English

Sejdiu thirrje policisë ndërkombëtare: Mos respektoni fletë-arrestet serbe

Prishtinë, 13 korrik NOA- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje dy organizatave ndërkombëtare të policisë, Interpolit dhe Eurpolit që të mos respektojnë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës.

Komentet pasojnë vendimin e prokurorisë serbe për krime lufte për të shpërndarë 160 fletë-arrestime për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të dyshuar për krime ndaj popullsisë serbe.

 "Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë komunikimet më të mira me vendet veç e veç dhe natyrisht është edhe borxh i Interpol-it dhe Europol-it që të heqin nga sirtarët e tyre kërkesat çmendurake të Serbisë për ndjekje të qytetarëve të Kosovës".

Presidenti i Kosovës tha se institucionet e vendit do t'u bëjnë kërkesë edhe shteteve veç e veç që të shpërfillin kërkesat e Serbisë për ndjekjen e qytetarëve të Kosovës.

Muajin e kaluar, policia bullgare arrestoi ish kryeministrin Agim Çeku, në bazë të një fletë-arresti lëshuar nga Beogradi për "krime lufte" kundër serbëve në fund të viteve 1990, kur zoti Ceku ishte drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një incident të ngjashëm me atë të ish kryeministri Çeku pati edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili qe ndaluar për disa orë në Hungari ndërkohë që ishte kryetar i opozitës.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete anëtare të Interpolit e vështirëson bashkëpunimin e Kosovës me këtë organizatë. Megjithatë, autoritetet në Kosovë i kanë bërë thirrje kësaj organizate që të mos respektojë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës.

m.i/NOA

KOMENTE