English

Zgjedhjet parlamentare, larg kacafytjes së viteve të mëparshme

Nga Arben Muka

Tiranë, 27 qershor NOA/DW - Rreth 3.1 milion qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të ditës së diel në Shqipëri. Për 140 mandatet e deputetëve do të votohet për herë të parë sipas sistemit proporcional rajonal.

Procedura e votimit është shumë më e thjeshtuar se në zgjedhjet e kaluara. Qytetari do të ketë në dorë vetëm një fletë votimi, me emrat e subjekteve politike sipas një rendi alfabetik, plus kandidatët e pavarur. Votimi me një fletë shoqërohet më pas dhe me një thjeshtëzim procedural për fazën e numërimit dhe të kalkulimit final të votave.

Për zgjedhje kandidojnë katër koalicione të mëdha (dy nga e djathta dhe dy nga spektri i majtë politik) dhe 13 parti politike.

Një risi tjetër, sipas kodit të ri elektoral, është dhe disiplinimi i identifikimit të qytetarit para komisionit të qendrës zgjedhore.

Nuk do të jenë më në qarkullim çertifikata me apo pa foto, një nga argumentet që ka ndezur dhe kacafytur klasën politike shqiptare vitet e fundit. Kësaj radhe qytetari mund të votojë vetëm nëse ka me vete kartën elektronike të identitetit ose pasaportën.

Bazat e të dhënave

Për herë të parë në këto zgjedhje do të përdoren lista votuesish të përmirësuara dhe të pastruara nga pasaktësi e dublime emrash. Ato janë ndërtuar në bazë të një regjistri kombëtar, të shndërruar në një bazë elektorale të dhënash. I shfrytëzueshëm dhe i kontrollueshëm në çdo sekondë në çdo skaj të vendit. Kjo pritet të eliminojë një nga problemet më të debatueshme dhe kontestuese në zgjedhjet e kaluara. Kur palët akuzonin njëra-tjetrën për heqje dhe zhvendosje të qëllimshme të emrave të qytetarëve nga listat e votimit.

Sistemi zgjedhor

Sistemi elektoral që do të zbatohet është i ndryshëm nga ai që është përdorur deri më tani në Shqipëri. Nga formula e përzierë mazhoritar e proporcional kombëtar do aplikohet sistemi proporcional rajonal. I gjithë territori i vendit është i ndarë në 12 qarqe, ku do të ketë përllogaritje të pavarura të votave që do të marrë çdo subjekt e koalicion.

Në mënyrë të pavarur këto përqindje do të konvertohen në vende në parlamentin e ri. Çdo qark ka të paracaktuar numrin e deputetëve që do të dalin prej tij, kjo në varësi të numrit të zgjedhësve.

I pandryshuar mbetet numri i deputetëve që do të ulen në parlament, 140. Më së shumti deputetë do të zgjidhen në qarkun e Tiranës (32), ndërsa më së paku në atë të Kukësit (4).

Kamerat dixhitale dhe kontrolli

Në qendrat e numërimit të votave për herë të parë është instaluar një sistem kamerash dixhitale. Nëpërmjet një regjie lokale do të transmetohet në ekrane të mëdhenj i gjithë procesi i numërimit të cdo vote. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë do të ketë një sinjal të drejtpërdrejtë televiziv të të gjithë mjediseve ku numërohen votat. Kjo do të bëjë të mundur që rezultatet e numërimit për çdo qendër të bëhen në kohë reale publike. Duke shkurtuar maksimalisht kohën e nxjerrjes së një rezultati final për çdo qark dhe në rang kombëtar.

Zgjedhjet do të monitorohen nga qindra vëzhgues të huaj dhe mijëra vendorë. Sipas llogarive të tanishme, në zgjedhje do të jenë rreth 5 mijë monitorues. Vlerësimet e tyre të para priten ditën e hënë, kur subjektet politike të prezantojnë edhe rezultate e para jo zyrtare të zgjedhjeve.

KOMENTE