English

Drejtuesit e 4 feve zyrtare, letër Berishës: Hiq dorë nga ligji për martesat gay

Tiranë, 19 Gusht NOA Update - Projekti për martesat brenda gjinisë ka sjellë një reagim për herë të parë të përbashkët, nga të gjitha komunitetet fetare në vend.

Ajo është nënshkruar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) përmes Këshillit të Presidencës në të cilin bëjnë pjesë krerët e katër Komuniteteve Fetare Tradicionale në Shqipëri dhe nesër (të enjten më 20 Gusht 2009), do t'i dorëzohet zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha.

Por letra i drejtohet njëkohësisht popullit shqiptar, ndaj agjencia NOA pa të arsyeshme ta publikojë këtë letër sot në avancë për të njohur qytetarët me qëndrimin zyrtar të komuniteteve fetare në vend.

Nënshkruesit e letrës, janë Haxhi Selim Muça (Kryetar i Komunitetit Musliman), Anastas Janullatos (Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë), Rrok Mirdita (Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare) dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi (Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane).

"Jemi në kundërshtim të plotë me iniciativën e qeverisë për hartimin e ligjit për njohjen e martesave homoseksuale në Republikën e Shqipërisë dhe shprehim me indinjatë shqetësimin tonë për rrezikun që i kanos ky ligj shoqërisë shqiptare", nis letra e KNFSH.

Kurse kujton faktin se "kombi ynë ka respektuar bërthamën e shoqërisë; familjen. Pavarësisht vështirësive të shumta që po kalon ajo në këto vite tranzicioni dhe ndryshimesh të mëdha social-ekonomike, familja shqiptare ka ditur ta ruajë karakterin e saj të shenjtë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbrojtje të identitetit, dinjitetit dhe mirëqenies kombëtare".

Iniciativën për martesat gay, drejtuesit e komuniteteve fetare thonë se "e vlerësojmë si sulm për dobësimin e familjes natyrale midis një mashkulli dhe një femre, e cila është dhuratë e Zotit dhe përbën bërthamën më të fortë të shoqërisë shqiptare".

Politika formon struktura dhe institucione, ndërsa besimi formon zemrat dhe moralin shpirtëror të kombit, vijon letra.

Ndaj vijon apeli: "Njëzëri, shprehim vullnetin tonë të përbashkët në mbrojtje të familjes, të ardhmes së fëmijëve tanë dhe vlerave të saj, ashtu siç na mëson feja dhe të parët tanë, dhe bëjmë thirrje për heqje dorë nga miratimi i këtij projekt-ligji".

Në këtë pikë, vjen si mbyllje e letrës, edhe këshilla ndaj Berishës, e krerëve të komuniteteve: "Ne duhet të bëjmë atë çka është e drejtë, jo për sytë e botës "moderne", por përpara Perëndisë, dhe vetëm atëherë mund të presim që Ai t'i dëgjojë lutjet tona dhe të na bekojë në rrugën e përparimit e zhvillimit të vërtetë".

/a.k/e.n/NOA/

Lexoni më shumë mbi këtë argument:

Martesat gay, Kisha Orthodokse: I lutemi Perëndisë të ndriçojë mendjet e deputetëve

Berisha pro martesave gay, flasin OJF-të: Nuk i kemi kërkuar, s'i kemi as në draft

Ligji "Berisha" për martesat gay, bën xhiron e mediave nëpër botë

Martesat gay, si Kodi i Familjes ndalon ligjin e prezantuar nga Berisha

Komentoni zhvillimet mbi "martesat gay"
KOMENTE