English

Arrestohet i dyshuari i ekzekutimit të Topallit në Krujë

Krujë, 17 Gusht NOA - Është arrestuar para pak minutash, i dyshuari i vetëm i vrasjes mbrëmë të Maliq Topallit nga Nikla e Krujës, konfirmon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA që citon drejtorinë e Policisë Durrës.

"Rreth orës 13.50 u bë arrestimi i 32-vjeçarit Lulëzim Islam Xhixha (Mesi) lindur dhe banues në Nikël Krujë i dyshuar për vrasjen e Maliq Topallit si dhe u bë bllokimi i armës së krimit automatik Model 56", konfirmoi për agjencinë NOA, Drejtori i Policisë së Qarkut Drejtues Ilia Nasi.

Vrasja për të cilën akuzohet 32-vjeçari, u zbulua mbrëmë rreth orës 18.30 në fshatin Çerekë komuna Nikël Krujë. Maliq Topalli nga Çereka e Niklës u gjet i vdekur në Breg Lumi i ekzekutuar me armë zjarri.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistë të hetimit të krimit, si autor i mundshëm i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Lulzim Xhixha (Mesi).

Motivi i kësaj ngjarjeje mendohet të jetë një hakmarrje pasi më datë 18 shkurt 2008 Dritan Topalli, djali i viktimës Maliq Topalli, ka vrarë me mjete të forta Vaid Xhixhën, vëllai e Lulzimit. Aktualisht Dritan Topalli vuan dënimin në burg për veprën penale të "Vrasjes".

Specialistët e Hetimit të Krimit thanë mesditën e sotme se dokumentuan me bazë ligjore, ngjarjen e ndodhur dhe për të dyshuarin, materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale të "Vrasje me paramendim".

/v.m/e.l/NOA/

KOMENTE