English

I plotë - Edi Rama: Unë, edhe më i fortë, përballë kësaj qeverie monstër

Tiranë, 4 Korrik NOA Update - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi sonte se nuk ka në plan momentalisht të japë dorëheqjen por e la të hapur opsionin, siç tha ai, pas mbylljes së plotë të procesit zgjedhor.

Rama doli sonte në një konferencë të posaçme për shtyp, pak orë pas pranimit nga kreu i LSI, Ilir Meta, të ftesës që kreu i PD dhe kryeministri, Sali Berisha, i bëri për të qenë pjesë e koalicionit që do të krijojë qeverinë e re shqiptare.

"Do të udhëheq Partinë Socialiste deri në fund të procesit zgjedhor", - theksoi Rama, duke shtuar se vetëm më pas do të bëhet shtjellim i gjithçkaje dhe atëherë të gjithë dot dëgjojnë fjalën time të fundit".

Rama vuri në dukje se sipas tij, "bota e vjetër i dha jetë kësaj qeverie monstër, një trup i krijuar mbi bazën e një mutacioni që është transmetimi i një virusi edhe më i rrezikshëm se ai i pari, pra kapërcimi nga Lufter Xhuveli te Ilir Meta".

Pritja

Rama u prit me ovacione në nisje të konferencës për shtyp nga militantë që brohorisnin për emrin e tij, sot kur edhe Edi Rama kishte ditëlindjen dhe mbushi 45 vjeç.

Z.Rama fillimisht u tha të pranishmëve se këtë ditëlindje "nuk do ta harroj asnjëherë", duke u kërkuar militantëve të ndalin duartrokitjet për shkak se ishte jo një miting por një konferencë për shtyp.

Më tej, z.Rama siguroi se kjo nuk është fjala e fundit për këtë proces zgjedhor, duke theksuar se dilte para mediave në një reagim për paktin qeverisës, Meta-Berisha që theksoi se është bërë me kohë mes PD dhe LSI.

"Kjo nuk është fjala ime e fundit për procesin zgjedhor, por vetëm reagimi im për qeverinë që lindi sot nga grahma më e fundit e politikës së vjetër të politikanëve në Shqipëri".

Meta-Berisha

Rama sulmoi ashpër Metën, kur tha: "Ndërkohë që përpjekja për numërimin e çdo vote opozitare vazhdon dhe jo vetëm Fieri, po mbarë populli opozitar i Shqipërisë ndjek orë pas ore, prej 6 ditësh dhe netësh zhvillimet e një beteje sy më sy të opozitës, me shpurat e ministrave dhe krimineleve të liruar nga burgjet e Sali Berishës, Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e Kryeministrit të rrëzuar, duke e ngritur në këmbë atë që ai vet e quante deri para 6 ditësh, qeveria e Gërdecit".

"Ndërkohë që populli opozitar, - vijoi Rama, - pret jo vetëm përfundimin e odisesë së votave në fier, por edhe leximin e hapur të votave në Berat, Tiranë dhe gjetkë, 83 mijë zemra opozitare, që në 28 qershor rrahën për largimin e kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri, u trafikuan sot nga Ilir Meta për të mbyllur sot me Sali Berishën, pazarin më të turpshëm të këtyre 18 viteve".

Kurse përmbylli qëndrimin, me fjalët: "Ndërkohë që deri dje ne kishim shumë arsye të dyshonim në ndershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në vërtetësinë e rezultateve të nxjerra prej tyre, pas ngutjes së sotme të Ilir Metës, pa dalë ende rezultati përfundimtar i vetë KQZ së Sali Berishës, për të shpëtuar Sali Berishën me një pazar që Lufter Xhuveli nuk do të guxonte ta shihte as në ëndrrën e tij më të bukur, ne jemi të bindur se kurrë, se pa u zbardhur e vërteta e kutive të 28 qershorit, ndërgjegjja demokratike e gjithë Shqipërisë nuk do të gjej kurrë qetësi dhe Partia Socialiste nuk do të ndalet përpara asgjëje".

Sakaq, Rama paralajmëroi se "pa u zbardhur për të gjithë e vërteta e kutive të 28 qershorit, Partia Socialiste nuk do të ndalet para asgjëje", duke përmbyllur deklaratën për media dhe i lënë mundësi gazetarëve për të bërë pyetje.

Dorëheqja

Rama refuzoi të komentojë mundësinë e një dorëheqjeje të tij duke thënë se gjithsesi, "kjo nuk është fjala ime e fundit".

Kurse siguroi se do të udhëheqë Partinë Socialiste deri në fund të procesit zgjedhor.

"Unë jam i vendosur që ta udhëheq Partinë Socialiste deri kur procesi zgjedhor t'i vihet pika. Pastaj, unë kam sigurinë dhe bindjen e plotë se kjo është një familje politike, cila di të marri vendimet e duhura në kohën e duhur dhe pa pikën e dyshimit, është një familje politike që pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi pazar i këtyre 18 vjetëve, është më e madhe", - theksoi z.Rama.

