English

Nga Lazarati në Korçë, kapen 30 kg marijuanë që shkonin në Greqi

Korçë, 6 Korrik NOA - Të paktën 30 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë me vlerë në tregun e zi të drogës, afro 40 mijë euro, iu gjet një të riu nga Lazarati teksa dyshohet se po e trafikonte për në Greqi.

Burime zyrtare të policisë së Korçës thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se i arrestuari në operacionin e posaçëm policor, është Belul Toto 21 vjeç.

Nga hetimet e para dyshohet se droga që shihni dhe në dy fotot shoqëruese të shkrimit, po shkonte te trafikantë të tjerë në Korçë, të cilët kanë lidhje me tregun grek të narkotikëve, me qëllim transportimin në anën tjetër të kufirit.

Operacioni i koduar policor që mbajti emrin "Qafa e Qarit", u zhvillua gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, në vendin e quajtur "Fabrika e Tullave" në rrugën nacionale Korçë-Ersekë dhe erdhi pas një pune vrojtuese disaditore të agjentëve antidrogë.

"Nga ky operacion është realizuar kapja në flagrance e 21-vjeçarit Belul Toto, banues në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, i cili udhëtonte me mjetin e tij tip "Benz", me targë Gj 6040 A, nga Gjirokastra për në Korçë, të cilën e shihni dhe në foto.

Gjatë kontrollit, të riut lazaratas, iu gjet dhe sekuestrua një sasi bime narkotike Cannabis Sativa, e cila ishte e ndare në 30 pako të mbështjella me natriban dhe e vendosur në dy çanta të mëdha sportive.

Policia tha se ndaj të riut lazaratas Belul Toto u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike".

Ndërkohë, policia konfirmoi për NOA se "po punohet për të zbuluar dhe prangosur, disa persona të tjerë të implikuar në këtë trafik droge".

/f/k.k/NOA/

KOMENTE