Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vizat, një ndarje e re në Ballkan
English

Vizat, një ndarje e re në Ballkan

Në gojën tonë tashmë ka filluar të ndihet shija e hidhur e të qenit qytetarë të dorës së dytë, edhe brenda Ballkanit Perëndimor

Nga Armand Shkullaku

Vendimi i pritshëm i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave për disa vende të Ballkanit Perëndimor, i ka lënë të dëshpëruar shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Ndjenjës së poshtërimit, të provuar sa herë përpara dyerve të ambasadave, i shtohet ajo e një izolimi të ri brenda Ballkanit. Ndërsa Kosova nuk figuron fare në planin e liberalizimit të vizave të BE-së, Shqipërisë do t'i duhet të paktën dhe një vit për të tentuar përsëri lirinë e lëvizjes për qytetarët e saj. Teknikisht, vendimi i Komisionit Europian duket korrekt. Politikanët në Prishtinë dhe Tiranë kanë folur shumë për integrimin, por po aq shumë u mbetet për të bërë për ta arritur atë. Këtë e dinë dhe e kanë përsëritur të gjithë. Nëse rasti i Kosovës është specifik dhe kërkon trajtim të veçantë, për Shqipërinë mund të thuhet se është mbrapa jo vetëm me pasaportat biometrike, por edhe me menaxhimin e integruar të kufijve. Përsëri, duke folur teknikisht, këto janë kushte vërtet të rëndësishme për një vend që kërkon akses të lirë në hapësirën e Bashkimit Europian dhe plotësimi i tyre është detyrë parësore për Tiranën zyrtare. Por, pas vendimit për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, politikisht shtrohen disa çështje të tjera. Në radhë të parë, vendimi për t'i diferencuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në liberalizimin e vizave bie ndesh me planin e BE-së për ta integruar krejt rajonin në bllok dhe krijon paragjykime e dyshime për mënyrën se si po e përdorë vetë BE-ja fuqinë magjike që ka heqja e vizave për ballkanasit e këtyre anëve. Brukseli dëshmoi dje se kur i duhet, di ta përdorë politikën e shkopit dhe karotës dhe të mbyllë njërin sy përballë kushteve të paplotësuara për ndonjë shtet. Kështu, grupi i të gjelbërve në Parlamentin Europian e cilësoi të padrejtë vendimin për t'ia ofruar Serbisë statusin visa free përpara Bosnjës, duke theksuar se një gjë e tillë mund t'i thellojë ndarjet etnike. Serbia ende nuk e ka dorëzuar kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq dhe karota e vizave që i zgjatet nga Brukseli është e qartë se ka një sfond të pastër politik. Bashkimi Europian po e përdorë këtë bonus për ta fituar besimin e nevojshëm tek serbët, për ta zbutur armiqësinë që daton nga pranvera e dhjetë vjetëve më parë, si dhe për ta neutralizuar ndikimin rus në këtë shtet. Nëse heqja e vizave shikohet edhe si një lloj kompensimi për disfatat e fundit të Serbisë, kjo nuk ka pse të rëndojë në kurriz të shqiptarëve, të cilët ndryshe nga ish Jugosllavia, e kanë përjetuar izolimin më të egër për një gjysmëshekull. Serbia ka probleme jo vetëm me gjykatën e Hagës, por edhe me kriminalitetin, korrupsionin dhe politikën konfliktuale që po e nxitë tek serbët e Kosovës. Këto me siguri do të mjaftonin që heqja e vizave të shtyhej edhe për Serbinë. Por, mesa duket i paaftë për ta bindur Beogradin me gjuhën e shkopit, Bashkimi Europian zgjodhi atë të karotës. Vendosi t'i heqë vizat për serbët, me shpresën se kështu do ta zbusë mosbesimin e tyre dhe, pse jo, një ditë t'u kërkojë njohjen e Kosovës shtet. Kjo është një mënyrë e të bërit politikë, por sigurisht që nuk ka lidhje me kriteret strikte për heqjen e vizave. Kur ka interes Brukseli, ato edhe u anashkaluakan. Edhe sa i takon ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ndonëse për hir të së vërtetës ajo ndodhet më përpara se vendet e tjera të rajonit në aspektin teknik, përsëri arsyet politike kanë qenë vendimtare për liberalizimin e vizave. I mbajtur peng nga Greqia për shkak të emrit, si në anëtarësimin në NATO ashtu dhe në integrimin në BE, Shkupi ka përfituar një dhuratë shumë të vyer për qytetarët e tij si kompensim për dy proceset e bllokuara. Politikisht mund të shihet edhe diferencimi që iu bë Shqipërisë. Ndonëse zyrtarisht janë problemet me pasaportat biometrike, menaxhimin e integruar të kufijve, krimin dhe korrupsionin, edhe elementë të tjerë nuk mund të lihen pas dore. Ndoshta nxitimi i kryeministrit Berisha për të aplikuar për anëtarësim në BE në periudhën elektorale, miratimi i ligjit të lustrimit në kundërshtim me sugjerimet europiane apo edhe elementë të tjerë, mund të kenë shtuar dyshimet për ta lënë në një kohë të dytë liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Pikërisht përdorimi i heqjes së vizave si ndëshkim, apo shpërblim, ndaj shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe jo aplikimi strikt dhe i njëjtë i kushteve teknike për secilin prej këtyre vendeve, shkakton në thelb dëshpërimin e shqiptarëve. Të ndodhur mes problemeve me qeverisjen e tyre dhe manovrave politike të Brukselit, ata vuajnë sot pasojat e një izolimi më të rëndë se më parë. Bashkimi Europian, duke dashur t'i zgjidhë problemet në rajon nëpërmjet kartës së integrimit, rrezikon t'i komplikojë ato edhe më keq. Shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë aktualisht u mbetet vetëm një rrugë e lirë komunikimi - ajo mes vetes. Ata do të ndihen të diferencuar padrejtësisht më shumë në raport me fqinjët, se sa me standardet që qeveritë e tyre duhet t'i arrijnë. Nuk është çudi që tek elementë të veçantë në tri shtetet që dje përfituan nga liberalizimi i vizave, ky proces të përkthehet si superioritet i etnive të tyre ndaj shqiptarëve dhe të manifestohet si arrogancë e policisë në kufi, në rrugë, etj, që edhe kështu nuk ka munguar. Në vend që t'i nxisë reformat, vendimi i Brukselit mund të provokojë një situatë të tillë që mund t'i afrojë shqiptarët me njëri- tjetrin për shkak të izolimit dhe mund t'i ftohë ata me fqinjët për shkak të liberalizimit. Kjo është njëra prej pasojave që mund të shkaktojë vendimi i Bashkimit Europian për t'i diferencuar vendet e Ballkanit Perëndimor sipas nevojave politike dhe jo sipas kritereve strikte. Pa harruar se vendimi mund të prodhojë edhe një rritje të kriminalitetit, ku falsifikimi i pasaportave, vendbanimeve, shtetësive e kombësive do të tentojë t'i përgjigjet nevojës së dëshpëruar të shqiptarëve për të udhëtuar drejt BE-së. Këto janë vetëm parashikime të pasojave të mundshme të vendimit të djeshëm të Komisionit Europian. Ajo që dihet me siguri është se tashmë në gojën tonë ka filluar të ndihet shija e hidhur e të qenit qytetarë të dorës së dytë edhe brenda Ballkanit Perëndimor.

"Express", Prishtinë

KOMENTE