English

Debati me EULEX, ish kryeministri Çeku: T'i caktojmë rregulla misionit

Prishtinë, 23 gusht NOA-Partia Social Demokrate e ish-Kryeministrit Agim Çeku ka propozuar të dielën nënshkrimin e një marrëveshje mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it e cila do të përcaktonte rregullat e angazhimit të misionit europian në Kosovë.

Kjo parti ka thënë se nga kjo marrëveshje do të duhej të dilte edhe një komision i përbashkët për implementimin e saj dhe monitorim të vazhdueshëm të punës së EULEX-it.

Propozimi vjen pas ngjarjeve të fundit kur EULEX'i dhe Serbia thanë se ishin afër të nënshkruanin një marrëveshje.

PSD thotë se protokolli për bashkëpunim ndërpolicor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë paraqet një shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Kosovës dhe shtetësisë së saj.

"Situata në të cilën gjendemi sot, vjen si pasojë e mungesës së theksuar të institucioneve tona dhe interesimit të tyre për fuqizimin e shtetit, funksionalizimin e tij dhe marrjes së pronësisë mbi proceset", thuhet në një deklaratë të PSD-së.

PSD ka vlerësuar se zgjimi i vonshëm nga gjumi i liderëve tanë Â i ka kushtuar Kosovës më shumë se sa mund të paguajë.

"EULEX-i është prezent në Kosovë me ftesën tonë dhe duhet të ketë rol monitorues dhe asistues e jo vendimmarrës dhe ekzekutues", ka thënë PSD.

"Ne jemi për nënshkrim të protokolleve me të gjitha shtetet, por këto marrëveshje duhet t'i nënshkruajë Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe EULEX-i duhet të na asistojë në implementimin e këtyre marrëveshjeve" përfundon deklarata.

m.i/NOA

KOMENTE