Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fjala e plotë/ Edi Rama: U mundëm, por nuk humbëm
English

Fjala e plotë/ Edi Rama: U mundëm, por nuk humbëm

Tiranë, 30 Gusht NOA - Më poshtë vijon fjala e plotë që Edi Rama, kryetar në detyrë, mbajti në Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë Socialiste:

Miqtë e mi,

Këtë ditë do ta kishim dashur ndryshe. Do të na kishte pëlqyer që sot të mblidheshim për të festuar fitoren, kënduar dhe filluar rrugën e re të ndryshimit rrënjësor të politikës së re në qeverisje. Shqipërisë i duhej ndryshimi i fletës së historisë. Shqiptarët e shqiptaret u derdhën si asnjëherë në sheshet tona të betejës elektorale. Dhe na votuan, masivisht, duke na rikthyer forcë të parë politike në vend.

Por nuk mjaftoi.

Historia u përsërit, tamam ashti siç i trembeshin shumë ndër ju, shumë ndër njerëzit e këtij vendi, anembanë Shqipërisë. Të cilët vijimësisht na thoshin të gjithëve , " Votat tona janë për ju, po Berisha do t'i vjedhë ! …"

E vërtetë e hidhur.

Sali Berisha i grabiti votat e nevojshme për të ricikluar, zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën pushtetin e tij të korruptuar e korruptues.

Ne Partia Socialiste e Shqipërisë e fituam garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.

Megjithë krimin elektoral kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori dot të parën partinë e tij. Ne dolëm partia e parë në një betejë tërësisht të pabarabartë jo të lirë dhe jo të ndershme.

Por prapëseprapë u mundëm.

U mundëm jo nga forca politike e kundërshtarit, po nga shteti i transformuar në një makinë kriminale elektorale. E cila i shërbeu koalicionit të forcave të pushtetit me të gjithë fuqinë e abuzimit, në thyerje flagrante të Kushtetutës e të ligjeve të vendit, para, gjatë dhe pas procesit elektoral. Vazhdon t'i shërbejë dhe sot, duke dhunuar të drejta e liri njerëzish në sipërmarrjet private a vendet e tyre të punës në shtet. Kjo makinë e ushqyer me urrejtjen e politikës së vjetër e me frikën e këtij pushteti të vjedhur për të ardhmen e vet, bën çdo ditë goditje e spastrime që prekin, dëmtojnë, rrënojnë jetë normale qytetarësh opozitarë përmes presionesh, gjobash apo largimesh nga puna. Megjithatë, ata nuk i morën dot votat e shumicës së popullit. Shumica e zgjedhësve shqiptar të 28 qershorit, populli opozitar i Shqipërisë, votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti. Dhe megjithë deformimin e rëndë të procesit e të rezultatit në favor të tij, Sali Berisha nuk do të bëhej dot më kurrë kryeministër sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që ne e paralajmëruam kohë më parë. Lejomëni pra, të ndaj me ju shkoqur qysh në fillim bindjen time se në 28 qershor Shqipëria kërkoi ndryshimin. Ky ndryshim, ndryshimi që ne u ofruam shqiptarëve përmes projektit tonë të ri politik, nuk u refuzua me votën e lirë të qytetarëve, por u ndalua përkohësisht, përmes shpërdorimit kriminal të fuqisë së shtetit për mbajtjen me çdo mjet të pushtetit. Sikur të dyshoja qoftë edhe një fije në këtë të vërtetë, dhe të mos e kisha këtë bindje të plotë, nuk do të isha sot këtu, për t'ju kërkuar të pranoni kandidaturën time për të udhëhequr Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për të rifilluar me një vendosmëri të re luftën ndaj së vjetrës në pushtet e në politikë dhe çuar përpara një mision historik.

Për të punuar e sakrifikuar edhe më shumë në krye të kësaj partie në këto kohë të zymta për demokracinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Për të shkuar drejt fitores së domosdoshme, e cila i duhet në radhë të parë Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë.

Nuk kam folur.

Kam dëgjuar. Dhe kam parë në këta muaj të pështjelluar hendekun e madh mes së vërtetës shqiptare e gënjeshtrës zyrtare të 28 qershorit.

