English

Përmbysja e imazheve

Berisha e mund Ramën në fushën e tij. Atë që e bëri Rama me Tiranën kur e mori drejtimin e Bashkisë, tani duket si një spektakël artistik dhe bojatisje e fasadave, në krahasim me projektet gjigante që i realizoi Berisha gjatë qeverisjes së tij. Për paradoks, përmbysja e imazheve realizohet me mjetet që shfrytëzonte Rama në kohën e sukseseve - propagandën mediatike të disenjuar në mënyrën më bashkëkohore

Nga Shkëlzen Maliqi

"Ndryshimi" u zgjodh për fjalë kryesore të fushatës zgjedhore në Shqipëri. Sali Berisha me koalicionin e djathtë që udhëhiqte, përpiqej t'i bindte votuesit se Shqipëria tashmë po ndryshon dhe se timonin e këtij ndryshimi e mban pushteti aktual në kërkim të mandatit të ri. Nga ana tjetër, Edi Rama si lider kryesor i opozitës, i pari zgjodhi sloganin e ndryshimit. Ai aludonte jo vetëm në dështimin e Qeverisë aktuale, por edhe të tërë klasës politike që udhëhoqi Shqipërinë në periudhën e tranzicionit.

Rama, pra, godiste sa Berishën po aq edhe Nanon, Metën dhe protagonistët tjerë të politikës së vjetër shqiptare të të gjitha ngjyrave, duke e kërkuar për vete mandatin që ta ndryshojë vendin ashtu sikur që pretendonte se me vizionin dhe angazhimin e tij tashmë e kishte ndryshuar kryeqytetin, Tiranën. Qasja e Berishës, dhe e këshilltarëve të tij që e kanë konceptuar fushatën e PD-së, ishte shumë më pragmatiste dhe më përtokë, në krahasim me revolucionaritetin kryesisht retorik të Ramës. Slogani "Shqipëria po ndryshon" targetonte një realitet më të kapshëm të ndryshimeve reale që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve 2005-2009, të cilat i referoheshin projekteve të avancimit të infrastrukturës së vendit, të funksionalitetit të shtetit, të zhvillimit ekonomik dhe të luftimit të krimit dhe korrupsionit. Në përgjithësi Berisha theksonte aspektet e rritjes së mirëqenies dhe të sigurisë së brendshme, si dhe të sukseseve në integrimin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, siç është anëtarësimi në NATO. Në gjithë këtë, Berisha megjithatë tregohej i kujdesshëm që ndryshimet t'i paraqiste si një proces dhe projekt ende të papërfunduar. Kondicionali "po ndryshon" i sloganit e sugjeronte këtë, duke u bërë njëkohësisht apel votuesve se Sali Berishës i duhet të paktën edhe një mandat për t'i përfunduar ndryshimet që do ta stabilizonin përfundimisht Shqipërinë. Poentat e tij ishin të logjikshme dhe të kuptueshme: ashtu sikur që e anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do ta bëjmë edhe anëtare të Bashkimit Evropian. Ose: ashtu sikur që ndërtuam rrugën kombëtare Durrës-Morinë, do të ndërtojmë edhe rrugët në akset tjera strategjike në jug dhe lindje të vendit, me çka do t'i jepej fund izolimeve të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë dhe do të krijohej perspektiva e zhvillimit më të shpejtë dhe më harmonik të vendit. Për dallim nga Berisha, Rama është kapur për një platformë ndryshimesh që në shikim të pare e kishte objektivin e qartë, por që në komunikim me opinionin dhe subjektin që drejtonte, krijonte mjaft konfuzion dhe paqartësi. E orientuar në denoncimin e kastës politike në pushtet, kjo platformë nuk godiste vetëm kundërshtarin kryesor, Berishën, por edhe figurat tjera politike të kohës së tranzicionit, duke përfshirë këtu edhe aleatët në koalicionin e majtë që kishte krijuar (p.sh. Gjinushin), ose aleatët potencialë të ditës së parë pas numërimit të votave. Refuzimi që të krijohet një koalicion i madh i së majtës, që do t'i barazonte forcat e dy blloqeve, në mos edhe t'i jepte përparësi të majtës, dukej strategji e çuditshme dhe përsëritje e po atij gabimi që kishte bërë Nano në vitin 2005, duke mos kërkuar rrugët e bashkëpunimit me Ilir Metën i cili kishte ndarë një pjesë të PS-së. Rama në vitin 2005 ishte kritik ndaj qëndrimit miop të Nanos, por tani po përsëriste edhe më me ngulm strategjinë përçarëse, duke zhvilluar një fushatë agresive ndaj LSI-së dhe përkrahësve të Fatos Nanos, sa edhe ndaj vetë Berishës. P.sh., në mitingje ai vazhdimisht deklaronte se vota për Ilir Metën është votë për Sali Berishën! Është e çuditshme se si ajo që edhe para një viti do të konsiderohej si përparësi absolute e Ramës ndaj Berishës - modeli i suksesit të transformimit spektakular të Tiranës, në tre muajt e fundit të zbehej, në mos edhe tretej fare. Për më shumë, në këtë periudhë, sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe përkrahjes që merrte nga qendrat e mëdha botërore, Berisha në një sfond më të gjerë të Shqipërisë ndërtoi imazhin e transformuesit të madh! Atë që e bëri Rama me Tiranën kur e mori Bashkinë, tani duket si një spektakël artistik, bojadisje e fasadave, në krahasim me projektet gjigante që i realizoi Berisha gjatë qeverisjes së tij. Kjo përmbysje e imazheve u realizua madje me po ato mjete që i shfrytëzonte Rama në kohën e sukseseve të mëdha - propagandën mediatike të disenjuar në mënyrën më bashkëkohore. Fushata e Berishës, imazhet dhe porositë që i dërgonte në opinion ishin shumë më të fuqishme dhe depërtuese se ato të Ramës dhe dukej ashiqare se ideatorët e kësaj fushate e kishin për qëllim që ta mundin Ramën në fushën ku mendohej se ai do të ishte më superior. Rama thjesht nuk kishte tema dhe qasje rezervë për ta baraspeshuar makinerinë e fuqishme propaganduese të PD-së. Edi Ramës nuk i ndihmoi as përparësia në kontrollin e mediave kryesore që kishte. Në përgjithësi, opozita e tij mbeti e zbehtë dhe e rrudhur në disa tema të konsumuara të katastrofës së Gërdecit, sulmet ndaj familjes së Berishës, mbjelljen e frikës nga autokracia e tij dhe nga kasta e vjetër politike, në kohën kur Berisha e kishte transformuar plotësisht sjelljen dhe imazhin e tij. Avantazhi më i madh i Berishës është në atë se ai tani paraqitet si garant i stabilitetit dhe zhvillimit të Shqipërisë, si njeri dhe politikan që ka vizion dhe strategji të qartë, ndërkaq Rama dhe e majta paraqiten jo vetëm me mungesë të unitetit, por edhe pa plan të qartë se çka duan dhe çka ofrojnë. Ç'është edhe më joproduktive, ata ngrisin tensionet në drejtimin që shoqëria shqiptare nuk është në gjendje t'i akceptojë, si ajo e kërkesës së Ramës që të përmbyset e gjithë kasta politike e tranzicionit, ndonëse pjesë e kësaj kaste është edhe vetë Rama.

"Express"

KOMENTE