English

Bugajski: Fiton kush shkel më pak premtimet e fushatës

Nju Jork, 25 qershor NOA - Kujtesa e komunizmit i bën njerëzit që të duan të ndërrojnë sa më shpesh partinë që qeveris, por ata druhen se opozitarët sapo kthehen në pushtet fillojnë të bëjnë pikërisht atë që kanë kritikuar kur ishin në opozitë.

Këtë vlerësim ka bërë sot, analisti i njohur Janusz Bugajski, drejtor i Projektit të Demokracive të Reja Europiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në SHBA.

Në një intervistë me Ruben Avxhiun, redaktor i revistës "Illyria" në SHBA, Bugajski vlerëson se "njerëzit do të votojnë për ata që i shkelin më pak premtimet e fushatës".

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Z. Bugajski, SHBA dhe BE kanë bërë një paralajmërim që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të ndershme dhe të lira. Një rezolutë është propozuar në Senatin amerikan nga John Kerry, po me këtë qëllim. Këto paralajmërime bëhen për shkak të problemeve zgjedhore në të kaluarën apo ka shenja që parashikojnë manipulime të mundshme?

Shqetësimi pasqyron si të sotmen ashtu edhe të kaluarën në historinë e zgjedhjeve të Shqipërisë. Kur ishin në opozitë, ata që qeverisin sot ankoheshin se qeveria po manipulonte. Tani është opozita e sotme që ankohet se parregullsitë në procesin zgjedhor nuk po ndreqen nga kjo qeveri.

Është jetike që çështje si listat zgjedhore dhe identifikimi i votuesve të mos e minojnë procesin dhe se asnjë qytetari shqiptar të mos i mohohet e drejta për të votuar. Vëzhguesit do të ndjekin nga afër zgjidhjet pikërisht për këto arsye.

Shqipëria hyri zyrtarisht në NATO në prill dhe sipas shumë raporteve ndërkombëtare rritja ekonomike dhe tregues të tjerë kanë qenë shumë pozitivë. Si shpjegohet që Partia Demokratike e Sali Berishës e cila ka qeverisur gjatë këtyre sukseseve nuk e ka "në xhep" fitoren? A ka arsye për të kërkuar ndërrim në qeverisje këtë dielë?

Kjo është pjesë e ritmit politik që vihet re në të gjitha demokracitë e reja europiane. Shumë rrallë ndodh që e njëjta parti të fitojë dy zgjedhje radhazi duke qenë se votuesit kërkojnë përgjigje të reja dhe nganjëherë fytyra të reja në qeverisje.

Qytetarët gjithashtu zhgënjehen shpejt nga partitë në fuqi sidomos nëse premtimet e bëra gjatë fushatës së mëparshme zgjedhore nuk përmbushen apo nëse ekonomia ngec në vend.

Unë besoj gjithashtu se ka një prirje të përgjithshme në vetëdijen e njerëzve sipas të cilës asnjë parti nuk duhet të qëndrojë gjatë në qeverisje, pasojë e traumës që ka lënë pas periudha e dhimbshme e komunizmit.

Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe udhëheqësi kryesor i opozitës së majtë, i përket një brezi më të ri dhe premton një stil të ri qeverisjeje. Ai beson se korrupsioni në qeveri apo incidente si ai i Gërdecit garantojnë fitoren e të majtës. Mirëpo sipas anketimeve gjasat janë për një betejë majë më majë… Nëse njerëzit duan ndryshim pse atëherë opozita nuk e ka të sigurtë fitoren?

Së pari, është një segment i çimentuar i popullsisë që mbase nuk do të votojë kurrë për Socialistët, sado i ri e i çfarëdo identiteti të jetë udhëheqësi i radhës.

Së dyti, akuzat për korrupsion kundër qeverisë janë bërë sot praktikë standard për të gjitha partitë opozitare në rajon dhe shumica e njerëzve besojnë se rolet thjesht do të ndërrohen nëse Socialistët fitojnë zgjedhjet.

Së treti, njerëzit janë shumë më të shqetësuar për të ardhmen ekonomike të tyre dhe do të votojnë atë për të cilin mendojnë se do t'i shkelë më pak premtimet parazgjedhore.

Zakonisht është bardhezi në politikën shqiptare: Demokratët kundër Socialistëve. Në zgjedhjet e vitit 2005, Lëvizja Socialiste për Integrim u përplas me të dy blloqet e mëdha dhe mori mbi 8%. Këtë vit ata pretendojnë më shumë, po ka edhe pretendentë të tjerë për t'u bërë "partia e tretë". Duke parë mundësinë në rritje që asnjë nga të mëdhatë të mos marrë 50%, a ka shans që një parti e tretë të vendosë se kushdo të qeverisë?

Në të kaluarën, kemi mbetur shpesh të zhgënjyer nga premtimet apo parashikimet e daljes së një partie të tretë të qëndrueshme në Shqipëri. Prandaj do ta lë gjykimin tim për këtë çështje pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, jam dakord që është e rëndësishme për demokracinë shqiptare që të lëvizë përtej sistemit të polarizuar të dy partive dhe të ofrojë më shumë pluralizëm, më shumë konkurrim dhe më shumë nxitje për t'u angazhuar në procesin politik.

Në prill, Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE. Partitë e opozitës e trajtuan si gjest për efekt parazgjedhor. Mirëpo, Qeveria e Berishës, duke marrë zemër edhe nga hyrja në NATO, thotë se ka shanse reale të anëtarësimit në BE në katër vjetët e ardhshëm. Si do t'i vlerësonit mundësitë e Shqipërisë për të hyrë në BE? Sa janë këto zgjedhje një provë edhe në atë drejtim?

Aplikimi për të hyrë në BE nuk është një një efekt parazgjedhor, por një sinjal i rëndësishëm se Shqipëria kërkon të jetë pjesë e të gjitha institucioneve Europiane dhe të bëhet pjesë e begatisë së Europës. Megjithatë, kjo është gjithashtu një kujtesë se Qeveria dhe Parlamenti duhet të përveshin mëngët për t'i hyrë punës së vështirë të përmbushjes së kritereve për hyrjen në BE.

Unë nuk mund të parashikoj afatet kohore të anëtarësimit, sepse edhe vetë BE-ja sot është më shumë e përqendruar te struktura e saj e brendshme dhe aprovimi i Traktatit të Lisbonës. Por, në parim, kualifikimi i Shqipërisë për të hyrë në bllok do të gjykohen nga zhvillimi i saj e jo nga retorika parazgjedhore.

Â

Â

KOMENTE