English

Reporterët pa Kufij reagojnë për sulmet ndaj së përditshmes së Prishtinës

Prishtinë, 14 Gusht NOA - Reporterët pa Kufij janë shprehur sot të shqetësuar rreth disa sulmeve që hakerët bënë dy ditë më parë në faqen e internetit të gazetës kosovare "Ekspres".

Sulmet e 11 gushtit bllokuan për disa orë aksesin në këtë faqe. Hakerët e identifikuan veten si "mbrojtës të islamit", por duket se nuk i takojnë ndonjë grupi specifik, thuhet në një komunikatë për media të Reporterëve pa Kufij. "Ne i dënojmë këto sulme që shkelin parimet e shprehjes së lirë dhe mund të ngjallin tensione. Autocenzura dhe përpjekjet për të ndikuar në politikat editoriale janë pothuajse të rëndomta në Kosovë. I kërkojmë autoriteteve, që të ndërmarrin masa për garantimin e lirisë së mediave", thuhet në komunikatën e Reporterëve pa Kufij.

Express raportoi tre ditë më parë se uebsajti i saj ishte bërë objekt i sulmeve të hakerave, të cilët tha se veten e prezantojnë si "mbrojtës të Islamit". "Ky është vetëm një mesazh për këtë gazetë antiislame, që nuk di të ndalur, duke përqeshur fenë e bukur Islame. Feja Islame meriton respekt. Greetings To All Muslims. Proud te be Muslim & Albanian (KosovaR)", thuhet në mesazhin e hakerave anonimë të cituar nga "Express". Në disa prej faqeve te Express Online është paraqitur një flamur me shkronja arabe, ndërsa përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ndonjë grup i veçantë, sikur ndodh zakonisht në këto raste. Këto sulme vijnë pas shkrimeve të gazetës Express për arrestimin e Hysen Sherifit, i akuzuar për terrorizëm në SHBA. Gazeta ka botuar transkripte të bisedave dhe fotografi ekskluzive të siguruara nga Prokuroria e Karolinës Veriore, që dëshmojnë përfshirjen e grupit të dyshuar xhihadist në planifikimin e akteve terroriste. Grupi prej shtatë vetash, ku përfshihet edhe Hysen Sherifi nga Gjilani, sipas FBI-së, planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë.

/a.b/e.l/NOA/

KOMENTE