English

Sejdiu: Interpoli të mos i marrë në konsideratë fletë-arrestet serbe për kosovarët

Prishtinë, 14 korrik, NOA - Udhëheqësit zyrtarë të Kosovës u kanë drejtuar thirrje të gjitha shteteve që të ndërpresin arrestimet e qytetarëve të Kosovës mbi bazat e fletë-arresteve të Serbisë.

Reagimi ka mbërritur menjëherë pas vendimit më të fundit të prokurorisë serbe për krime lufte mbi shpërndarjen e 160 fletë-arrestimeve për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të dyshuar për krime ndaj popullsisë serbe.

Lidhur me një fakt të tillë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje dy organizatave ndërkombëtare të policisë, Interpolit dhe Eurpolit që të mos respektojnë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës.

"Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë komunikimet më të mira me vendet veç e veç dhe natyrisht është edhe borxh i Interpol-it dhe Europol-it që të heqin nga sirtarët e tyre kërkesat çmendurake të Serbisë për ndjekje të qytetarëve të Kosovës", tha ai. Presidenti i Kosovës tha se institucionet e vendit do t'u bëjnë kërkesë edhe shteteve veç e veç që të shpërfillin kërkesat e Serbisë për ndjekjen e qytetarëve të Kosovës. Muajin e kaluar, policia bullgare arrestoi ish-kryeministrin Agim Çeku, në bazë të një fletë-arresti lëshuar nga Beogradi për "krime lufte" kundër serbëve në fund të viteve 1990, kur Çeku ishte drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një incident të ngjashëm me atë të ish-kryeministrit Çeku pati edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili u ndalua për disa orë në Hungari ndërkohë që ishte kryetar i opozitës. Por mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete anëtare të Interpolit e vështirëson bashkëpunimin e Kosovës me këtë organizatë.

n.e/NOA

Â

Â

KOMENTE