Kjo gënjeshtër është e shtrirë gjerë e gjatë në ekrane e gazeta, ku për javë të tëra nuk flitet thuajse asfare për krimin mafioz ndaj procesit zgjedhor, po vetëm për një nen të statutit të Partisë Socialiste;

Ku nuk merret kush me të drejtën e shkelur të popullit Sovran për të zgjedhur lirisht parlamentin e qeverinë e tij, po kush nuk merret me të drejtën time për të rikandiduar për kreun e PS-së;

Ku një pakicë e vogël brenda nesh kërkon të dëgjohet pa dashur të dëgjojë, kërkon të imponohet pa pranuar të votohet, kërkon drejtimin dhe ndryshimin e kursit të partisë pa kursyer sulme dhe akuza e madje fyerje publike në emër të lirisë, por njëkohësisht pa i njohur shumicës në parti asnjë lloj lirie që të vendosë në emër të parimit më elementar të demokracisë.

Unë nuk jam këtu që t'i përgjigjem baltës me baltë e mllefit me mllef. Nuk e kam bërë me kundërshtarët që s'kanë lënë gjë pa bërë e thënë ndaj meje e ndaj të gjallëve e të vdekurve të familjes sime. Nuk mund ta bëj kurrsesi, as sot dhe asnjëherë, me njerëz të kësaj partie. Të cilëve u kujtoj sot përzemërsisht një fjalë të mençur: Abuzimi më i madh me lirinë është ta shpërdorosh duke u ankuar se të mungon liria.

Nuk jam këtu as për të mbrojtur veten, sepse asnjë interes i imi që nuk është dhe i të gjithëve ju nuk më ka nxjerrë sot këtu përpara dhe nuk mjafton për të më mbajtur në këtë betejë, ku s'kam kursyer asgjë nga vetja në katër vjet të vështira e ku s'mund të kursej asnjëherë zemrën, mendjen e kohën time.

Unë jam sot këtu për të mbrojtur të vërtetën shqiptare të 28 qershorit. Të vërtetën siç e kam parë në Shqipërinë e marrë peng prej një pushteti të bërë njësh me shtetin dhe siç e kam dëgjuar anembanë një Shqipërie ku rezultati i 28 qershorit u përmbys me fuqinë abuzive të një makine kriminale elektorale shtet-pushtet. E cila i nxori zgjedhjet jashtë standardeve demokratike dhe e riktheu vendin mbrapsht në udhëkryqin e madh të demokracisë së kërcënuar në funksionet me jetike të saj.

Jam këtu sot për të folur pasi kam dëgjuar, me një vëmendje të posaçme, çdo zë, që nga zërat e lartë të tribunave mediatike, deri tek zërat e largët e të padëgjueshëm të bashkëqytetarëve të njohur e të panjohur brenda e jashtë Partisë Socialiste, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë sonë të vogël.

Jam këtu sot për të folur atë që nuk është dëgjuar. Nuk është dëgjuar jo thjesht sepse nuk kam folur unë, po sepse në Shqipërinë e këtyre dy muajve të fundit kanë dalë kërcënueshëm mbi sipërfaqe lidhje të vjetra e interesa të lidhura me to. Të cilat janë mishëruar në mënyrën më shembullore në bashkimin e paturpshëm të Ilir Metës me Sali Berishën dhe janë shtrirë, më dukshëm se asnjëherë, mbi ekranet e televizioneve e faqet e gazetave. Ose të kontrolluara tërësisht prej tyre, ose të influencuara nga trysnia e pushtetit të tyre.

Tribunat mediatike më shumë se kurrë më parë kanë marrë ngjyrën e pushtetit të këtyre interesave, duke e çuar në periferi debatin mbi maskaradën zgjedhore dhe vendosur në qendër të debatit mediatik nevojën për largimin tim nga kreu i Partisë Socialiste.

Kjo pasqyrë e deformuar dramatikisht e historisë që jetojmë nuk është thjesht një çështje e ditës, po një problem i rëndë i demokracisë në Shqipëri. Është kapja e hapur edhe e mediave pas kapjes së shtetit, në funksion të projektit të Sali Berishës për ta kthyer vendin tonë në një karikaturë të vjetër ruse, njësoj si ato ish-republikat sovjetike ku shteti dhe pushteti janë e njëjta gjë.

Ku një komunist fanatik i kthyer në antikomunist për fronin e tij, sundon vendin duke bërë ligje e vendime në interes të familjes së vet.

Ku familja ka një rreth klientësh e shërbëtorësh që hyjnë e dalin, duke marrë copa të mëdha pasurie të vendit a lëmosha të majme, për të dhënë në këmbim aksione në biznes, shërbime në media ose para në dorë apo thjesht mbështetje politike për shefin e madh.

