English

Defekti në makinën e një greku shkakton vdekjen e emigrantit shqiptar

Hania, 14 Korrik NOA - Një aksident fatal ka ndodhur në një rrugë shtetërore të Haniasë në Greqi, ku viktima ishte një 29 vjeçar shqiptar, emigrant prej vitesh në vendin fqinjë.

Nga hetimet që kreu policia, ngjarja tragjike për emigrantin erdhi pasi ai u përpoq të shmangte përplasjen me në makinë e cila pësoi defekt të papritur, në ecje e sipër.

Gjithçka ndodhi mbrëmjen e djeshme kur emigranti shqiptar 29 vjeçar, po udhëtonte me autoveturën e tij në drejtim të Haniasë, në rrugën shtetërore Rethimn-hania.

Ndërsa ishte duke lëvizur në kahun e tij, një automjet afrohet dhe në rrethana ende të paqarta pëson një defekt mekanik i cili e nxori makinën jashtë kontrollit.

I riu shqiptar, duke parë situatën që precipitonte, u përpoq të shmangë përplasjen dhe manovroi, por e pati të pamundur të shpëtonte jetën e tij, sepse u përplas me barrierat ndarëse të autostradës, duke gjetur vdekjen.

Drejtuesi grek i makinës tjetër, nuk pësoi dëme serioze për jetën, njoftoi policia, e cila thirri në vendngjarje disa zjarrfikës pas zjarrit që shpërtheu, si dhe bëri të mundur nxjerrjen e trupit të emigrantit të ndjerë.

Policia sqaroi se 29-vjeçari, ishte emigrant i rregullt dhe prej disa vitesh jetonte në lokalitetin Kurna pranë rajonit Hania.

n.s/NOA

KOMENTE