Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Farsa
English

Farsa

Albin Kurti ka të drejtë kur insiston se duhet të kthehemi të termini i vjetër fuqitë e mëdha, në vend të "bashkësisë ndërkombëtare" si sunduese e Kosovës, pasi që ky emërtim i dytë edhe krijon konfuzionin interpretues se cila është instanca sovrane që sundon dhe përcakton ardhmërinë e Kosovës

Nga Shkëlzen Maliqi

A janë zgjedhjet e Serbisë në "komunat" e Prishtinës dhe Pejës, përkatësisht në Graçanicë dhe Gorazhdevc, demonstrim i fuqisë së Beogradit, apo vetëm një lloj farse politike, që dëshmon të kundërtën, dorëzimin e ngadalshëm të Serbisë para realitetit? Sa i përket atyre që mendojnë se mbajtja e zgjedhjeve të djeshme është përqeshje e "sovranitetit" edhe ashtu karikaturial të Kosovës, nuk ka më aspak dyshim se "pavarësia e rrejshme" e Kosovës po katandiset dhe tregohet si një blof kolosal. Sipas këtij mendimi, të gjithë faktorët punojnë për interesat territoriale, politike dhe ekonomike të Serbisë dhe të serbëve, ndërkaq që vetëm Qeveria totalisht naive dhe e paaftë e Kosovës beson se proceset po zhvillohen në favor të Kosovës. Këta zëra kritikë thonë se kasta sunduese mbase edhe përfiton nga poltronizmi, pragmatizmi dhe dëgjueshmëria që tregojnë ndaj "faktorëve ndërkombëtarë", ndërkaq që Kosova dhe kombi shqiptar nuk përfitojnë asgjë, vetëm dëmtohen dhe poshtërohen edhe më shumë, duke u mbërthyer në një "skllavëri të re". Por, kur shikohen shifrat, përmbajtja dhe pasojat e vërteta të zgjedhjeve të djeshme, mund të krijohet edhe përshtypja e kundërt se këto zgjedhje, në të cilat pjesëmarrja ishte shumë e ultë, disa qindra votues prej mbi 30 mijë sa figurojnë në listat zgjedhore serbe, është më parë akt parapërgatitor për pajtimin e heshtur të Serbisë me Planin e Ahtisaarit, që në instancën e fundit do të sjellë deri te integrimi i enklavave serbe në sistemin e Republikës së pavarur të Kosovës. Në këto dy "komuna" ose enklava serbe, të kontrolluara nga Beogradi, deri në prill pushteti paralel lokal ka qenë në duart e Partisë Radikale të Sheshelit, përkatësisht të Partisë Demokratike të Serbisë të ish kryeministrit Koshtunica, të cilat në Serbi janë opozitë. Beogradi zyrtar e kishte abroguar pushtetin në këto dy komuna për të instaluar udhëheqësit më të dëgjueshëm. Zgjedhjet e djeshme, me gjasë, u organizuan që të "legalizohen" përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që janë lojalë ndaj pushtetit aktual në Serbi dhe nuk do të bëhen pengesë në rrugën e integrimeve të Serbisë në Bashkimin Evropian. Çmimi që Serbia duhet të paguajë për marrëveshjen e plotë me Brukselin është njohja e plotë e EULEX-it dhe kooperimi më misionin e BE-së në mandatin që është përcaktuar me Planin e Ahtisaarit, që praktikisht do të thotë pajtimi i heshtur me pavarësinë e Kosovës. Cila prej këtyre interpretimeve është e drejtë dhe më afër të vërtetës? Dhe a ka ndonjë interpretim të tretë, të ndërmjetëm, më realist dhe më të saktë? Në një formë tjetër, kjo dilemë mund të shtrohet në trajtën e pyetjes së kush është përfitues më i madh nga gjendja dhe statusi aktual i Kosovës dhe proceset që po zhvillohen. A është përfituese e vetme Serbia, siç pohon p.sh. Albin Kurti, apo në instancën e fundit rrjedhat aktuale çojnë, duke përfshirë edhe zgjedhjet e djeshme, drejt integrimit të pakicës serbe dhe finalizimit të pavarësisë së tashme të cunguar? Pikëpamja dhe interesi i tretë ekziston dhe do të duhej të ishte e vërteta më e dukshme dhe më imponuese e procesit. Kjo është