English

Dilema e imponuar

Asnjë qeveri në botë, pavarësisht sa i fuqishëm ekonomikisht do të jetë shteti i saj, nuk do të mund të thotë: jemi zhvilluar mjaft, dhe tani e tutje nuk do të kemi më nevojë për zhvillim ekonomik, e të tjera të ngjashme

Nga Basri Kodra

Prej kohës së krijimit të shtetit shqiptar e këndej, politikanët shtetërorë shqiptarë ia kanë imponuar popullit, si të thuash, një dilemë të madhe: të vazhdojë përpjekjen e tij qoftë edhe luftarake për njësimin e kufijve politikë me kufijtë kombëtarë të Shqipërisë, apo të angazhohen në zhvillimin dhe forcimi e kësaj gjysmë-Shqipërie, e tek pastaj, t'i rikthehen përpjekjes për ta çuar deri në fund punën e nisur. Kjo dilemë e imponuar pastaj ka sjellë ndarjen e madhe sipas së cilës edhe u ndërtuan ideologji të ndryshme pas shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të pjesshëm të saj më 1913.

Po e quaj kështu - dilemë të imponuar - ngase një dilemë e tillë tek shqiptarët as që ka ekzistuar. Kjo dilemë është shpikur prej politikanëve dhe për qëllime të politikanëve. Ata hodhën idenë se shteti shqiptar më parë duhet të forcohet në mënyrë që të jetë në gjendje ta realizojë veten, dhe kjo ide e futur si e tillë në kokat e njerëzve dhe sidomos të veprimtarëve të shumtë të çështjes kombëtare, krijoi ndarjen sipas dilemës në fjalë. S'ka dyshim se qëllimi i theksimit të kësaj bindjeje ishte politik dhe nisej nga interesa të ngushta. Përmes kësaj strategjie, udhëheqësit e shtetit shqiptar mundoheshin t'i neutralizonin forcat patriotike shqiptare të cilat nuk pranonit të ndaleshin në gjysmën e rrugës, por ishin të vendosura që, pavarësisht rrethanave dhe kushteve të kohës, të vazhdonin përpjekjen e tyre deri në realizimin e programit të shpallur nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare. Neutralizimi i këtyre forcave do të thoshte përforcim i pozitave të tyre në pushtetin politik të vendit, pushtet i cili ishte shumë i vështirë të ruhej.

Çfarë ndodhi më tutje me shtetin shqiptar dhe sa arriti të zhvillohet ai deri më sot, të gjithë e dimë. Shteti shqiptar kurrë më nuk pati kohë të merrej me kufijtë e tij të padrejtë që ia cenuan dhe vazhdojnë akoma t'ia cenojnë tërësinë tokësore të kombit shqiptar. Çështja e zhvillimit ekonomik është çështje, si të thuash, relative. Çdo shtet në botë, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik që ka, bën plane strategjike për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik. Asnjë qeveri në botë, pavarësisht sa i fuqishëm ekonomikisht do të jetë shteti i saj, nuk do të mund të thotë: jemi zhvilluar mjaft, dhe tani e tutje nuk do të kemi më nevojë për zhvillim ekonomik, e të tjera të ngjashme. Kështu kurrë dhe kurrkund nuk do të ndodhë. Kështu kanë menduar vetëm ata politikanë të cilët, duke folur për çështjen e atdheut dhe të kombit, kanë menduar vetëm për vetveten dhe për partinë.

E theksova këtë fakt, ngase kjo mendësi politike e kultivuar për një kohë bukur të gjatë në shtetin shqiptar, është trashëguar edhe tek udhëheqja politike në Kosovë. Ngjashëm sikundër kanë vepruar forcat politike në pushtet në gjysmë-Shqipërinë shtetërore dje, ashtu po veprojnë forcat politike në pushtet, dhe besa edhe ato në opozitë, në gjysmë-Kosovën gjysmë-shtetërore sot. Të gjithë politikanët e pushtetshëm në Kosovë sot shprehen të mendimit se Kosova mund të zhvillohet ekonomikisht, ndërsa çështjen e bashkimit me Shqipërinë (të cilën çështje, pa u pyetur nga ndonjë gazetar kurrë nuk e zënë në gojë), mund të supozojmë se e nënkuptojnë si një çështje së cilës do t'i kthehen pasi që Kosova të jetë zhvilluar në shumë pikëpamje, e sidomos në atë ekonomike.