Ku për të mos u zgjatur në plot elementë të tjerë të kapjes së shtetit e kontrollit të funksioneve jetike të demokracisë, pushteti prodhon paranë dhe paraja riprodhon pushtetin, duke i dhënë një formë mafioze organizimit të qeverisjes.

Unë jam këtu sot për të folur, pikërisht sepse besoj megjithë zemër që ne mund dhe duhet të ndalojmë me çdo kusht e çmim këtë projekt asfiksues. Mund ta ndalojmë përpara sesa të marrë formën e tij të plotë dhe të ndalojë përfundimisht për një kohë të pacaktuar jo rrugëtimin tonë drejt fitores, po funksionimin real demokratik të shoqërisë, duke përsosur mekanizmin e grabitjes së zgjedhjeve, duke e kthyer opozitën në një fasadë të demokracisë, madje, më saktë, në një zgjatim të pushtetit që luan rolin e opozitës përkundër shpërblimit përkatës, dhe duke i dhënë fund lirive të konkurrencës në sipërmarrje, media e çdo sektor punësimi. Ku për të jetuar qetësisht me punë të ndershme duhet të jesh një shërbëtor i përkushtuar i pushtetit apo një opozitar i nënshtruar i tij.

Jam sot këtu për të folur jo sepse dua të ruaj karrigen e kryetarit të partisë, por sepse bashkë me ju dhe gjithë popullin opozitar dua të luftoj. Dua të luftoj jo thjesht për të ndryshuar nesër pushtetin e bashkë me të dhe një fletë të historisë sonë, po për të mbrojtur tani, sot e çdo ditë, demokracinë e marrë peng, pa të cilën asnjë rotacion demokratik i pushtetit nuk është i mundur e asnjë institucion i shtetit nuk është demokratik.

Për të mbrojtur liritë e të drejtat e shqiptarëve pavarësisht bindjeve e përkatësive të tyre partiake, ndër të cilat lirinë e zgjedhjes me rrënimin e të cilës fillon fundi i të gjitha lirive.

Për të mbrojtur dinjitetin e çdo qytetari të popullit opozitar, që në betejën mes së shkuarës e së ardhmes u rreshtua për të ardhmen dhe votoi largimin e Sali Berishës, pavarësisht nëse votën e dha ose jo për Partinë Socialiste.

Për të mbrojtur vetë projektin e ri të kësaj partie dhe për ta çuar atë përpara, duke u përpjekur edhe më shumë për forcimin e zgjerimin e Bashkimit të Ri përtej kufijve të partive, ku do t'i japim jetë një forme të re bashkëpunimi me të gjitha partitë e qytetarët në opozitë me Sali Berishën, Ilir Metën e Fatos Nanon.

Padyshim përtej të majtës e të djathtës, madje sot më shumë se kurrë.

Sepse sot më shumë se kurrë ajo që na ndan me kundërshtarët tanë nuk është kufiri ideologjik që ndan të majtën nga e djathta, po kufiri që ndan forcat demokratike e sociale nga një pushtet i korruptuar e korruptues, që ideologji të vetme ka plaçkitjen e vendit përmes kapjes së shtetit.

Unë jam sot këtu për të folur, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë nuk mund ti falë zgjedhjet e 28 qershorit.

Po i falëm këto zgjedhje, ne kemi dorëzuar në duart e Sali Berishës e të një pushteti të zhytur në korrupsion e horrllëk vetë liritë e të drejtat e njerëzve që votuan në shumicë largimin e Sali Berishës. Që nuk do të ndalet më përpara asgjëje dhe do ta kthejë përfundimisht qeverisjen në një ushtrim ekskluziv për të ricikluar e pasuruar pa limit vetveten.

Po i falëm këto zgjedhje, ne kemi falur edhe zgjedhjet që vijnë e ato më pas tyre dhe të tjerat akoma, sepse makineria elektorale shtet-pushtet e cila këtë herë, falë votës së madhe popullore që ne patëm, megjithëse prodhoi një deformim të rëndë nuk arriti të nxjerrë rezultatet e parafabrikuara të sondazheve të turpit zgjedhor, herën tjetër do t'ia dalë shumë më mirë në qëllimin e saj të mbrapshtë. Qoftë edhe vetëm sepse shumë ndër ata që në 28 qershor na e besuan votën, do të humbasin besimin se ne dimë të reagojmë kur ajo preket.