Ai kërkoi që "familja jonë politike është më e madhe dhe asnjë nga të gjithë ata qytetarë e qytetare, që në 28 qershor votuan për Ilir Metën për të larguar Sali Berishën, nuk duhet të ndihen të vetëm, sepse nga sot është pjesë e familjes tonë politike" dhe sugjeroi se "që nga sot ka të gjitha arsyet për t'u ndier më e madhe, për t'u ndier më e vendosur, për t'u ndier më e fortë".

Rama lajmëroi se "beteja jonë është një betejë mes dy botësh, mes botës së re që meritojnë qytetarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendit pavarësisht se për kë votojnë dhe botës së vjetër, të mekanizmave që prej 18 vjetësh i ka ndarë dhe përçarë shqiptarët në të majtë dhe të djathtë dhe ka bërë me ta një lojë që e luajnë vetëm grushti i njerëzve që sot i dhanë jetë kësaj qeverie monstër dhe e paguajnë që të gjithë qytetarët".

"Kur flas për qeverinë monstër, - vijoi Rama, - kam parasysh një trup të krijuar në bazë të një mutacioni që është transformimi i një virusi në një tjetër virus më të rrezikshëm se i pari. Pra, kapërcimi nga Lufter Xhuveli te Ilir Meta dhe nga qeveria e Sali Berishës me Lufter Xhuvelen, te qeveria e Sali Berishës me Ilir Metën, që është një arsye për t'u pikëlluar të gjithë ata që e besuan deri në fund projektin në dukje radikal të Ilir Metës kundër Sali Berishës, por njëkohësisht është edhe një arsye më shumë, që sot të gjithë të kuptojnë se projekti ynë nuk ishte një projekt përjashtues, por ishte një projekt që synonte përballjen me të kundërtën e vet, që sot është përballë nesh në formën e një qeverie të krijuar jo nga vullneti i njerëzve, por nga pazari mes atyre që janë mësuar t'ju thonë njerëzve tjetër gjë, të bëjnë tjetër gjë dhe të mendojnë tjetër gjë".

Në përgjigje të një pyetje të përsëritur lidhur me zbatimin ose jo të statusit që sanksionon largim nga kreu i PS në rast humbjeje, Rama përsëriti se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar.

Më tej, theksoi: "Sigurisht kur procesi zgjedhor ta konsiderojmë të përfunduar, edhe pse ne jemi të vendosur që të hetojmë gjithsesi mbi këtë proces, do të kemi mundësi të bëjmë një shtjellim të thellë të gjithçkaje dhe atëherë të gjithë sigurisht do të dëgjojnë fjalën time të fundit lidhur me gjithë këtë periudhë".

Ndërsa duke i vënë kapak këtij argumenti, tha: "Një gjë është e sigurt, kush mendon se sot më ka dobësuar, duhet ta dijë, se më ka bërë më të fortë".

Ku gaboi PS?Â

Përgjigjen ndaj pyetjes se ku ka gabuar Partia Socialiste, Rama e formuloi kështu: "Do të kemi të gjithë kohën e nevojshme për të diskutuar me qetësi lidhur me çfarë ka të bëj me këtë proces, por ju them me bindje të plotë, se ky sistem nuk përmban në vetvete një problem për Partinë Socialiste dhe nuk është sistemi që ka krijuar problemin që ne hasim sot, por është deformimi i vullnetit të popullit përmes mekanizmash të cilat ne duhet me qetësi, vendosmëri e këmbëngulje, t'i bëjmë të dukshme për të gjithë publikun".

Qeveria dhe jetëgjatësia

Rama u pyet edhe se sa ai beson, në jetëgjatësinë e kësaj qeverie dhe iu kërkua të shprehet nëse sipas tij, a fshihen persona të tjerë pas këtij bashkëpunimi?:

"Kjo është një gjë që tashmë e sheh gjithë Shqipëria. Sigurisht, nuk është një diçka për të cilën unë ndihem mirë që atë që unë shihja qartësisht kohë më parë, sot e shohin që të gjithë, sepse i njoh shumë prej atyre që janë edhe në nivelet më të larta të partisë së Ilir Metës dhe sot janë po aq të pikëlluar si gjithë të tjerët, siç jam i bindur se po kaq të bindur janë të gjithë ata socialistë e socialiste, që sot ndihen jo vetëm të tradhtuar, por edhe të poshtëruar, kur dëgjojnë njeriun që i besuan votën e tyre, sepse ishte udhëheqësi radikal që do të përmbyste qeverinë e Gërdecit nëpërmjet rrugës, që të thotë jam pranë Sali Berishës, por mbetem socialist. Kjo është një kurajë që edhe i ndjeri politikisht Lufter Xhuveli nuk e pati, sepse tha, unë në qendër jam, e kthej kokën andej nga vjen pushteti".

/a.l/e.l/n.e/NOA/

KOMENTE