English

Reagon Gruevski: "Shqiptarët e PDSH bëjnë mirë të rikthehen në parlament"

Shkup, 20 gusht, NOA - Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ka folur mbi zhvillimet politike në vend, çështjen e emrit, bojkotin e PDSH-së dhe kërkesat e nxënësve shqiptarë.

Duke folur për çështjen e emrit, Gruevski tha se bisedimet për emrin janë proces i vazhdueshëm.

"Bisedimet me Greqinë për emrin me ndërmjetësimin e Metju Nimicit janë proces i vazhdueshëm, dialog i vazhdueshëm në të cilin ne marrim pjesë, japin kontribut dhe shpresojmë se do të gjinden forca dhe mënyra që të vihet deri te ndonjë zgjidhje", tha Gruevski.

Për kryetarin e Qeverisë, vendimi i PDSH-së për dalje nga Parlamenti nuk është shumë i mirë. "Nuk kam koment për vendimin e PDSH-së. Esencialisht, nuk është mirë të dilet nga Parlamenti. Ky nuk është vendim shumë i mirë, por ky është vendim i PDSH-së, nuk mundem t'u përzihem. Vetëm mund të them se në qoftë se mëtej mendojnë, do të kuptojnë se është më mirë të kthehen në Parlament. Kjo do të ishte më e mirë për ta dhe Republikën e Maqedonisë", deklaroi Gruevski.

Në pyetjen e gazetarëve për protestën e prindërve dhe nxënësve shqiptarë për regjistrim në paralele të mjekësisë, kryeministri konsideron se është bërë maksimumi dhe se "u janë realizuar kërkesat".

"Ministria e Arsimit dhe Shkencës u doli në ndihmë prindërve dhe nxënësve, bëri disa lëshime. Mendoj se të gjithë në Qeveri dakordohen se është bërë maksimumi dhe në njëfarë mënyre janë respektuar kërkesat e tyre dhe besoj se punët do të rregullohen", tha Gruevski.

NOA-INA

Â

KOMENTE