English

Dërgimi i faturave të telefonit, debat mes Postës Shqiptare dhe Albtelecom

Tiranë, 11 gusht NOA - Posta Shqiptare, në përpjekje për të rimarrë shërbimin e dërgimit të faturave të telefonisë fikse Albtelecom tek abonentët familjarë dhe të tjerë, tha dje se ka marrë shkas nga reagimet e qytetarëve "të cilët prej 5 muajsh nuk përfitojnë shërbimin e marrjes së faturës së Albtelekomit në banesë".

Zyra për shtyp e institucionit tha se "mosdërgimi i faturës së telefonit në shtëpi ka ardhur si pasojë e shkeljes së njëanshëm të kontratës nga Albtelekom që e ka prishur me Postën Shqiptare".

Ndërkohë, reagimi i Albtelecom ka qenë i menjëhershëm, duke evidentuar se "si pasojë e mosshpërndarjes së rregullt dhe në mënyrë të përsëritur të faturave për abonentët e ALBtelecom nga ana e Posta Shqiptare, Albtelecom ka ndërmarrë shpërndarjen e faturave edhe vetë, duke vendosur në plan të parë interesin e klientëve".

Debati, si nisi

Posta Shqiptare citon se "në komunikimin zyrtar, Albtelekom njofton se: "... për t'iu gjendur sa më pranë pajtimtarëve, Albtelekom sh.a. duke filluar nga data 01.04.2009 do të bëjë të mundur dërgimin e faturave telefonike për pajtimtarët e tij, edhe me resurset e veta".

Për Postën Shqiptare, "një situatë e tillë përbën një realitet anormal për klientët dhe bie në kundërshtim dhe me kushtet e parashkruara në kontratë për këtë shërbim si dhe në kundërshtim me ligjin. Mbi të gjitha, i privohet e drejta qytetarit shqiptar për të pasur paraprakisht faturën e pagesës së telefonisë fikse".

Reagimi i Albtelecom

Për ofrimin e shërbimit të shpërndarjes së faturave, në një kohë sa më të shpejtë dhe sipas standardeve bashkëkohore, kompania tha se ka investuar dhe vazhdon të investojë në këtë drejtim.

Zbatimi i këtij projekti është në fazën e tij të parë, gjë që mund të ketë sjellë vështirësi në shpërndarjen e plotë të faturave për të gjithë abonentët tanë, por në të ardhmen shpërndarja e faturave do të realizohet në masën 100% dhe në kohë reale.

Nga ana tjetër, ALBtelecom lajmëroi se ofron shërbimin e faturës dhe përmes postës elektronike.

Abonentët që për një arsye apo për një tjetër, nuk arrijnë të marrin në kohë shërbimin e faturës, mund ta marrin faturën përmes postës elektronike.

"Duke telefonuar në numrin 123, abonentët e ALBtelecom mund të lidhen me operatorët tanë dhe të regjistrojnë të dhënat e tyre, në mënyrë që shërbimi i faturës t'u ofrohet përmes postës elektronike", - njoftoi kompania.

e.n/NOA

KOMENTE