Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sovraniteti pa ekuivoke
English

Sovraniteti pa ekuivoke

Edhe më intrigues është koncepcioni hegelian për sovranitetin e jashtëm. Bile Hegeli mendon që sovraniteti i jashtëm vjen përpara të brendshmit. Ai thotë që, para së gjithash, "shteti është sovran në raport me të tjerët". Pra, një shtet është sovran në sytë e shteteve tjera dhe i pavarur nga ata

Nga Glauk Konjufca

Në kohën sa ishte nën sovranitetin e drejtpërdrejtë të Serbisë, Kosova kishte dy kufij ndërkombëtarë: kufirin me Shqipërinë dhe atë me Maqedoninë. Kurse, në anën tjetër, të gjithë e mbajmë mend që kur një banor i Kosovës udhëtonte për në Mal të Zi a Serbi, këtë gjë e bënte pa ndihmën e dokumenteve të udhëtimit, siç është, ta zëmë, pasaporta. Në termet e të drejtës ndërkombëtare, kjo do të thoshte që ishim nën sovranitetin e ish Republikës Federative të Jugosllavisë, më pas të Unionit Serbi-Mal i Zi. Pra kufijtë e Kosovës me të tjerët ishin, në fakt, kufij ndërkombëtarë të Serbisë me të tjerët.

Sot Kosova i ka tre kufij ndërkombëtarë me të cilët kufizohet - përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë, në qershor të vitit 2006 është shtuar edhe Mali i Zi. Natyrisht, jo për fajin tonë, po për shkak se kështu vendosën 55% e malazezëve. Sot të nevojitet pasaporta që të kalosh prej Kosovës a Serbisë në Malin e Zi.

Te Filozofia e së Drejtës, G. W. F. Hegeli e jep një shpjegim shumë të rëndësishëm të thelbit të sovranitetit. Ai e dallon sovranitetin e brendshëm (rendi institucional, siguria etj.) nga sovraniteti i jashtëm. Refleksioni i Hegelit për sovranitetin e brendshëm çon kah një përkufizim i funksionimit të entitetit shtetëror si njësi organike. Pra, shteti së brendshmi është Njësi. Dhe jo vetëm që e di që është njësi, por edhe vepron si e tillë. Kosova aktualisht nuk është Njësi (organike). Ajo është Shumësi (mekanike): Prania ndërkombëtare (ICO/EULEX-i, UNMIK-u, KFOR-i…), institucionet vendore (Qeveria, Parlamenti…), Serbia (strukturat paralele).

Por edhe më intrigues është koncepcioni hegelian për sovranitetin e jashtëm. Bile Hegeli mendon që sovraniteti i jashtëm vjen përpara të brendshmit. Ai thotë që, para së gjithash, "shteti është sovran në raport me të tjerët". Pra, një shtet është sovran në sytë e shteteve tjera dhe i pavarur nga ata. Sovraniteti i vërtetë i një vendi nuk matet, mbi të gjitha, me vetëkonceptin e tij të sovranitetit, thotë Hegeli, por me konceptin e të tjerëve për sovranitetin e tij. Pra, kjo është "jashtësia thelbësore". Këtë poentë hegeliane e njohin shumë mirë sidomos ata që kanë jetuar gjatë kohës së politikës kosovare të viteve '90. Gjatë "epokës rugoviane" të politikës në Kosovë, sovraniteti matej gabimisht me vetëkonceptin e brendshëm të politikës sonë për Kosovën. Jetohej dhe banohej brenda këtij iluzioni të të qenit shtet, prandaj kjo gjë i konvenonte edhe Serbisë e cila nuk e prishte këtë iluzion, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, të cilës i përshtatej ky "stabilitet" i ndërtuar mbi iluzione. Në të vërtet, ne nuk ishim shtet për asnjë shtet tjetër (madje as për Shqipërinë!), përveçse për vetveten.

Sot problemi duhet të shtrohet kështu: sovraniteti i Kosovës duhet të matet si sovranitet i Kosovës NDAJ Serbisë. Ndryshimi i statusit të Kosovës në skenën ndërkombëtare duhet të matet nëpërmjet të këtij kriteri substancial, sepse kufijtë tjerë ndërkombëtarë të Kosovës me vendet tjera (Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi) kanë mbetur po ata. I vetmi kufi të cilit duhet t'i ndryshojë statusi, në mënyrë që vetë Kosovës t'i ndryshojë statusi, është ai me Serbinë, e Kosova më së shumti vijë kufitare ndan me Serbinë. Sovraniteti ynë ndaj Serbisë është (paradoksalisht vetëm në shikim të parë) shumë më i rëndësishëm sesa sovraniteti ynë ndaj 62 shteteve tjera sa e kanë njohur Kosovën deri tash. Për Irlandën është shumë më i rëndësishëm sovraniteti i saj ndaj Britanisë së Madhe, sesa ndaj të gjitha shteteve tjera së bashku që e njohin sovranitetin e saj.

Të gjitha strategjitë e deritashme ndërkombëtare dhe ato të politikës vendore e kanë reduktuar Kosovën në hapësirë josovrane të tregut të lirë ndaj vendeve tjera përreth (Kosova konsumatore), kurse ndaj Serbisë kanë ndjekur qasjen e hapjes së kufijve dhe rritjen e integrimit me Kosovën (djegia e pikave doganore, trajtimi i kufirit si vijë administrative etj.). Tash Kosovës po i shkatërrohet çfarëdo mbështetje për sovranitet të brendshëm e të jashtëm nëpërmjet të shitjes së pasurive të saj natyrore prej të cilës Kosovës nuk do t'i mbetet asgjë tjetër përveçse një takse simbolike korporative. Nëse do ta lejojmë të ndodhë kjo gjë, politikisht dhe ekonomikisht do të kthehemi në qiraxhinj të leckosur. Nëse jo, atëherë duhet të përgatitemi për sfida që kërkojnë mobilizime të mëdha dhe sakrifica.

Komentoni dhe ju këtë opinion / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE