Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Arben Malaj: Do të kandidoj për kreun e PS-së, po humba nuk largohem
English

Arben Malaj: Do të kandidoj për kreun e PS-së, po humba nuk largohem

INTERVISTA/ Tiranë, 17 Gusht NOA - Me afrimin e datës së mbajtjes se Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së vihet re një lëvizje e shpejtë e bazës e cila më së shumti ka dalë në përkrahje të kryetarit aktual të kësaj partie, Edi Rama, ndërsa rivalët e tij brenda partisë kanë shtuar tonet duke kërkuar largimin nga drejtimi i partisë.

Arben Malaj deputet dhe kandidat i shpallur për kreun e kësaj partie, ka deklaruar në një intervistë sot dhënë BBC-së në Tiranë, se do të jetë deri në fund të garës dhe kontributi i tij do të jetë gjithnjë brenda partisë së tij edhe nëse platforma e tij nuk del fituese.

I pyetur se nëse platforma dhe kandidatura e tij rrëzohet me shumicë votash dhe fitues do të ishte sërish z. Rama, cili do të ishte pozicionimi i tij dhe i mbështetësve në Partinë Socialiste dhe në Kuvendin e Ri, Malaj paralajmëroi se nuk largohet nga PS, u përgjigj:

"Kur pranon të hysh në një garë, sigurisht që pranon të orientohesh nga fitorja, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, kontributi im personal dhe në shenjë të mirënjohjes për mandatet qeveritare dhe politike, që më ka dhënë PS-ja, do të jetë gjithnjë brenda Partisë Socialiste.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

Z. Malaj, tashmë që Kongresi i partisë suaj po afron, cila është esenca e platformës suaj, dhe deri ku është diskutuar ajo?

Bazuar në faktorët që nuk e bënë një fitore të mundshme të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit dhe në atë që PS-ja mbetet në opozitë për dy herë radhazi, përgatitja e një platforme ka qenë pjesë e një procesi ku eksperimenti me një lider me pushtet absolut, që do të merrte përgjegjësitë absolute të humbjes, rezultoi jo i suksesshëm. Thelbi i platformës sime rezulton në disa pika kryesore. E para, brenda Partisë Socialiste të ketë më shumë demokraci të brendshme, të rritet roli i grupit parlamentar të rikthehet pavarësia e forumeve të partisë siç janë Forumi Eurosocialist dhe ai gruas, si dhe të rikthehet sistemi promovues ku karriera politike është e mundshme për këdo dhe të vlerësohet për shkak të vlerave dhe jo preferencave individuale. Për platformën është punuar gjatë, është diskutuar më kolegë, që kanë pasur karrierë të gjatë në politikë dhe në drejtimin e partisë, qeverisjes vendore apo dhe në parlament.

Përveç jush edhe deputeti Ben Blushi me një grup përkrahësish të tij po kërkon ndryshime. Ju veproni veç e veç apo i keni koordinuar veprimet?

Arben Malaj: Grupi që nënshkroi rezolutën për ndryshime në Asamblenë Kombëtare për ndryshime në statut përbëhet nga kolegë të përbashkët me të cilët në ndajmë mendime, bashkëbisedojmë, mundohemi të kuptojmë më mirë atë që PS-ja e ka të domosdoshme për të rigjetur vetveten. Nuk ka një garë individuale, por ka një angazhim edhe të përbashkët edhe individual, për të evidentuar gjithçka që është e nevojshme në këtë situatë ku është PS-ja.

Deri më sot, kryetari aktual i partisë Edi Rama, nuk ju ka zënë, ju rivalëve, në gojë dhe pas shumë kohe, tashmë ka pranuar se do të jetë në kandidimin për kryetar të partisë. Si e shpjegoni këtë heshtje të gjatë të Ramës?

