Lajme > Lajme Ditore > Korrik - Shtator 2009 > Lajmet e datës 18 Gusht 2009
 

Kryetari i Këshillit Bashkiak Tepelenë kapet me 50 kg marijuanë

Kakavijë, 19 gusht NOA Update - Kapet në flagrancë me 50 kg marijuanë, gjatë një aksioni të policisë në pikën kufitare të Kakavijës, kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës, 49-vjeçari Petrit Abedini, i kandiduar nga PSV 91.

Arrestimi i biznesmenit të njohur të miellit i cili dispononte në qytetin e tij disa magazina me shumicë, u bë në sajë të një investigimi dy mujor të agjentëve të sektorit kundër krimit të organizuar në policinë e qarkut të Gjirokastrës, thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare policore.

Kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës, po tentonte të kalonte sasinë e madhe të drogës në shtetin grek, ndërsa kamioni që ai drejtonte tip MAN me targa TP 27 98 dhe trajleri i tij me targa 28 08 iu nënshtruan një kontrolli blic të policisë së qarkut.

Brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë, ku secila pako peshonte nga një kilogramë deri në një kilogramë e gjysëm .

Operacioni i quajtur "Pritja" është finalizuar rreth orës 14,30 në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar në Kakavijë.

Biznesmeni kishte ngarkuar në trajler dhe një kontenier bosh me qëllim maskimin e lëndës narkotike dhe lëvizte nga Tepelena për në Athinë, duke përfituar edhe nga fluksi i madh i emigrantëve.

kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës u arrestua, kurse lënda narkotike, kamioni, materialet në ngarkim të tij, u transportuan për në Tiranë, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të kryer atje, veprimet e mëtejshme, njoftoi policia e Gjirokastrës.

/v.d/m.i/NOA/

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.