Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Faktori Berisha
English

Faktori Berisha

Një Kosovë që ende ka telashe me njohje, me anëtarësim në OKB dhe me tërësinë territoriale, nuk ka se si të jetë vend i përshtatshëm për diskutime dhe polemika ideologjike mbi të djathtën e të majtën, mbi sistemin dhe nivelin e taksave ose të politikave sociale

Nga Mufail Limani

"Ne kemi një projekt dhe ky projekt është që t'i bëjmë shqiptarët ta ndjejnë bashkimin në çdo gjë". "Rotacionet e pushtetit nuk mund të rrezikojnë këtë projekt në të cilin shqiptarët kanë shumë punë për të bërë. Mendoj se janë fare primitive interpretimet jashtë këtij konteksti". Ky është Sali Berisha. Ikona e fundit e politikës shqiptare. E vetmja figurë e gjallë politike, emri i të cilit e ka të garantuar historinë. Por, për disa, si socialistët e Fatos Nanos dikur e të Edi Ramës tash, ai është personifikim i demonit historik, burimi i të gjitha të këqijave. Për të tjerët, ai është Profeti. Ai që e mori Shqipërinë nga trashëgimtarët e stalinistit Enver Hoxha dhe e dërgoi në NATO, ndërkohë që tash po bën hapat e fundit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe në Kosovë, Sali Berisha ka një fuqi ikonike. Dikur, ai ishte binjaku tiranas i Ibrahim Rugovës sonë. Një hero i madh! Pastaj, me kalimin e kohës (pra, me acarimin enigmatik të Rugovës me gjithë politikën tiranase), edhe ai u bë pak i dyshimtë. Ndonjëherë ai dukej aq pragmatik sa më nuk mund t'i besohej thuajse për asgjë. Dhe, në një çast, kur ai nisi të fliste për autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë, Berisha tashmë ishte një Tradhtar. Por, si do të mund të jetonim pa harruar? Dhe tash, pas etheve të zgjedhjeve të atjeshme, ku u përfshimë të gjithë nga pak, Berisha u rikthye në skenën politike kosovare përmes një marrëveshjeje interesante me Ramush Haradinajn dhe, pastaj, përmes reagimeve të tija relativizuese ndaj alarmimit të LDK'së. Megjithatë, në një moment dukej sikur Kosova do të fillonte ta përcillte Shqipërinë në rrjedhën normale të ndarjes së blloqeve politike elektorale. Por, vetë përcaktimi fillestar i tij për AAK'në si partnere politike partiake nga spektri i djathtë, alarmoi në radhë të parë LDK'në, ndonëse dëmtimi i PDK'së duhet të ketë qenë cak i asaj marrëveshjeje. LDK parti djathtiste? Ndoshta. Por, vetëm po qe se harrojmë se liderët e saj kryesorë aktualë vijnë nga trashëgimia e majtë. Por, prapë, si do të mund të jetonim pa harruar? Tekefundit, Kosova është e tillë. Përplot me ish-marksistë e ish-titistë, ose familjarë të tyre luajalë. E destinuar, pra, që të vazhdojë tutje, pa pështyrë në ikonën e Titos a të Enverit, pra as të praktikave të tyre kriminale. Dikush tha se ata që sot mbajnë fotografinë e Enverit e bëjnë këtë për t'i mashtruar "enveristët e mirë e të sinqertë", ndërkohë që në të vërtetë janë shndërruar në djathtistë dhe mbrojtës të eksploatimit. Kjo ndoshta edhe është e vërtetë. Por, pohimi më i dëgjuar në debatet "e majta/e djathta" megjithatë është ai se në Kosovë në të vërtetë nuk ka të majtë e të djathtë. Dhe, vërtet, klasa politike kosovare nuk është se ka lindur nga dallimet midis koncepteve universale politike për rolin social të shtetit, ose për rolin e shtetit në ekonomi. Jo. Klasa e tashme politike kosovare, për dallim nga vendet me trashëgimi të ngjashme me tonën, nuk ka lindur as edhe nga akti i shembjes së komunizmit. Në Kosovë, çasti i ngjizjes së klasës politike, çfarë e njohim sot, është ai kur Millosheviqi i futi në të njëjtat qeli komunistët e Titos bashkë me ata të Enverit. Në ato qeli ka nisur gjithçka që sot njohim nga harmonia nacionale në skenën politike. Sidoqoftë, një Kosovë që ende ka telashe me njohje, me anëtarësim në OKB dhe me tërësinë territoriale, nuk ka se si të jetë vend i përshtatshëm për diskutime dhe polemika ideologjike mbi të djathtën e të majtën, mbi rolin e shtetit, taksat dhe politikat sociale. Andaj, përpjekjet e Berishës për të konstituuar dhe organizuar diçka që do dukej si një front i partive të djathta në hartën e komplikuar politike të shqiptarëve në Ballkan, duken të parakohshme. Fakti se një front i tillë nuk ka gjasa të jetë efektiv për edhe një kohë të gjatë, nuk flet shumë mirë për gjendjen e Kosovës. Madje, në një vend ku bashkimi me Shqipërinë gjithnjë e më shpesh duket si një shtegdalje pragmatike nga ankthi i "mbikëqyrjes permanente" i të gjitha vendimeve me të cilat duhet të jetojmë ne dhe qeveritë tona, duket se është herët edhe për vet profilizimin e partive ekzistuese si dhe për organizimin e tyre eventual në blloqe elektorale. Dua të them se Kosova duhet ta tejkalojë fazën vitale të tranzicionit të saj, duke u konstituuar ose si një shtet solid multietnik, që presupozon njohjen nga vet Serbia, ose të vendosë që e tëra të kthehet drejt Adriatikut. Në të dyja rastet (aktualisht hipotetike në të njëjtën masë) do të mund të fillonin të ekzistonin parakushtet elementare për një jetë normale politike, ku diskursi shekullor patriotik i shqiptarëve të Kosovës do të mund të zëvendësohej me diskursin e përparimit. Deri atëherë, të ngecur në status quo'në e pas 17 shkurtit, do të na duhet të mjaftohemi me një konflikt midis ikonave të ndryshme historike, që ndonëse do ta derivojnë një nivel të besimit e mosbesimit elektoral ndaj aktorëve të ndryshëm politikë, megjithatë do të na lënë pa një debat të vërtet ideologjik për temën: "Çfarë të bëhet tash e tutje, në katër vitet e ardhshme?".Â

"Express", Prishtinë

KOMENTE