English

Vrau kolegun dhe dy ushtarë e i hodhi në det, kapet pas 19 vjetësh nënoficeri

Tiranë, 13 gusht NOA - Përfundon në qeli, 19 vjet pasi vrau kolegun e tij dhe dy ushtarë.

Adhurim Sallmone 43-vjeç është ekstraduar sot nga Mynihu i Gjermanisë pasi kërkohej nga drejtësia Shqiptare prej më shumë se 19 vjet.

Sallmone ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 3 gusht të vitit 1994, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të "vrasjes për motive të dobëta, tentativë vrasje, shpërdorimit të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak".

Ngjarja për të cilën u shpall fajtor, Sallmoni ka ndodhur më datë 25 tetor të vitit 1990 kur ai në bashkëpunim me Edmond Gjoka kanë rrëmbyer motoskafin e kufirit në Durrës, dhe kanë realizuar vrasjen e nënoficerit Ilir Gjyrdeti, ushtar Arben Legisi dhe kanë tentuar të vrasin ushtar Ilir Goxhomani.

Adhurim Sallmone ishte 24-vjeç ndërsa ishte me detyre nënoficer në komandon në motoskafin e Repartit të Kufirit të degës së Brendshme Durrës.

Mbrëmjen e 25 tetorit të vitit 1990 Sallmone bashke me kolegun e tij nënoficer Ilir Gjyrdeti i cili ka qenë me detyrë komandant në motoskafin e Repartit te Kufirit te Degës se Brendshme Durrës hipin në skaf dhe dalin për patrullë në bregdetin e zonës së plazhit në Golem në Durrës.

Bashkë me ta në skaf ndodheshin edhe dy ushtarë Arben Legisi dhe Ilir Goxhomani. Në patrullim e sipër, nënoficer Adhurim Sallmone vret me armë zjarri, Ilir Gjyrdetin dhe një nga ushtarët, ndërkohë që ushtari tjetër flinte.

Pasi hedh dy të vrarët në det, drejton skafin drejt Hotel Ilirisë ku e prisnin 6 persona. Pasi i merr këta shtetas në bord, gjatë rrugës ushtari tjetër zgjohet dhe Adhurimi i propozon të shkojë me ta në Itali.

Pasi ushtari nuk e pranon propozimin e bërë, ata e godasin dhe e hedhin në det tek feneri i fundit. Trupi i këtij ushtari është gjetur të nesërmen, ndërsa dy trupat e tjerë pas dy ditësh.

Gjykata e Rrethit Durrës me datë 03.08.1994 vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Adhurim Sallmone.

k.k/NOA - Më shumë foto, tek Galeria

Lexoni reagimet e Interpol mbi Sallmonin: Interpol: Bashkëpunim i suksesshëm mes Shqipërisë dhe Gjermanisë

Komentoni lajmin më poshtë:
KOMENTE