Po i falëm këto zgjedhje, ne e kemi bërë Partinë Socialiste kurban për dasmën e shpifur të Sali Berishës me Ilir Metën, të cilët bashkë me Fatos Nanon, duan ta kthejnë politikën e këtij vendi në një rreth të mbyllur interesash që s'kanë të bëjnë asgjëkundi me interesat e qytetërve dhe prandaj kërkojnë me çdo kusht kthimin e Partisë Socialiste në një vathë të kontrolluar prej tyre.

Po i falëm këto zgjedhje kemi zhbërë vetë arsyen pse jemi bashkë, ndërkohë që ne duhet të jemi bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, po për të ecur të gjithë në të njëjtin drejtim, të kundërt me interesat e Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos dhe të njëjtë me interesat e Shqipërisë, të popullit opozitar e të Partisë Socialiste. Sot më shumë se kurrë.

Ne duhet të jemi bashkë padyshim jo për të menduar të gjithë njësoj për një nen të statutit apo për të drejtën time ose jo për të rikandiduar, por për të qenë të gjithë të vendosur në denoncimin e krimit elekoral të 28 qershorit e në qëndresën ndaj tij. Pa ngatërruar interesat madhore dhe objektivat e panegocueshëm strategjikë të Partisë Socialiste të Shqipërisë me strategjitë e taktikat brenda nesh në përpjekjen e natyrshme për të konkurruar me njëri tjetrin për lidershipin e partisë në këtë periudhë zgjedhjeje brenda nesh. Sot më shumë se kurrë.

Të bëjmë gjithçka për të garantuar hapësirën e debatit e lirinë e votës dhe të mos ngatërrojmë diktaturën me disiplinën demokratike, pa të cilën asnjë organizatë nuk mund të realizojë qëllimet e saj. Dhe të mos harrojmë se qëllimi ynë nuk mund të varet nga lartësia e karriges ku na kanë ulur ata që na kanë zgjedhur, po nga idealet e idetë që na kanë sjellë në këtë familje politike ku ne jemi zgjedhur për të çuar partinë drejt qëllimit të përbashkët. Sot më shumë se kurrë.

Ne duhet të jemi bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, po për të dhënë padyshim të gjithë bashkë një shembull tjetër, të ri e krejt të ndryshëm nga ai me të cilin Sali Berisha, Fatos Nano e Ilir Meta kanë shkatërruar.

Ne duhet të jemi bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, po për të dhënë padyshim të gjithë bashkë një shembull tjetër, të ri e krejt të ndryshëm nga ai me të cilin Sali Berisha, Fatos Nano e Ilir Meta kanë shkatërruar

themelet kulturore dhe etike të bashkëjetesës demokratike të kësaj shoqërie, duke e kthyer akuzën në modë, shpifjen në argument dhe rrugaçërinë verbale në një ushqim të përditshëm social që u ka nxirë jetën qytetarëve të këtij vendi e ka diskredituar keqaz politikën në Shqipëri.

Sepse jemi të gjithë bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, por për t'u bërë zëdhënës e mishërues të një kulture të re të bashkëjetesës demokratike. E cila nuk është një zgjedhje mes modelit të partisë bunker familjar të Sali Berishës apo modelit të partisë sherr e pazar të Fatos Nano-s pa llogaritur këtu modelin e Ilir Metës të partisë bahçe private.

Jo, kultura e re e bashkëjetesës nuk mund të jetë veçse një model perëndimor funksional, i ndërtuar mbi parime e rregulla të shkruara e të miratuara bashkërisht, ku nuk bëhet fjalë as për bajraktarizmin strukturor që e kthen partinë në një detashment guakësh e papagajsh si partinë e Saliut, po as për barbarizmin kulturor që e nxjerr partinë në ankandin mediatik të sulmeve e batutave të ndërsjella. Unë e kam propozuar vendosjen në statutin tonë të nenit që parasheh ndërprerjen e mandatit dhe dorëheqjen e kryetarit të partisë kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme.

Pa asnjë dyshim në kushte normale ky nen i propozuar prej meje nuk nënkupton rikandidimin e kryetarit, po zgjedhje të reja në parti me kandidatë të rinj për kryetarë të saj. Kjo është ajo që kam besuar dhe besoj pavarësisht se këtë nen nuk e ka asnjë parti demokratike e majtë apo e djathtë në Europë.

Dhe arsyeja pse unë sot jam vënë në dispozicionin tuaj për ta udhëhequr Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme, nuk është aspak në kundërshti me atë çka besoj lidhur me nenin e shumëpërfolur të statutit. Nuk besoj njëkohësisht në dy gjëra të kundërta e aq më pak nuk kam dy standarde, aspak, por e vërteta shqiptare e 28 qershorit më thotë se s'ka asnjë lidhje humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në kushte normaliteti demokratik me mosardhjen në pushtet pikërisht për shkak së mungesës së standardeve demokratike.

Nuk ka humbur në një votim të lirë e të ndershëm të popullit shqiptar projekti politik që unë udhëhoqa, po është mundur në një përplasje krejt të pabarabartë me pushtetin e shtetin bashkë forca jonë politike. Kjo e vërtetë e bën rikandidimin tim në këto kushte jo një opsion të diskutueshëm, po një detyrim të padiskutueshëm.

Mandati im është ndërprerë dhe dorëheqja ime ka ndodhur automatikisht.

S'kam dashur për asnjë moment që të dëgjoj zëra dashamirësish të pranishëm në këtë kongres, mes të cilëve figura të nderuar publike të kësaj partie, që njësoj si unë mendojnë se zgjedhjet janë grabitur nga makineria shtet -pushtet dhe jo fituar nga Sali Berisha, por ndryshe nga unë kanë paraparë dhe rrugë krejt të thjeshta rikonfirmimi të lidershipit. Që nga heqja e nenit përkatës me votim kongresi, sepse nuk e ka asnjë parti në Europë, tek votëbesimi pa garë në anëtarësi, pikërisht sepse zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin zgjedhje po vjedhje.

Ndërsa për mua ka qenë krejt e qartë qysh në fillim: Përderisa ka në këtë parti njerëz që nuk e shohin krimin elektoral, që mendojnë se zgjedhjet e organizuara nga Sali Berisha u përputhën me standardet e nevojshme demokratike të lirisë e të ndershmërisë në dhënien e votës e në numërimin e saj, që kanë bindjen se rotacionin demokratik në Shqipëri e ka ndaluar vota e shqiptarëve kundër politikës së re për ndryshimin dhe jo makineria shtet-pushtet e krimit elektoral, atëherë me patjetër duhet të ketë zgjedhje të reja brenda partisë Socialiste dhe votim në anëtarësi me parimin një anëtar një votë.

I takon anëtarësisë së partisë të thotë në këto kushte fjalën e fundit për lidershipin e për projektin politik të Partisë Socialiste. Sepse, natyrisht, tjetër projekt e tjetër lloj opozite ka në kushtet kur i njeh zgjedhjet e Sali Berishës si të lira e të ndershme dhe parlamentin e qeverinë e dalë prej tyre si produkte të vullnetit Sovran të popullit dhe, pa asnjë pikë dyshimi, tjetër projekt e krejt tjetër lloj opozite do të ketë në rast se shumica e kësaj familjeje ka bindjen se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit ishte i deformuar nga një krim elektoral. Si i tillë është edhe i papranueshëm për popullin opozitar që ne përfaqësojmë.

Atyre që kërkojnë fakte e thonë s'kemi fakte për këtë krim u them se jo vetëm unë, po të gjithë ata opozitarë që e kanë jetuar procesin zgjedhor para, gjatë e pas 28 qershorit, dhe që nuk janë sot më të interesuar për fatin e punëve të brendshme të Partisë Socialiste se sa për fatin e demokracisë në Shqipëri, nuk mund ta pranojnë kurën e kurës se këto janë standardet e lirisë e të ndershmërisë së zgjedhjeve që përcaktojnë se kush do ti bëjë ligjet e kush do ta qeverisë këtë vend në mes të Europës në shekullin e XXI. Në asnjë mënyrë jo.

Në asnjë mënyrë populli opozitar i këtij vendi nuk mund ti njohë si standarde të lirisë së tij për të zgjedhur dhe të ndershmërisë për të numëruar votat e veta, standardet e kësaj maskarade zgjedhore. Partia Socialiste sot më shumë se kurrë jo. Sepse asnjë prind i këtij vendi , që do shkollim të denjë për fëmijën e tij nuk mund të pranojë si standard lirie për veten si zgjedhës, marrjen peng jo një herë të fëmijës nga drejtoritë që shpallin të shtunën e të dielën ditë shkolle për t'i çuar fëmijët kope në mitingjet e pushtetit. Partia Socialiste sot më shumë se kurrë jo.

Sepse asnjë burrë a grua e këtij vendi, që nuk është dado në oborrin e familjes kryeministrore, po mësues e mësuese në shkollat e shtetit shqiptar, nuk mund të pranojë për standard lirie si zgjedhës, jo vetëm marrjen me pahir në mitingun e pushtetit, por edhe presionin mafioz se po nuk votoi pushtetin do të humbasë punën për shtetin. Partia Socialiste sot më shumë se kurrë jo.

