English

Urdhri i Infermierëve pas një vit krijimi: Ja si mbijetuam

Tiranë, 26 qershor NOA - Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë ka dalë në një deklaratë për shtyp sot me anë të së cilës bën shqetësimet e tyre.

"Pas një viti të tërë pune dhe përpjekjesh që nga krijimi i tij, për promovimin e të drejtave të infermierëve, institucioni i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, falë edhe mbështetjes së dhënë nga OBSH dhe USAID, ka arritur të mbijetojë duke ngritur dhe organizuar strukturat përkatëse në të gjithë Shqipërinë.

Por ajo çka e shqetëson sot institucionin e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë është fakti se falë një mentaliteti të trashëguar, problemet e tyre përballen me një indiferencë, e cila vihet re edhe në nivelet e larta të administratës shtetërore" thuhej në deklaratë.

"Ato janë mëse të domosdoshme për ta rritur këtë institucion, i cili përfaqëson infermierinë në nivelet që kërkon koha e sotme", pohon lidhur me një fakt të tillë, presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, i cili tregon sesi falë përkushtimit të tij dhe stafit të këtij institucioni, ai ka arritur deri më sot të mbijetojë e të realizojë pikësynimet për të cilat është krijuar, atë të vënies në dukje të problematikave që shqetësojnë sot infermierinë shqiptare dhe sensibilizimi i institucioneve lidhur me to.

"Vihet në dukje sesi për më shumë se një vit nga krijimi i këtij institucioni (UISH), anëtarët e tij vazhdojnë ta ndiejnë mungesën e mjediseve të përshtatshme të punës, pa buxhetin e duhur të cilat konfrom ligjit duhej të ishin siguruar nga qeveria për fillimin e punës dhe pastaj të kishin vazhduar si institucion i pavarur. Këto janë të nevojshme sepse pa një infermieri të vlerësuar, nuk mund të ketë një shëndetësi të përparuar", shton më tej Skënderi.

"Ditët e fundit, për UISH-së nga Këshilli i Ministrave është miratuar një buxhet prej vetëm 2 milionë lekësh, të cilat janë vetëm sa për të përmbushur nevojat minimale për vënien në efiçencë të këtij institucioni. Për UISH-në, ky lloj trajtimi do të thotë që atë ta shohësh me syrin e njerkës, sepse urdhrat e tjerë, si ai i Farmacistit apo i Mjekut, kanë pasur mbështetje të konsiderueshme financiare dhe u është siguruar infrastruktura e nevojshme nga shteti për funksionimin e tyre. Shpresojmë që qeveria të kujtohet një ditë për ta vlerësuar realisht siç duhet infermierinë", pohon Skënderi.

Kjo indiferencë zyrtare sipas tij, i shtohet edhe problematikave reale që paraqet sektori i infermierisë në vendin tonë, si ajo e përfaqësimit të mangët të tyre në në instancat e larta të shërbimit shëndetësor, mungesa e standardizimit të veshjes së tyre apo ajo e problematikë së nivelit profesional të infermierëve, për të cilat UISH nga ana e tij është duke punuar intensivisht prej një viti për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes optimale të tyre.

k.k/NOA

KOMENTE