English

KQZ shpalli rezultatin zyrtar, PS: Nuk i njohim këto zgjedhje

Tiranë, 1 Gusht NOA - Partia Socialiste, akuzoi sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se u shndërrua në një repart sulmi ndaj të drejtës legjitime dhe kushtetuese të barazisë së votës dhe tha se nuk i njeh zgjedhjet.

Për të shprehur qëndrimin e forcës më të madhe politike në opozitë, doli pas mesdite në një reagim për mediat, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, njëkohësisht anëtar i Asamblesë Kombëtare, Genc Gjoncaj.

"Sot KQZ i vuri vulën një procesi totalisht të deformuar, proces i cili u karakterizua nga standarde të një demokracie të munguar, ku pushteti vendos fituesin pavarësisht vullnetit dhe votës së qytetarit", - vlerësoi Gjoncaj.

"Për fat të keq, - vijoi ai, - ndryshe nga sa mund të shpresohej nga optimistët që besonin se 18 vjet rropatje në labirintet e hileve elektorale, këto zgjedhje do të garantonin standardet qoftë dhe minimale, aq shumë të kërkuara nga qytetari shqiptar, aktorët dhe faktorët lokalë si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, edhe ky proces, rezultoi i deformuar që në nisje, vazhdoi të jetë i tillë në të gjitha hallkat e tij dhe u mbyll njëlloj apo dhe më keq, i deformuar në fund të tij".

Për përfaqësuesin e PS, drejtimi arrogant, provokimi politik i përfaqësuesve të opozitës, vendimmarrja e paorganizuar dhe e kontrolluar politikisht, funksionimi i institucionit pa respektim të rregullave e procedurave normale si dhe mungesa e plotë e transparencës ishin ndër elementët themelorë që përshkruan punën e këtij komisioni në fazën e numërimit dhe të ankimimeve.

"Ky komision pati vendimmarrje të ndryshme për çështje të njëjta gjatë proceseve të numërimit dhe ankimimeve, kjo një karakteristikë e punës së KQZ, vendimmarrje e ndryshuar jo rrallë edhe brenda një seance në funksion të urdhrave politike të përcjella jo rrallë edhe publikisht nga përfaqësuesit e qeverisë", - deklaroi z. Gjoncaj.

Duke dalë në pikën kryesore të qëndrimit, z. Gjoncaj bëri të qartë se Partia Socialiste "nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor, sepse ajo nuk mund të pranojë deformimin e nesërm të të gjithë institucioneve derivuese nga vota e shqiptarëve".

Në vijim, z. Gjoncaj paralajmëroi se "Partia Socialiste ka identifikuar rrugët dhe mjetet politike dhe ligjore, brenda dhe jashtë vendit për të vazhduar këtë betejë, e cila nuk është thjesht beteja e një partie politike të cilës korrupsioni politik qeverisës i ka grabitur votat dhe për më tepër nuk i ka lejuar transparencën e kërkuar për votat e marra nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi, por është një betejë për të vërtetën, një betejë për Shqipërinë evropiane, një betejë për fatet e demokracisë së nesërme në vend".

***

Për PS, i gjithë procesi zgjedhor, i plotësuar dhe me procesin e numërimit dhe ankimimit, nëpërmjet standardit të dyfishtë në gjykim, mposhtjes përpara presionit politik dhe vënies së ligjit në shërbim të politikës së mbrapshtë, prodhoi një rezultat të dyshimtë dhe larg shprehjes së qartë të vullnetit të votuesit shqiptar.

Ndaj përfaqësuesi Gjoncaj theksoi se KQZ u shndërrua në një repart sulmi ndaj të drejtës legjitime dhe kushtetuese të barazisë së votës, numërimit e rinumërimit korrekt të saj dhe transparencës së procesit.

Në këtë pikë, PS konstaton se KQZ certifikoi një proces i cili do të konsiderohet sot dhe nesër i manipuluar dhe që për rrjedhojë, paracënon që në fillim, legjitimitetin e cilitdo institucioni që do të pasqyrojë këtë rezultat dhe moralin e cilitdo institucioni, duke nisur që nga qeveria e nesërme.

Gjoncaj kujtoi edhe faktin se Partia Socialiste ka denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur me fakte dhe argumente tashmë të njohura faktin që ky Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mundi të luante rolin e arbitrit për zgjedhjet e qershorit pasi shumica vendimmarrëse e tij shërbeu si një celulë politike në funksion të Partisë Demokratike.

"Si asnjëherë propozimet konstruktive të opozitës në funksion të përgatitjes dhe organizimit të zgjedhjeve nuk gjetën miratimin nga ky komision në shumicë politike", - theksoi z. Gjoncaj.

Sipas tij, është rast unikal që ditën e zgjedhjeve për më shumë se 10 orë KQZ ndaloi së funksionuari duke e sjellë aktivitetin e tij në kufijtë e pavlefshmërisë juridike siç e përcakton Kodi Zgjedhor dhe të gjitha vendimet e marra gjatë procesit të numërimit në VNV ishin tërësisht në funksion të përpjekjeve për deformimin e rezultatit nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

e.l/NOA -Â

Lexoni më shumë mbi argumentin e ditës:

Përfundon "maratona" e 28 qershorit, shpallen rezultatet zyrtare të procesit zgjedhor

Zyrtarizimi i fitores nga KQZ, PD: Rezultati u shpall për herë të parë 7 me 0

Komentoni edhe ju këtë lajm / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE