Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nën mëshirën e strukturave paralele
English

Nën mëshirën e strukturave paralele

Ja se çfarë nënkupton Sadri Ferati kur na deklaron që decentralizimi na qenka mjet shumë efikas për zhbërjen graduale dhe të sigurt të strukturave paralele - "zhbërje" kjo me të cilën padyshim do të pajtohej edhe Serbia. Është e vërtetë! Kështu, strukturat paralele në formën e tyre të tanishme, njëmend do të zhbëhen, ama vetëm për t'u bërë struktura të pranueshme edhe nga Qeveria e Kosovës; për t'u legalizuar e forcuar edhe më tepër brenda territorit tonë (pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me Beogradin).

Nga Frashër Krasniqi

Megjithëse që në fillim decentralizimi si projekt u nis dhe zhvillua me përpikëri sipas kërkesës dhe interesave të Serbisë, jo çdoherë institucionet e Kosovës e pranuan hapur një gjë të tillë. Fillimisht na thanë që kjo po bëhet për të mirën e qytetarëve të Kosovës; kjo nuk kishte se si të pinte ujë dhe prandaj politikanët edhe ashtu imunë ndaj detyrimit për ndryshim deklaratash, filluan me gënjeshtrën e radhës që gjoja decentralizimi na qenka projekt për të mirën, pra, integrimin e pakicës serbe dhe kusht i domosdoshëm për shtetin sovran të Kosovës. Por, as kjo gënjeshtër nuk mund të gëlltitej; sepse fakti që vetë ekzistenca e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë pamundëson çdo lloj integrimi të serbëve lokalë në shoqërinë dhe institucionet tona, ishte shumë i qartë për t'u fshehur. Dhe tani as që tentohet të fshihet një gjë e tillë.

Para disa ditësh, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, deklaroi se Graçanica është minishtet brenda shtetit të Kosovës. Pas disa ditësh, ai shkoi më tutje duke e pranuar që në ekipin përgatitor për krijimin e komunës së Graçanicës është pranuar Nebojsha Periq, anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë (partia e Milosheviqit) si dhe kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet paralele të Serbisë në Kosovë. I pyetur nga Koha Ditore (15 gusht 2009) se si e komentonte ai një gjë të tillë, Ferati me ose padashje konfirmoi deklarativisht një të vërtetë të mjerë por shumë të rëndësishme për ta shpjeguar politikën e Qeverisë së Kosovës karshi strukturave paralele të Serbisë: "...nëse është pjesë e strukturave paralele (Nebojsha Periq - F.K.) deri të hënën duhet të vendos se në cilën strukturë do të punojë." Pra puna është shumë e qartë: Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend që të qenurit pjesë e strukturave që e pamundësojnë çdo ditë e më tepër pavarësimin e vërtetë të vendit tonë, ta shndërrojë në diçka të pamundshme (ose së paku të papranueshme për të). Kjo qeveri shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë ka vendosur ta lë në mëshirën e zgjedhjes së tyre - ose thënë shkurt e shqip: në vullnetin e Shtetit të Serbisë.

Pra, ja se çfarë nënkupton Sadri Ferati kur na deklaron që decentralizimi na qenka mjet shumë efikas për zhbërjen graduale dhe të pazhurmë të strukturave paralele - "zhbërje" kjo me të cilën padyshim do të pajtohej edhe Serbia. Është e vërtetë! Kështu, strukturat paralele në formën e tyre të tanishme, njëmend do të zhbëhen, ama vetëm për t'u bërë struktura të pranueshme edhe nga Qeveria e Kosovës; për t'u legalizuar e forcuar edhe më tepër brenda territorit tonë (pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me Beogradin).

Është e tepërt të komentohet qëndrimi i ICO-së në këtë mes. Që nga dita e parë e ardhjes së këtij misioni në Kosovë, ishte e qartë që ky do të ecte rrugës proserbe të trasuar nga UNMIK-u. Edhe kësaj radhe, i pyetur nga Koha Ditore, K. Mueller-Berner (zëdhënës i ICO-së) nuk shihte diçka të keqe në këtë mes. Zaten, kjo është shumë normale përderisa vetë Pieter Feith e ka emëruar Nebojsha Periq-in për anëtar të ekipit. Dhe nëse dikush shpresonte deri më sot tek leverdia e Kosovës nga ICO dhe EULEX, atëherë me këtë do të duhej të përfundonte edhe shpresa e fundit për një gjë të tillë.

Në vitin 2005 Hashim Thaçi deklaronte se si decentralizimi po bëhet në baza etnike dhe se si ky do ta kantonizojë Kosovën, dhe vërtet ashtu është! Por, sot qeveria e tij me zell të paparë po e zbaton këtë projekt, siç po shihet, në bashkëpunim të mirë me strukturat paralele. Por, në fund të fundit, në logjikën e qeverisë, Thaçi vazhdon t'i qëndrojë besnik mosndarjes së vendit: bashkëpunimi me strukturat e Serbisë jodomosdoshmërisht nënkupton ndarjen e vendit. Sepse, ne e dimë që strukturat paralele e duan Kosovën unike dhe të pandarë... brenda Serbisë.

KOMENTE