Mendoj se nuk është fare e nevojshme të argumentohet se si Kosova kështu siç është (me këtë status politik) dhe kështu siç po veprohet ndaj saj nga ana e faktorit ndërkombëtar në radhë të parë, vështirë se do të mund të zhvillohet ndonjëherë, dhe po ashtu, nuk është e nevojshme që të jesh farë eksperti i çështjeve ekonomike për ta marrë me mend se a do të mund të ndodhë një zhvillim i tillë ekonomik, siç po thonë, apo jo.

Problemi duket, ndërkaq, se qëndron këtu - se a do të mund apo jo të zhvillohet - por në faktin se politikanët shqiptarë, sikundër andej edhe këndej, si dje ashtu edhe sot, punën e kushtëzimit të çështjes së bashkimit kombëtar me çështjen e zhvillimit ekonomik, e përdorin vetëm si "argument" përmes së cilit ata përpiqen ta shtyjnë sa më shumë të jetë e mundur për më vonë. Të gjitha forcat politike që ndodhen në pushtet sot në Kosovë po mundohen me gjithë arsenalin e tyre, e sidomos atë mediatik, që jo vetëm ta heqin dilemën që mund të ekzistojë tek shumëkush, por po përpiqen që ta shpallin të paqenë edhe vetë idenë dhe përpjekjen që megjithatë mbetet e gjallë në shumicën dërrmuese të popullit shqiptar e cila vazhdimisht po artikulohet përmes shumë veprimtarëve e të cilët janë të organizuar në lëvizje të ndryshme kombëtare, për sendërtimin e bashkimit kombëtar. Kështu, për shembull, në funksion të kësaj, para pak ditësh, një i ashtuquajtur publicist, i tipit të atyre që vardisen gjithnjë pas të pushtetshmëve, shkruante një artikull përmes të cilit bënte fushatë për Sali Berishën, thuajse kishte nevojë Berisha për ndihmën e tij, ku ndër të tjera thekson edhe këto: "Politikanët e vendeve çfarë janë Shqipëria dhe Kosova nuk shoh se kanë punë më të mençura se sa të merren me rrugë, më rrymë, me ujë, me shkolla dhe ambulanca- me një fjalë, të kujdesen për mirëqenien e shtetasve."! Ky shembull i ofruar është vetëm një nga shumë të tjerë ku politikanë, gazetarë, analistë e publicistë të shumtë, na dëshmojnë se për ta (e kjo duhet patjetër të kuptohet se kjo vlen "vetëm për ata") në rend të parë nuk ndodhet çështja e bashkimit kombëtar, sikundër është jo vetëm e logjikshme por edhe historike të jetë, por janë çështje të tjera, si, ekonomia, rrugët, rryma, uji, shkollat, ambulancat, e kështu me radhë. Në të vërtet, kjo neve as që bën të na habitë. A nuk i porositi politikanët dhe përfaqësuesit e mediave, Martti Ahtisaar-i në konferencën e fundit të organizuar nga Veton Surroi në Prishtinë, se si tani e tutje kosovarët duhet të përqendrohen vetëm në zhvillimin ekonomik, ngase çështja e statusit ka marrë fund?!...

Por t'i kthehemi edhe një herë çështjes në fjalë. Përvoja mbi 90 vjeçare e të ndodhurit të ndarë, na ka mësuar se, të gjitha forcat politike që kanë ardhur në pushtet, çështjen e bashkimit kombëtar e kanë hequr prej planit të parë. Kjo ka ndodhur me të gjitha ato forca politike të cilat e kanë udhëhequr Shqipërinë prej formimit të saj e deri më sot, dhe kjo po ndodh edhe me forcat politike në Kosovë. Madje në Kosovë po ndodh edhe më e keqja, ngase, përderisa politikanët andej, çështjen e bashkimit e kanë hequr vetëm prej planit të parë, këta politikanët tanë këndej, e kanë fshirë tërësisht nga plani, duke e mohuar kështu edhe historinë kombëtare të popullit shqiptar!

KOMENTE