English

Abuzim me taksat, pretencë 40 muaj burg për dy biznesmenë

Tiranë, 6 Korrik NOA - Dy biznesmenët e akuzuar për shmangie të detyrimeve dhe taksave ndaj shtetit rrezikojnë dënimin e tyre me tre vjet e katër muaj në total.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot dënimin e Petraq Dodit me 2 vjet burg, ndërsa për kolegun e tij Theodhoraq Zharkalli, akuza kërkoi dënimin me një vit e katër muaj burgim.

Dy të akuzuarit janë duke u proceduar me gjykim të shkurtuar ashtu siç janë aktet e paraqitura nga prokuroria.

Të pandehurit u denoncuan nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve për shmangie të pagimit të taksave, e cila kapte një vlerë që arrinte në 115 milionë lekë të reja.

Zbulimi i veprimtarisë së dy biznesmenëve u zbulua nga një faturë për blerje të lëndës së parë.

Sipas hetimeve, dorëzimi i faturave tatimore ka rezultuar se nuk është i njëjti shkrim, në faturën e shoqërisë "Vielo"sh.p.k dhe "Angelo Shoes" sh.p.k me seli në Korçë. "Angelo Shoes" shpk dyshohet të ketë përdorur fatura të rreme të shoqërisë "Vielo" duke i falsifikuar ato bashkë me vulat.

Po ashtu për t'iu shmangur detyrimeve i pandehuri Dodi ka hapur llogari bankare në emër të Apstol Mingës e tij, duke përdorur fotografitë e të pandehurit tjetër Zharkallit.

Pas hapjes së këtyre llogarive janë kryer edhe transferime bankare.

e.l/NOA

KOMENTE