English

LSI, Ylli: Do ankohemi për ato zona, ku kishte parregullsi gjatë procesit të numërimit

Tiranë, 9 korrik NOA - Anëtari i Kryesisë dhe Drejtori i Informacionit në LSI, Drita Ylli, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur se LSI po vazhdon procesin e dokumentimit dhe të evidentimit të parregullsive të procesit të administrimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.

"Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojë edhe me ankimimet përkatëse për të gjithë ato zona, ku ajo ka vërejtur parregullsi gjatë procesit të numërimit. LSI hedh poshtë me neveri të gjitha insinuatat e Partisë Socialiste, që e lidhin Lëvizjen Socialiste për Integrim me ndikimin në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo të çdo lloj Komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet. Partia Socialiste duhet të ndjejë turp kur shprehet në këtë mënyrë, sepse edhe shqiptari më i fundit e di fare mirë se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë përfaqësues në asnjë Komision, ku merren vendimet për zgjedhjet dhe opinioni publik gjithashtu e di mirë se shkaku kryesor që Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk përfaqësohet në këto komisione është pikërisht kundërshtimi i egër i Partisë Socialiste" deklaroi Ylli.

Ylli ka reaguar edhe ndaj deklaratave të Fatos Klosit, ku theksoi se "i ka ndjekur prononcimet ambulante të Zotit Klosi nga njëri televizion tek tjetri, dhe me keqardhje vërejta që interesi i ngushtë personal dhe nepotik i Zotit Klosi me Bashkinë e Tiranës, e përbuzi interesin atdhetar dhe rolin e rëndësishëm të LSI në këtë proces, që hedh baza të sigurta për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian" "Kam ndjerë gjithashtu zhgënjim, sikurse dhe 650 anëtarët e nderuar të Konventës së LSI, si dhe qindra mijëra mbështetësit e LSI në të gjithë Shqipërinë, për fyerjen që Zoti Klosi ju bëri me një fjalor të papërshtatshëm për një "Profesor", duke shpërdoruar besimin e madh shpesh të pamerituar që LSI i ka dhënë atij, që për hir të së vërtetës nuk bëri asnjë ditë fushatë për LSI-në" përfundoi Ylli.

k.k/NOA

KOMENTE