English

Frika nga e majta

Mospozicionimi i PS-së majtas bën që kryeministri i djathtë të arrijë deri aty sa të kritikojë borgjezinë e re, flet për mbrojtjen e shtresës së "shërbëtorëve", propozon ligj për martesat e homoseksualëve - që është ligj i majtë, propozon uljen e tarifës së doktoraturës, etj.

Nga Ermira Danaj

Ditët e fundit është shkruar e folur shumë mbi Partinë Socialiste, në formë platformash, në formë analize të asaj çfarë ndodhi, çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të ndodhë në PS. Disa kërkojnë ikjen e Ramës për shkak të statutit dhe të humbjes së zgjedhjeve. Disa analizën e humbjes së PS-së, dhe sidomos diskutimin mbi kthimin tek e majta e trajtojnë si sulm personal ndaj Ramës. Disa madje thonë që nuk duhet folur jashtë hapësirës së PS-së, por vetëm brenda sepse kështu përfitoka Berisha Për sa kohë debati do të mbetet vetëm në nivel emër kryetari, patjetër që Berisha mund edhe të përfitojë, sepse çdo luftë individuale brenda PS-së dhe çdo mungesë analize e thellë i intereson kundërshtarit. Por më shqetësuese është logjika e mbrojtjes së konceptit përtej të majtës e të djathtës (në fakt pa e njohur atë), duke u larguar me frikë nga e majta, duke e quajtur të majtën dështim. Ky mentalitet synon ta pozicionojë Partinë Socialiste asgjëkund. Ndërkaq, Partia Socialiste është shumë më tepër se kaq dhe debati për identitetin e saj është thelbi i debatit aktual. Debati për identitetin e saj është pikërisht ai që ka munguar dhe që aq shumë i nevojitet Partisë Socialiste sepse është partia më e madhe në Shqipëri, më saktë ka qenë dhe është partia më e madhe, duke u identifikuar si parti e majtë. Ndërkohë që fatkeqësisht udhëheqja e PS-së herë pas here ka bërë ndonjë devijim duke përfituar edhe nga çudirat dhe përçudnimet e ambientit politik shqiptar ku shpesh herë ndarja midis të majtës dhe të djathtës nuk është e qartë. Por ky ambient politik nuk mund të shërbejë si justifikim për të thënë që këtu s'ka të djathtë ndaj le të mos ketë as të majtë. Sepse pikërisht ky mospozicionim i PS-së majtas bën që kryeministri i djathtë të arrijë deri aty sa të kritikojë borgjezinë e re, flet për mbrojtjen e shtresës së "shërbëtorëve", propozon ligj për martesat e homoseksualëve - që është ligj i majtë, propozon uljen e tarifës së doktoraturës, etj. Po pse të mos propozojë Berisha politika arnuese të majta dhe të mos shitet si "babaxhan" për shtresat e varfra në Shqipëri, kur ne socialistët ia lëmë bosh këtë terren dhe nuk e themi me gojën plot se ne jemi parti e majtë. Dhe parti e majtë sot do të thotë të kesh në fokus shtresat e varfra. Parti e majtë moderne sot do të thotë të kesh në fokus shtresën e mesme që sot është po aq e pambrojtur sa dhe ato të varfra. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për t'u kuptuar si një e majtë e re që duhet të jetë PS, sepse sot nuk flitet më vetëm për klasë punëtore dhe të pasur, por në fokusin e një partie të majtë moderne sot është edhe shtresa e mesme, të cilën qeveria e djathtë shqiptare e merr në konsideratë ndonjëherë me ndonjë politikë arnë. Një parti e majtë moderne sot flet qartë për politikat që do ndjekë, si do e rrisë mirëqenien e qytetarëve, cilat politika të djathta do kritikojë, çfarë do bëjë me taksën e sheshtë, çfarë pozicioni ka për taksën progresive, si do e luftojë informalitetin, çfarë politikash zhvillimi ka për zonat e zbrazura nga migracioni i brendshëm dhe a do lejojë që integrimi i zonave informale të mbetet akoma vetëm një koncept infrastrukturor sikundër ka ndodhur deri tani, duke sjellë për pasojë që shtresat më të varfra të votojnë për një parti të djathtë? Është e kuptueshme që një shtet social si ai i pasluftës së Dytë Botërore nuk është më i përshtatshëm për shkak të zhvillimeve ekonomike dhe sociale. Por kjo s'do të thotë së ne nuk mund të realizojmë një Kontratë Sociale, një Shqipëri të re sociale, nuk do të thotë që një parti e majtë të bëhet e djathtë dhe të ngrejë duart lart e dorëzuar duke thënë se socializmi dështoi, e majta