Sepse asnjë mjek e infermiere,ashtu si asnjë nëpunës tjetër i këtij shteti, nuk paguhet për të ricikluar pushtetin, po për t'i shërbyer njësoj për standard lirie si zgjedhës as në rolin e detyruar të mitingashit,as kërkesën për fotografimin e votës si kusht për të marrë rrogën pas fitores së të njëjtave forca në pushtet. Partia Socialiste sot më shumë se kurrë jo.

Sepse ndihma ekonomike, e përdorur masivisht si rotacion i kushtëzuar me votat për pushtetin në çdo fshat e periferi urbane ku sundojnë bajraktarët e vegjël të Sali Berishës, nuk është standard lirie në zgjedhje, po gjendje skllavërie për zgjedhësit e zonave të varfra rurale e të rrethinave, ku pa atë lëmoshë shtetërore mbijetesa bëhet e pamundur. Sepse korrupsioni i madh elektoral, me fondet publike e me miliardat e zeza të korrupsionit qeveritar sidomos në zonat rurale, për të krijuar iluzione me kantiere fantazmë e blerë varfëri të skajshme shqiptarësh e shqiptaresh pa faj, nuk është standard lirie e ndershmërie në zgjedhje, po fuqi skllavëruese përmes mashtrimit të mirëfilltë elektoral.

Sepse listat e ditës së votimit në shumë qendra, të ndryshme nga listat e shpallura paraprakisht, nuk janë as standard lirie e as standard ndershmërie në zgjedhje, po falsifikim për manipulimin e rezultatit. Ashtu sikundër s'kanë të bëjnë me lirinë e me ndershmërinë e një procesi zgjedhor demokratik, po me manipulimin , qoftë votimet shumë herë të të njëjtëve njerëz, qoftë pseudopjesëmarrja më e lartë në zgjedhje në zonat e largëta ku kanë mbetur pak njerëz po dalin shumë votues, dhe qoftë ngritja e qendrave të votimit në ambiente private militantësh të mirënjohur të pushtetit, ku aspak çuditërisht dhe rezultatet dolën pastaj thellësisht në favor të pushtetit.

E di, jo për të gjithë , edhe në këtë sallë, këto quhen fakte të krimit zgjedhor, madje janë parregullsi të zakonshme shqiptare. Por kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, po edhe sikur të qe e vërtetë, do të mbetej prapëseprapë e papranueshme.

Sepse ne nuk e dhamë konsensusin për reformat që na futën në NATO në vitin 2009, që pastaj dy muaj më vonë të kishim dhe të pranonim zgjedhje jo si në NATO ,po si një vend që është një shëmbëlltyrë e keqe e atyre republikave ish-sovjetike ku ka gjithnjë e më pak fakte sepse krimi zgjedhor është kthyer në normalitet zgjedhor dhe qëndrimi i opozitës gjithmonë në opozitë është bërë një normalitet "demokratik".

Megjithatë, pa dashur assesi të përmbledh në këtë fjalë timen gjithë raportin e gjatë të Partisë Socialiste për krimin zgjedhor, dua të shkoj më tutje me standardin e ndershmërisë së zgjedhjeve në numërimin e votave.

Çfarë janë kutitë e pahapura të beratit, Shkodrës, e Tiranës, apo qoftë edhe të Durrësit ose kudo tjetër tjera forca politike kërkuan rinumërim në bazë të ligjit zgjedhor?

Do t'i futim edhe këto tek parregullsitë e zakonshme shqiptare apo do tu vëmë emrin që kanë?

Dhunim antidemokratik e antiligjor i të drejtës tonë ligjore e demokratike për të rinumëruar kutitë e dyshuara për manipulim elektoral. Ju siguroj, se në ato ish-republikat sovjetike me demokraci të marra penga nga familja e komunistit që luan farsën e garantit të demokracisë ka shembujt të qartë që edhe për më pak se sa për ato kuti votimi të mbajtura të mbyllura me pahir nga trysnia abuzive e pushtetit, opozitat kanë mbajtur qëndrime radikale në raport me zgjedhjet. Kanë ndërmarrë aksione radikale në raport me parlamentet pa legjitimitet demokratik të dala prej maskaradash të tilla zgjedhore. Dhe kur kanë besuar e luftuar me besim ia kanë dalë ta rifutin vendin e tyre në rrugën e arsyes, duke krijuar kushtet për zgjedhje të parakohshme.

