohet shumë nga komuniteti ndërkombëtar, por ajo çka është më e rëndësishmja është se ajo çmohet nga gjithë shqiptarët".

Kurse u pohoi se "një barrë e rëndë përgjegjësie ndoshta, por një përgjegjësi, që jam i sigurt se ju do ta ndërmerrni me vendosmëri, energji dhe gjallëri".

Më tej, Bosh ka përgëzuar Ristanin, si Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për "punën dhe mundin e tij në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe për përpjekjet për ta orientuar procesin në ujëra të qetë".

"Ne i vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e një konsensusi në vendimet tuaja dhe mezi presim të shohim që ta arrini këtë sidomos në lidhje me qendrat e votimit dhe të numërimit, ku rregullat e Kodit Zgjedhor do të duhet të respektohen në mënyrë të rreptë, teksa i afrohemi gjithmonë e më shumë 28 qershorit dhe të periudhës pas tij", - tha Bosh.

Kurse i kërkoi Ristanit që t'i përçojë stafit të KQZ, "sukseset që ne u urojmë të kenë gjatë përgatitjes së zgjedhjeve dhe vetë të dielës, ditës së votimit, dhe mesazhin se ne besojmë se ju, si staf, do ta kryeni punën tuaj të rëndësishme në një nivel të lartë".

Për sa i përket Policisë së Shtetit, Bosh theksoi se "mezi presim t'i shohim sërish që ajo të luajë të njëjtin rol të paanshëm dhe profesional në Ditën e Zgjedhjeve, që e luajti kaq mirë në zgjedhjet për pushtetin vendor të 2007-ës".

Bosh konsideroi se puna e policisë deri të dielën dhe në vetë ditën e zgjedhjeve do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit të publikut në procesin e zgjedhjeve.

"Për shërbimin policor që ofron, Policia do të shihet nga njerëzit e këtij vendi si aktori që do të ndihmojë për krijimin e një klime të qetë dhe pa probleme", - theksoi z.Bosh, duke shtuar me bindje se "Policia, jo vetëm që do t'i përmbushë standardet e larta që arriti rreth dy vjet më parë, por ditën e diel do ta rrisë edhe më shumë nivelin e saj të suksesit".

Për sa i përket partive politike, Bosh tha se ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për faktin se kanë një rol kyç për të luajtur për të garantuar që e diela të jetë një sukses i jashtëzakonshëm dhe që shqiptarët të mund të marrin pjesë më në fund në zgjedhje që ata i meritojnë, zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare.

"E pra, le të mos ketë më probleme, të mos ketë më justifikime, e as shfajësime për dështimet e së kaluarës. Kësaj radhe, këto zgjedhje do të duhet të funksionojnë. Kjo do të thotë që dialogu publik të mbetet i qetë dhe i arsyeshëm. Mbi të gjitha, kjo do të thotë që gjithë votuesit të lejohen të shkojnë në kutinë e votimit të lirë, në mënyrë që ata të votojnë në mënyrë të fshehtë dhe të pavarur për këdo që dëshirojnë', - paralajmëroi z.Bosh.

Kurse kërkoi: "Cilido qoftë, burrë apo grua, fshatar apo qytetar, plak apo i ri, punonjës i sektorit privat apo atij shtetëror, çdo votues duhet të lejohet të ushtrojë të drejtën e tij apo të saj kushtetuese në përputhje me ndërgjegjen e vet, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë presion të jashtëm".

Në përfundim, Bosh lëshoi një mesazh kuptimplotë ndaj qytetarëve shqiptarë: "Do të inkurajoja gjithë qytetarët që ta shijojnë të dielën, sepse ditët e zgjedhjeve - si në shumicën e demokracive - shihen si ‘festivale të demokracisë', që do të thotë: hidheni votën tuaj! Le të mos harrojmë se zgjedhjet bëhen për popullin dhe se ato nuk janë pronë personale e partive politike. Gjithë shqiptarët duhet të ndihen të sigurt se të dielën ata do të jenë dëshmitarë të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm".\

e.l/NOA

KOMENTE