English

"Pse vija e ujit të kalon te toka ime", masakron fqinjin me sopatë

Gjirokastër, 12 gusht NOA - "Pse vija e ujit të kalon te toka ime", ishte pyetja plot skërmitje dhëmbësh që një 41-vjeçar i bëri të riut fqinjë me të dhe duke e kërcënuar se do të merrte veten më qafë për ca grushte ujë, nuk e bëri fjalën dy, dhe e masakroi 21-vjeçarin me sopatë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Gjirokastrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA se kryen arrestimin e të dyshuarit, Vladimir Muhaj.

I prangosuri 41-vjeçar, lindur dhe banues në fshatin Katundishtë të rrethit Përmet, ishte i dënuar më parë për veprën penale të "Armëmbajtjes pa leje".

Specialistët e Seksionit Kundër Krimit ndaj Personit në policinë e Gjirokastrës thanë se i dyshuari nuk bëri rezistencë gjatë kapjes së tij sot (e Mërkurë), në orën 09.30 pranë banesës së tij.

Ngjarja për të cilën u bë arrestimi i sotëm, ka ndodhur rreth dy javë më parë, më 25 korrik 2009, rreth orës 18.00, kur Vladimir Muhaj, në fshatin Katundishtë ka tentuar të vrasë me mjete të forta (sopatë), 21-vjeçarin E.M, po nga ky fshat.

Vladimir Muhaj, e ka qëlluar me sopatë në kokë 21-vjeçarin E.M, i cili si pasojë e goditjes ka marrë plagë të rënda dhe është transportuar në Spitalin e Përmetit dhe më pas për ndërhyrje më të specializuar është transportuar në spitalin e Gjirokastrës.

Pas ndërhyrjes së specializuar shtetasi i dëmtuar E.M, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimi doli se krimi ndodhi për motive të dobëta. Sherri kishte nisur për një vijë uji që Muhaj ankohej te fqinji "pse e kalon tek territori im".

Pas ngjarjes, më 7 gusht 2009, Gjykata e Rrethit Gjirokastër, me vendim Nr 199, ka vendosur për të, si masë sigurie "Arrest në burg'", për veprën penale të "Vrasjes me dashje mbetur në tentativë".

Forcat e Komisariatit të Policisë Përmet thanë se kryen prangosjen e të kërkuarit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e ftohtë sopatë me të cilën 41-vjeçari akuzohet se ka bërë plagosjen e të riut E.M.

/v.d/e.n/NOA/

KOMENTE