Si një qytetar i popullit opozitar anëtar i kësaj familjeje të madhe politike dhe kryetar ose jo i saj në vijim. Unë nuk i fal dot zgjedhjet e 28 qershorit, duke lejuar që kutitë e pahapura të kalbe në terrin e arbitraritetit shtetëror pa i bërë bashkë me të gjithë ata që mendojnë njësoj si unë, të gjitha përpjekjet që ky aspekt flagrant i krimit elektoral të mos mbetet pa u zhbërë. Sepse besomëni jo vetëm kjo nuk është një çështje numrash, por një çështje lirie, demokracie e dinjiteti për secilin prej votuesve të opozitës në Berat, Shkodër, tiranë e gjithë Shqipërinë, por edhe më shumë se kaq.

Kjo është një çështje që ka të bëjë me të nesërmen e këtij vendi, siç ka të bëjë me të nesërmen e përbashkët të kësaj shoqërie qëndrimi ynë për krimin elektoral të 28 qershorit e aksioni ynë politik për zbardhjen e ndëshkimin e tij.

Takova përpara disa ditësh një qytetar të rrethinave të këtij qyteti, i cili më tha se për herë të parë kishte votuar Partinë Socialiste, duke besuar te ndryshimi që ne do të sillnim. Mu lut ti them sot këtij kongresi fjalët e tij dhe në respekt të votës që na ka dhënë, më duhet t'ia plotësoj dëshirën: "nëse jua vodhën votën time, është faji i hajdutit. Por nëse nuk vini ulërimën për votën time turpi nuk është më i tij."

28 qershori 2009 ishte një histori e përsëritur. Emri i autorit është po ai, i 26 majit 1996. edhe fuqia përballë nesh është po ajo. Shteti është bërë njësh me pushtetin për të mundur opozitën, jo me votim të lirë e të ndershme, por me presion kriminal të një makinerie elektorale të paligjshme. Por ndryshe nga viti 1996, Sali Berisha nuk është anti komunisti i dalldisur me pardesy të bardhë që në etjen e tij të shfrenuar për pushtet u turr policinë e shik-un, drejt qendrave të votimit, nxjerr me dru komisionerët e opozitës, mbush kutitë dhe fiton deri edhe në 120 % në zona të ndrysh,me. Jo më.

Sali Berisha i sotëm është shefi i strukturave familjare e klanore tipikisht oligarkike, e cila ka bërë njësh nën kontrollin e vet shtetin me pushtetin dhe gëzon një fuqi të pakufizuar ekonomike për këtë vend të varfër, me plot zona të gjunjëzuara prej varfërisë ku luftohet prej vitesh jo me programe por me thasë mielli, ku vendi i punës është buka e përditshme e gojës për ata që e kanë dhe aspiratë e parealizueshme për plotë të tjerë që lëngojnë në nivelin e mbijetesës sepse nuk e kanë dot një vend pune. Ku fatkeqësisht paraja përmbys rezultate zgjedhore sa hap e mbyll sytë, sepse në ato territore politika ka mundur të mbjellë ekskluzivisht vetëm zhgënjim prej premtimeve mashtrimeve e cirqeve elektorale të radhës.

Makineria e sotme elektorale e këtij shteti pusht nuk është më shumatorja e bandave të dehura të fanatikëve, guximtarëve e keqbërësve të 13 vjetëve më parë, që edhe kur visheshin polic ngrinin dy gishtat për të ndalur një makinë, e pronarëve të firmave piramidale që pozonin me Saliun nëpër posterat si të filmit "borat", "me ne fitojnë të gjithë" dhe e turmave të ekzaltuara të mitingashëve të palodhur të shabanit të paepur, i cili edhe ai i atëhershmi nuk ngjan gjëkundi me shabanin e sotëm të tapive që jepen po s'jepen për tokat që merren po s'kthehen, nën shtëpitë që edhe legalizohen edhe nuk legalizohen.

Sot kjo makineri elektorale është transformuar njësoj siç është transformuar Sali Berisha nga një kalorës pa kalë i korrupsionit, në një zullumqar të madh ballkanik. I cili kalëron Shqipërinë me babëzinë e tij, duke babëzitur ç'të mundet dhe duke tundur flamujt absurd të sukseseve botërore, teksa vendi po zhytet në një krizë ekonomike sociale të papërballueshme për familjen e zakonshme shqiptare dhe mbytëse për familjet e varfra. Ky i dehur nga një pushtet që asnjëherë nuk ka qenë pushteti i shumicës, por që tashmë është një pushtet i grabitur në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nuk njeh as një kufi në zullumet e tij me buxhetin e shtetit, me pasuritë publike, privatizimet, e koncensionet që qëndisen me dorë në shtëpinë e tij.

