Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Metamorfoza dhe hipokrizia e një njeriu
English

Metamorfoza dhe hipokrizia e një njeriu

Zgjedhjet e fundit ishin thika me dy presa për Doktorin. Një humbje eventuale në këto votime do të sillte jo vetëm pensionin politik, por ndoshta edhe mjaft halle për të dhe të afërmit e tij. Shumëkush mendon sot se Berisha do të bënte gjithçka që të mos humbte. Ndoshta vërtet ai bëri gjithçka, natyrisht brenda "gardhit" që i lejonte situata e re në të cilën u mbajtën zgjedhjet

Nga Skënder Minxhozi

Në njërin nga blogjet e shumta në internet, aty ku demokracia e fjalës dhe e mendimit gjen formën e saj më ekstreme, zinte vend edhe një koment i një të riu që dukej se shkruante nga jashtë vendit. Në pak fjalë, komenti i tij, i cili nuk e fshihte një notë bezdie ndaj sulmeve që historikisht i janë bërë figurës së Sali Berishës, kryesisht nga populli i së majtës, thoshte se sidoqë të vijë puna, cilido që të jetë fundi politik dhe njerëzor i këtij personazhi dominues në 20 vjetët e fundit, Sali Berisha e ka fituar betejën e vet me historinë. Madje, vazhdonte komenti, edhe egërsia me të cilën kundërshtarët e sulmojnë, kthehet në një moment të caktuar në avantazh për politikanin më jetëgjatë dhe më të palëvizshëm të tranzicionit shqiptar.

Kjo është një tezë që ndër vite ka ardhur duke i shtuar përkrahësit e saj. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk është asfare e vështirë të dalësh rrugëve dhe të gjesh njerëz të cilët, ku me dëshirë, ku me një ndjenjë vetëdorëzimi, pranojnë se Berisha "e ka fituar garën". Jo edhe aq garën me Edi Ramën, sesa garën në vetvete, si nocion i mundjes dhe nënshtrimit të kundërshtarëve.

Zgjedhjet e fundit ishin thika me dy presa për Doktorin. Një humbje eventuale në këto votime do të sillte jo vetëm pensionin politik, por ndoshta edhe mjaft halle për të dhe të afërmit e tij. Shumëkush mendon sot se Berisha do të bënte gjithçka që të mos humbte. Ndoshta vërtet ai bëri gjithçka, natyrisht brenda "gardhit" që i lejonte situata e re në të cilën u mbajtën zgjedhjet. Llotaria e votave, në të gjitha kuptimet e mira dhe të këqija të kësaj shprehjeje, e nxorri fitues. Me ndihmën e tjerëve vërtet, por ama fitues.

Berisha bëhet gati të nisë mandatin e tij të dytë qeverisës. Ndoshta jo ashtu siç e kishte parashikuar, duke parë se do t'i duhet paterica e Ilir Metës, por gjithsesi shumë më mirë sesa kalimi në një opozitë që do të hapte brenda PD një numër krizash të ngjashme me ato që kalon sot PS. Ky mandat i dytë, i jep mundësinë njeriut që tashmë ka në CV e tij anëtarësimin në Këshillin e Europës, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe anëtarësimin në NATO, që të synojë heqjen e vizave me vendet e BE dhe më tej edhe hyrjen në Bashkimin Europian. Nëse objektivi i anëtarësimit në BE duket i pamundur gjatë katër vjetëve të ardhshme, ai i liberalizimit të vizave nuk është aspak i tillë dhe me shumë gjasë jep një efekt edhe më të madh pozitiv tek shqiptarët, se vetë hyrja në BE. Kësisoj, njeriu që kujtohej prej kohësh si pjesë e problemit dhe si politikani që së bashku me Fatos Nanon do të hynte në dekadën e dytë të shekullit si një pensionist i thjeshtë, sot gjendet paradoksalisht edhe një herë me duart në pultin e drejtimit të Shqipërisë. Brenda harkut të një dite fatale për opozitën socialiste, më 28 qershor, spektri i hijeve të vjetra të politikës shqiptare është rikthyer më i fortë se kurrë në skenë, duke e shtyrë edhe për shumë kohë çdo projekt të ri politik. Një rrethanë kjo që e bën edhe më therëse humbjen e Edi Ramës në 28 qershor.

Sali Berisha ka kohë që ka ndryshuar. Qimen më shumë se zakonin. Qysh në vitin 2005 ai mundi të hyjë në zyrën e kryeministrit, pas tetë vitesh qëndrimi në opozitë, i kamufluar me lëkurën e qengjit të KOP-it. Një tufë djemsh e vajzash të pajisur me laptop-e dhe plot tabela e grafiqe të koklavitura, ishin makijazhi më i mirë për liderin e vjetër që po kërkonte të hynte në godinën e shtetit prej nga doli në pranverën tragjike të vitit të largët 1997.

Sali Berisha kryeministër mundi kështu ta mbyllë përfundimisht kapitullin e Sali Berishës president. Një metamorfozë e cila gjatë katër vjetëve të fundit ndërtoi pak nga pak mitin e njeriut që kërkonte të fitonte me çdo kusht kohën e humbur, duke investuar në infrastrukturë, shkolla, spitale dhe duke avancuar me axhendën euro-atlantike të vendit. Me fjalë të tjera, një politikan konkret, pozitiv dhe i suksesshëm, që ndërsa kundërshtarët shanin dhe sulmonin, vijonte i qetë të punonte ditën dhe natën. Paçka se shifrat e korrupsionit po e afronin qeverisjen e tij me atë të Nanos, paçka se në Gërdec shpërthente tragjikisht afera e tij e armëve dhe se pesë nga ministrat e tij do të dorëhiqeshin apo i kalonin për hetime drejtësisë gjatë katër vjetëve, për histori të dyshimtë prej disa qindra milion euro. Dukej se kryeministri i vënë përfund në një moment të caktuar nga skandalet, nuk do ta merrte kurrë veten përballë një lideri të ri dhe dinamik si Edi Rama, i cili priste me padurim të merrte në dorëzim çelësat e zyrës së kryeministrit.

E megjithatë nuk ndodhi ashtu. Tymi i Berishës ngjitej i drejtë dhe i patrazuar, kurse ditët e punës mbusheshin me gjithfarë shiritash të prerë nëpër inaugurime të qena dhe të paqena, të përsëritura ose jo nëpër ceremoni zyrtare të pasqyruara deri në mërzi nga mediat pro-qeveritare. Mesazhi ishte i qartë: qentë e opozitës le të lehin, karvani ynë shkon drejt Europës. Shqipëria u vesh në blu, miliona euro u kthyen si me magji në flamuj, banera, postera të të gjitha madhësive, një lum parash vërshoi në spote televizive të cilat u tregonin shqiptarëve sesa rrugë, ura, tunele, shkolla dhe projekte gjigande ishin zbatuar në katër vjet në Shqipëri. Një makineri e përsosur në qëllimin e saj: të turbullonte kujtesën e njerëzve dhe të hipnotizonte ata që mund të kishin ende në mendje imazhet e Gërdecit dhe akuzat korruptive të familjes së kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij. "Kemi vjedhur por edhe kemi punuar", ishte deviza që edhe Berisha, si të tjerë para tij, e përdori pa shumë skrupuj gjatë fushatës elektorale. Qeveria në dietë, qeveria e duarve të pastra dhe të tjera broçkulla si këto, ishin hedhur në koshin e harresës. Në axhendën e ditës kishte vetëm një rresht të shkruar: fitore me çdo kusht e zgjedhjeve. Në një pjesë të konsiderueshme kjo mund të shihet sot, kur votimet janë mbyllur, si një histori suksesi. Të paktën në planin politik dhe elektoral. Me këtë strategji të mbarsur me ura, rrugë, shkolla dhe TEC-e, Sali Berisha mundi të presë shiritin e zgjedhjeve me 70 mandate. Aq sa i duheshin për të joshur LSI dhe për t'i dhënë formë një qeverie të re pas zgjedhjeve, rreth stabilitetit të së cilës ka më shumë se një pikëpyetje.

Berisha mundi të japë idenë se asgjë s'është e humbur në një ambient politik si ai shqiptar dhe në një shoqëri e cila është gati të falë me lehtësi gabimet, gafat apo edhe krimet e një përfaqësuesi të lartë politik. Mjafton të dish të devijosh, të shtiresh dhe të transformohesh për së jashtmi. Pikërisht ajo që Sali Berisha di ta bëjë mesa duket më mirë se gjithë të tjerët në 20 vjetët e fundit.

Megjithatë ka një element, një detaj dhe një simptomë e cila vazhdon ta tradhtojë Sali Berishën e sotëm dhe ta mbajë atë të lidhur fort pas së shkuarës. Është një detaj i cili është në gjendje ta rrëzojë të gjithë ngrehinën e suksesit të këtij njeriu që qëndroi në majë të kalit kur të gjithë të tjerët e kishin lënë vrapin. Ky element ka të bëjë me qëndrimin e Sali Berishës ndaj zgjedhjeve. Një qëndrim i cili, siç u provua në 28 qershor, nuk ndryshoi aspak në thelbin dhe në filozofinë e tij makiaveliste, për të fituar me çdo kusht dhe me çdo mjet, të ligjshëm apo të paligjshëm. Berisha i preku edhe kësaj rradhe zgjedhjet shqiptare. Sado që ai bredh rrugëve të Shqipërisë duke lajmëruar "votimet më të mira që janë mbajtur ndonjëherë në vend", Berisha e ka të pamundur të fshehë ftohtësinë dhe heshtjen me të cilën ndërkombëtarët po shoqërojnë ngjitjen e tij dhe të Ilir Metës në fronin e qeverisjes.

Kauza e rilindur politike e Berishës, Nanos e Metës pas 28 qershorit, po ngrihet mbi zgjedhje të dëmtuara. Jo si më 1996, pasi nuk është koha dhe nevoja për një shpalosje të tillë force e brutaliteti. Një rezultat milimetrik si ky i zgjedhjeve të fundit mund të përmbyset, ashtu siç u përmbys, me pak "rregullime". Kjo rrethanë e helmon qeverisjen e re që po del nga një proces zgjedhor, ku Sali Berisha i transformuar, ia la vendin pa shumë elegancë Saliut të vjetër që fle nën parzmoren me stemën e NATO-s që mban veshur kryeministri i sotëm dhe i nesërm i Shqipërisë.

Marrë nga revista "Mapo"

KOMENTE