English

Të rinjtë e Kosovës, këta pesimistë të rinj

Të rinjtë e Kosovës janë pesimistë. Atyre iu mungon puna dhe duan të studiojnë. Dallimi ndërmjet të rinjve të qyteteve dhe fshatrave është i madh. Këto janë disa prej të dhënave që ka mbledhur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përmes një studimi

Nga Jeton Musliu

Gati çdo i treti person i ri mendon se nuk ia vlen të jetosh në Kosovë, ndërkohë që afërsisht çdo i katërti prej tyre mendon se as nuk ia vlen jeta që bëjnë në këtë vend. Këto rezultate i ka nxjerrë një studim për të rinjtë e Kosovës, i publikuar të mërkurën në Prishtinë nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Hulumtimi i kryer në lidhje me orientimin e të rinjve në jetë, përfshin analizën e të dhënave të nxjerra nga 604 pyetësorë të administruar me të rinjtë e qyteteve të Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Prizrenit dhe Mitrovicës dhe të tetë fokus-grupeve me pjesëmarrjen e 74 të rinjve nga këto qytete. "Marrë në përgjithësi, 1/3 e të rinjve të anketuar janë të pakënaqur", thuhet ndër të tjera në këtë studim, për të cilin organizatorët thanë se përfshin periudhën e muajve qershor-korrik të këtij viti. Sipas të dhënave të këtij studimi, të rinjtë e moshës nga 21 deri në 26 vjeç, janë ata që përbëjnë grupin më të madh të pesimistëve. Ndërkohë, të rinjtë nga qytetet janë më të motivuar edhe nga kushtet ekonomike dhe nga mundësitë që mund t'iu ofrojë jeta në qytet dhe në të njëjtën kohë janë më të interesuar për studime. "Të rinjtë nga fshatrat kanë nivel më të ulët vetëbesimi dhe shfaqen më të pasigurt për të ardhmen e tyre", vëren ky hulumtim, dedikuar për herë të parë vetëm të rinjve. Sa i përket të ardhmes së tyre, studimi saktëson se është vërejtur se një numër i madh i të rinjve bën zgjedhjen e profesionit pa e përshtatur fare atë me aftësitë dhe talentet personale, kurse 62.7 për qind e të anketuarve janë të papunë. Studimi vazhdon të jetë prioriteti kryesor i të rinjve, ndërsa puna vazhdon të jetë qëllimi kryesor i shumë të rinjve në Kosovë. Nga 604 të anketuar, sipas drejtuesve të organizatës, 342 prej tyre janë meshkuj, ndërkaq 258 janë femra. Mosha mesatare e të pyeturve është nga 14 deri 27 vjeç. Sa i përket numrit të fëmijëve në familje, studimi tregon se është vërejtur dallimi i parë. Familjet nga fshati në bazë të raportimit të respodentëve, kanë më shumë fëmijë krahasuar me ato në qytet. Lidhur me vetë edukimin e të anketuarve, 79 respodentë ose 13 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë të kryer vetëm shkollën fillore, 341 ose 56.1 për qind kanë deklaruar të përfunduar shkollën e mesme dhe vetëm 32 ose 5 për qind janë me shkollë të lartë dhe 148 kanë të përfunduar universitetin. Asnjë prej tyre nuk është pa edukim fare. Punësimi del sërish njëri nga problemet bazë të të rinjve kosovarë. Sipas studimit, nga 600 të anketuar, vetëm 159 ose 27.23 për qind e tyre kanë deklaruar se janë të punësuar dhe plot 72.77 për qind nuk kanë një vend pune. "Natyrisht, nga përqindja e përgjithshme, janë përjashtuar të anketuarit nën moshën 18-vjeçare", thuhet më tej në këtë raport. Por edhe ata që kanë një vend pune, duket se nuk janë shumë të kënaqur me atë që bëjnë. Kështu, mbi 30 për qind e tyre që tashmë janë të punësuar, nuk janë të kënaqur me punën që kanë. Sa i përket asaj që të rinjtë duan të bëjnë në këtë situatë, 333 prej të anketuarve apo 54.8 për qind e tyre duan që të studiojnë apo të vazhdojnë studimet. 148 prej tyre, (shumica që kanë përfunduar studimet) duan të punojnë. Ndërkaq, ata që ndihen të lodhur dhe duan të pushojnë, janë vetëm 15 për qind. "Vetëm një respondent deklaron se do të merret me punët e shtëpisë", thuhet ndër të tjera në këtë studim të parin e këtij lloji, i cili është bërë për nevojat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

"Express"

KOMENTE