pikëpamja e faktorit ndërkombëtar, i cili si forca intervenuese, ende e ka në dorë instancën e sovranit vendimmarrës për Kosovën. Kjo mund të përkthehet në figurat kompetitive të garës së "sovranitetit" vetëm pretendues të Serbisë (në letër dhe jo faktik, në praktikë i kufizuar vetëm në kontrollin obstruktiv të pakicës serbe në Kosovë) me sovranitetin e cunguar të Republikës së Kosovës, e cila ende nuk ka siguruar njohjen e plotë ndërkombëtare, dhe ku sovrani dhe arbitri i vërtetë paraqitet në disa trajta të organizmave ndërkombëtarë që quhen UNMIK (si një administrator në shuarje e sipër, tani vetëm hije "juridike"), EULEX (e programuar për kontrolluese të pavarësisë me disa ingerenca sovrane, por që erdhi pa konsensus në Kosovë me dy fytyra, ku njëra, ajo e "neutralitetit ndaj statusit" shikon nga Beogradi, kurse ajo e "gardianit të pavarësisë", nga Prishtina), ose Grupi i Kontaktit (që në të vërtetë është sovrani i fundit vendimmarrës, por prej kohësh jo edhe aq unik). Albin Kurti ka të drejtë kur insiston se duhet të kthehemi të termini i vjetër fuqitë e mëdha, në vend të "bashkësisë ndërkombëtare" si sunduese e Kosovës, pasi që ky emërtim i dytë edhe krijon konfuzionin interpretues se cila është instanca sovrane që sundon dhe përcakton ardhmërinë e Kosovës. Te fuqitë e mëdha edhe duhet të gjejmë çelësin interpretues të farsës së zgjedhjeve në Graçanicë dhe Gorazhdevc, ose edhe farsat tjera e qëndrimit hipokrit të faktorëve tjerë veprues si EULEX-i, Beogradi, Prishtina, madje edhe KFOR-i ose NATO. Fuqitë e mëdha (SHBA, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia) e kanë vendosur realitetin çfarë e kemi në Kosovë që nga vitit 1999, dhe raportet e tyre, pajtimet dhe mospajtimet, hezitimet, pasqyrohen gjithandej dhe në mënyrë përcaktuese. 10 vjet pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, jam i bindur se frenimi i zgjidhjes më të shpejtë të çështje së Kosovës kushtëzohet nga pjesa sekrete e marrëveshjes të superfuqive, para së gjithash të SHBA-ve dhe Rusisë, që intervenimi i NATO-s të përfundojë me instalimin e UNMIK-ut dhe krijimin e një ndarje etnike të Kosovës me enklava serbe dhe një zonë të lirë për serbët në veri të Kosovës, përtej lumit Ibër. Këto kanë qenë dy kushtet e Millosheviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, dhe që nga kjo marrëveshje sekrete e Moskës, që UNMIK-u dhe KFOR-i vetëm e kanë zbatuar, të gjitha gjërat që kanë lidhje me sovranitetin, edhe duken se janë me dy apo më shumë fytyra, tragjikomike dhe karikaturiale, sepse pasqyrojnë një kompromis bazë të vitit 1999. Nuk ka asgjë më të lehtë se të bëhesh "radikal" në kritikën dhe përqeshjen e protagonistëve të lojës, duke parë vetëm aspektet e pretendimeve dhe interpretimeve të njëanshme, të Boris Tadiqit, apo të Hashim Thaçit. Në situatat e këtilla të hipokrizisë, me protagonistë gënjeshtarë dhe karikatura, e vërteta zbulohet vetëm në fund, vetëm kur procesi të përfundojë me vendimin e sovranit të vërtetë. Gjatë vetë procesit, ndodhitë dhe reagimet janë shpesh vetëm si turbullime të sipërfaqes së ujit në një gotë që disa e shohin si gjysmë të zbrazët apo në zbrazje e sipër ("Sovraniteti i Kosovës është i rremë dhe po tretet gjithnjë e më shumë!") apo gjysmë të mbushur apo në mbushje e sipër ("Proceset çojnë drejtë sovranitetit të plotë të Kosovës"). Për vete, unë besoj se drejtimi i procesit është OK, por vetëm dreqi di kur do të na mbushet kupa e sovranitetit dhe çfarë karikaturash autoktone do të zbulojmë në këtë kupë.

KOMENTE