English

Qeveria: "Procesi i legalizimit të banesave është një proces i shpejtë"

Tiranë, 24 qershor, NOA - Kryeministri Berisha, u shpreh dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se qytetarët duhet të jenë të sigurt se procesi i legalizimit të banesave është një proces i shpejtë dhe i pandalshëm.

Duke iu referuar vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit për legalizimin e 6 mijë banesave të tjera, ai kërkoi mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që kanë banesat në proces legalizimi. "Ata duhet të jenë të sigurt se ky është një proces tashmë i shpejtë dhe i pandalshëm. Qeveria, çdo javë, gjatë dy muajve të fundit, ka miratuar së paku 5-6 mijë banesa për legalizime", u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga ministria e Financave që të paraqiste sa më shpejtë për miratim vendimin për aktivizimin e letrave me vlerë për shlyerjen e vlerës së legalizimit në masën 80 për qind përmes këtyre letrave.

"Është emergjente dhe duhet të vijë sa më shpejtë për miratim vendimi për letrat me vlerë, të mërkurën tjetër ai duhet të vijë për miratim. Unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve sepse ai vendim donte një kohë të caktuar. Vendimi do t'u njohë atyre plotësisht të drejtën që 80 për qind të vlerës monetare për legalizim, ta paguajnë me letrat me vlerë. Kjo është së pari mbajtja e premtimit tonë ndaj disponuesve të letrave me vlerë, se ne do t'í fusim këto letra në përdorim. Mendoj se ky është tregu më i fuqishëm në Shqipëri, ku ato mund të valorizohen", theksoi kryeministri Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE