English

Olta Boka padit izraelitin Boaz Mauda: Më ke vjedhur këngën

Tiranë, 18 Gusht NOA - Ajo që ishte kënga më e mirë e muzikës shqiptare për vitin 2008, "Zemrën e lamë peng", është bërë dhe ndër më të pëlqyerat në Izrael, por me një ndryshim, duke u vjedhur kryekëput.

Olta Boka, këngëtarja që shprehe e indinjuar për faktin, së bashku me të atin dhe menaxherin e saj, Reshit Boka, duket se kanë vendosur të mos e lënë me kaq këtë vjedhje.

Ata pohojnë se tani, për çudi të të gjithëve, këngën "Zemrën e lamë peng", të Olta Bokës, mund ta dëgjoni dhe në gjuhën hebraishte, nga këngëtari izraelit Boaz Mauda.

Olta, e cila me këtë këngë u prezantua me dinjitet në Festivalin Evropian të Këngës pasi fitoi Festivalin e Këngës në RTVSH në fund të vitit 2007, akuzon izraelitin se nuk ka respektuar të drejtën e autorit. Kënga është përfshirë në albumin e izraelitit dhe është një nga këngët kryesore të kësaj përmbledhjeje muzikore.

Në këto kushte, Olta Boka dhe i ati e menaxheri i saj, Reshit Boka, ngrenë shqetësimin se është kryer një vepër penale.

Ata premtojnë se do t'i shkojnë deri në fund kësaj historie për të pasur të drejtën e tyre dhe për të dhënë një mësim të mirë ndaj hajdutëve nëpër botë.

Vetë Olta duket se ia ka lënë të atit të merret me këtë punë ndaj thotë se nuk do të përballet me izraelitin që i vodhi këngën:

"Unë jam e shqetësuar për këtë vjedhje, personalisht nuk do të merrem me këtë gjë, por do të ketë një komunikim indirekt me personin që shkeli të drejtën e autorit".

Olta pohon edhe faktin se në Eurovizion 2008 e ka takuar izraelitin: "Boaz Mauda ka qenë përfaqësues i Izraelit në Eurosong 2008, vit kur merrja pjesë dhe unë. Gjatë Atje jam takuar me të, por kemi pasur vetëm marrëdhëniet formale që kishim me shumicën e konkurrentëve pjesëmarrës", thotë Olta, duke shtuar se "dëmshpërblimi nga izraeliti, është gjëja e fundit që më shkon ndër mend". /a.k/e.n/NOA/

KOMENTE