dështoi, po shkojmë në një rrugë tjetër e cila të çon asgjëkundi. Shumica e popullit shqiptar është e majtë dhe nuk ka si të jetë e djathtë për shkak të varfërisë, të vështirësive ekonomike dhe sociale, por mesa duket u bënë dy palë zgjedhje që shqiptarët nuk e kuptojnë se cila parti është e majtë dhe cila është e djathtë, që fermeri shqiptar i varfër dhe i pambrojtur nuk e gjen veten te Partia Socialiste, por çuditërisht ia jep votën një partie të djathtë, etj. Dhe këto përçudnime strukturore të votës meritojnë një analizë shumë më të thellë se sa një debat pro X apo kundër Y në të cilin duket sikur ka rënë PS-ja prej disa vitesh. Një analizë e tillë i mungoi edhe në zgjedhjet e 2005, ku udhëheqja e PS-së thoshte se ishte e majtë, por nuk praktikonte më politika të majta përderisa shpërblimin qesharak të fundvitit për pensionistët e quante "shprehje të shtetit social shqiptar". Qeverisë së djathtë të Berishës me sa duket nuk iu desh shumë punë për të qeverisur as majtas as djathtas. I mjaftoi të ndiqte ca politika që kish ndjekur PS-ja gjatë qeverisjes së vet vitet e fundit, gjë që e kish bërë për shkak se kish frikë nga e majta, për shkak të interesave të vogla ose për shkak të një kompleksi të tmerrshëm që vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite në PS, shkëputja nga e kaluara. Dhe pikërisht për këto arsye, për faktin se PS-ja humbi në 2005 sepse nuk kishte ofruar një qeverisje të majtë, për faktin që në 2007 PS nuk mori votën në fshat, etj., PS-së i duhej të bënte një analizë shumë të thellë të identitetit politik, të ndërtonte fabrikën e mendimit politik sikundër e bëjnë të gjitha partitë moderne të majta, përpjekje të gjitha këto të nisura nga Edi Rama dhe PS-ja në 2007, por të lëna në rrugë ndoshta sepse kushtonin në reformim (dhe kur them reformim e kam fjalën për reformim mendimi dhe jo ndërrim njerëzish siç u veprua nga udhëheqja e Partisë Socialiste). Ka një shprehje të Edi Ramës: "Përtej të majtës dhe të djathtës është Shqipëria". Dhe kjo është e vërtetë. Dhe pikërisht unë kështu e konceptoj idenë "përtej të majtës dhe të djathtës", si një shprehje vullneti dhe jo si një ideologji politike. Si një shprehje vullneti që konsideron se hallet e shqiptarëve janë njëlloj, por zgjidhjet janë të ndryshme dhe Partia Socialiste ofron zgjidhje të majta. Shqipëria dhe shqiptarët janë qëllimi për çdo parti, e cila kërkon të vijë në pushtet e të qeverisë, por rruga është e ndryshme dhe rruga e Partisë Socialiste duhet të jetë ajo e majtë. Pra, nuk mund të ngatërrojmë shprehjen e vizionit dhe vullnetit për ndryshim me ideologjinë dhe pozicionimin politik të partisë. Ndërkohë, duket sikur për disa "përtej të majtës e të djathtës" u katandis në një koncept të tipit pak majtas pak djathtas, ashtu si në fakt kishte bërë disa herë qeveria socialiste, e sikundër bën edhe qeveria e PD-së, pra një program me arna të majta e të djathta. Por, ndërkohë ishte pikërisht prej këtij koncepti qeverisjeje që PS-ja e vitit 2009 duhet të shkëputej, e mesa duket nuk ia dolëm dot. Dhe për këtë arsye nuk mundet që dikush në PS apo jashtë saj të merret vetëm me emra kryetarësh apo kandidatësh, por me thelbin dhe identitetin. Këtu bëhet fjalë për të diskutuar nëse PS-ja do të jetë një parti e majtë. Bëhet fjalë që a do të përfaqësojë ato shtresa të shoqërisë që kanë nevojë për një politikë të majtë, e cila ka në fokus rritjen e mirëqenies dhe jo thjesht zbutjen e varfërisë? Bëhet fjalë se a do të mbledhë rreth vetes studiues, mendimtarë dhe aktivistë të majtë, apo do të jetë partia e të gjithëve dhe askujt? Pra partia e atyre që s'dinë se ç'janë, por vijnë ta provojnë njëherë se mos iu ecën në Partinë Socialiste. E majta moderne është vlerë e Shqipërisë pluraliste dhe Partia Socialiste lindi si parti e së majtës moderne. Frika ndaj saj është frikë ndaj progresit. Prandaj në emër të tij, Partia Socialiste duhet të mbetet e majtë dhe të shndërrohet në të majtë moderne.

(*) Autorja është koordinatore e Forumit të Grave Socialiste

KOMENTE