Nuk do të paragjykoja pse Rama ka zgjedhur një rrugë të tillë. Jam shprehur publikisht kundër asaj që po ndodhë në PS, pas zgjedhjeve. Shumë nga kolegët që e mbytën oponencën brenda PS-së, siç ishte Grupi Parlamentar, Kryesia, apo Asambleja Kombëtare, sot janë flamurtarë për të mbështetur deklarimet që vijnë nga rrethe të ndryshme në favor të Ramës. Unë besoj se PS-së, si parti moderne, nuk i hyjnë në punë deklaratat revolucionare të viteve 80-të. Zakonisht, deklaratat për liderin dhe partinë bëhen kur ata kanë përballë një armik. Gara në PS, por dhe në ballafaqimin me shumicën, nuk ka trajtat e një lufte midis palëve. Unë mendoj se Rama, ngaqë i është ndërprerë mandati, ndoshta ka respektuar një heshtje. Ndërsa ajo që po ndodhë me strukturat e partisë, disa mbështetës të tij, për të keqpërdoruar influencat e tyre dhe kjo është shumë e rëndë, për një solidaritet të sëmurë. Në fakt, PS-ja ka nevojë të shërohet dhe jo të ndjehet e dobësuar nga një garë që e humbet për herë të dytë.

Tashmë edhe kryetari aktual Edi Rama ,ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar. Ai hyn në garë duke qenë me avantazhet që të jep një post i tillë, ndërsa ju si një kandidat dhe deputet. Do ta vazhdoni garën deri në fund apo ekziston mundësia e tërheqjes suaj në një moment, kur gjykoni se gara është e pabarabartë?

Unë besoj që debati që bëhet për rikandidimin e Ramës, nuk është debat kundër Ramës, për t'i mohuar atij kontributet që ka sjellë në mandatet si kryetar bashkie apo si kryetar i PS-së. Debati për moskandidimin e Ramës ka të bëjë me kredibilitetin e një lideri të partisë. Askush nuk mund të thotë sot se nëse Rama e shkarravit filozofinë e përgjegjësisë së humbjes, të cilën e përdori si kusht për të patur pushtet absolut, atëherë kredibiliteti i tij do të jetë i cënuar. Një lider me këtë kredibilitet të cënuar e bën të vështirë fitoren e partisë socialiste, qoftë në garën për pushtetin vendor, qoftë për zgjedhjet parlamentare. Lidhur me kandidimin tim, unë kam ofruar mundësinë që në këtë situatë të vështirë, ashtu si kolegë të tjerë, nëpërmjet një gare, e cila në thelb nuk është një luftë, por është një konkurrencë vizioni e përgjegjësie sidomos në momentin ku ndodhet PS-ja dhe e majta shqiptare. Nëse do të ndalet ky abuzim që disa struktura të PS-së bëjnë për një solidaritet fals, i cili e dëmton Ramën dhe PS-në, dhe nuk e forcon atë. Në qoftë se gara do të jetë e bazuar në një garë reale dhe jo në një kepërdorim të strukturave të Partisë Socialiste, sigurisht që unë besoj se do jemi në garë, për të ofruar diçka të re. Unë garën time e mbështes në tre elementë të rëndësishëm. Në përkushtimin për një punë pa kufi për t'i kthyer PS-së gjithë energjinë në këtë ballafaqim politik. E dyta, në institucionin e mirënjohjes për çdo socialist dhe çdo mbështetës dhe e treta në fleksibilitetin që duhet të kemi përballë koalicioneve dhe kompromiseve dhe aleancave të domosdoshme, që Partia Socialiste të fillojë dhe të zgjerohet në mbështetjen e saj publike si parakusht për të qenë fituese në zgjedhjet e ardhshme.

Nëse në fund platforma juaj dhe kandidatura juaj rrëzohet me shumicë votash dhe fitues do jetë sërish z. Rama, cili do të jetë pozicionimi juaj dhe i mbështetësve tuaj në Partinë Socialiste dhe në Kuvendin e Ri?

Konkurrimi për kryetar do të jetë një "anëtar - një votë", kemi marrë modelin e laburistëve. Ky votim nuk duhet bërë në emergjencë, kjo do të cënonte rëndë procesin zgjedhor dhe standardet në një forcë politike, kjo do të dëmtonte rëndë oponencën që bën PS-ja për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Kur pranon të hysh në një garë, sigurisht që pranon të orientohesh nga fitorja, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, kontributi im personal dhe në shenjë të mirënjohjes për mandatet qeveritare dhe politike, që më ka dhënë PS-ja, do të jetë gjithnjë brenda Partisë Socialiste. PS-ja nuk mund të përfshihet sërish në grindje, ndarje dhe riorganizime. Ne jemi shumë për një fitore të ardhshme dhe shumë pak për një ndarje ndërmjet njëri-tjetrit.

KOMENTE