Dhe sidomos me pronat e të shkretëve pronarë, që vazhdojnë ta votojnë antikomunistin Sali për të vazhduar pastaj vetërrjepjen aty ku e lanë në fund të mandatit të shkuar, herë duke i humbur krejt pronat e tyre e herë duke u detyruar t'i ndajnë në forma bashkëkohore, kuptohet përmes avokatësh të stërvitur në oborrin e shtëpisë, me komunistin e dikurshëm në pushtet, që përditë e më shumë shijon zgjerimin e kadastrës familjare mbi Shqipërinë.

Nuk dyshoj se megjithëse në pronat e veta mediatike apo përmes pronarëve të medias që influencohen me të mirë a me pahir prej tij, ky pushtet të cilit i është bashkëngjitur tashmë, edhe publikisht, Ilir Meta me orekset e dhuntitë e veta të njohura në shpërdorimin e burimeve të informimit, do të bëj çmos ta mbaj larg zjarrin e debatit për krimin elektoral.

Ne do të gjejmë sidoqoftë rrugën e mundësitë që të bëjmë detyrën tonë për zbardhjen e ndëshkimin e këtij krimi.

Por një aspekt të fundit për sot të këtij procesi të deformuar forcërisht, dua ta nënvizoj me forcë. Lidhet me faktin ndoshta më tronditës, jo thjesht për zgjedhjet, por për sigurinë publike në këtë shtet-pushtet, i cili bëri në 28 qershor edhe një aleancë vendimtare me një lukuni individësh të kyçur burgjeve të Shqipërisë për krimet e rënda të vrasjes, trafikut të drogës, përdhunimit e të tjera tmerreve që u dokumentuan hapur sot për publikun në hapjen e kongresit.

Në rrugë kryekëput të paligjshme, këtyre personave shoqërisht të rrezikshëm u janë hapur dyert e burgut gjatë fushatës elektorale me lejen e autoriteteve të larta shtetërore, për të kontribuar me autoritetin e tyre mafioz, sidomos në zonat rurale, ku kanë ushtruar trysni konstante ndaj votuesve të opozitës.

Çdo autoritet të lartë shtetëror që ka marrë pjesë në organizimin e kësaj hapjeje të paligjshme të burgjeve për përfitime elektorale të partisë në pushtet, ne do ta kërkojmë përpara drejtësisë me të gjitha format.

Javën e ardhshme do t'i dorëzoj zyrtarisht e publikisht Presidentit të Republikës dokumentacionin tronditës të këtij bashkëpunimi mes qeverisë së vendit dhe skalionit elektoral të kriminelëve aleatë të kësaj qeverie.

Shpresoj që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk do t'i fshihet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka në kushtet kur vetë Ministri i Drejtësisë është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë operacion kriminal të paimagjinueshëm për një shtet normal demokratik, jo më për një vend anëtar të NATO-s.

Krimi elektoral i 26 majit ‘96 i ngjan një batërdie halldupësh, që me gjurmët e tyre irrituan mbarë botën demokratike, ndërsa krimi elektoral i 28 qershorit të shkuar, i ngjan krimeve mafioze, gjyqi i të cilëve ka si karakteristikë mungesën e dëshmitarëve e të gjurmëve që të çojnë direkt tek autorët.

Megjithatë, ndryshe nga krimet e mirëfillta mafioze, 28 qershori ka çrregullimin e madh e krejt të dukshëm të njehsimit të shtetit me pushtetin, ka shkeljen e standardeve të lirisë e të ndershmërisë së zgjedhjeve në plot aspekte të mjaftueshme për të zemëruar çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të respektohet si qytetar evropian në një atdhe evropian, dhe ka mbi të gjithë një dëshmitar të madh. Të cilin Sali Berisha, Ilir Meta e Fatos Nano kanë një mijë e një arsye për ta bërë të heshtë, kurse ne kemi aq qindra mijë arsye sa ç'pati votues opozitarë në 28 qershor, për ta bërë të ngrihet e të reagojë:

Ky dëshmitar është Partia Socialiste e Shqipërisë!

Unë jam këtu bashkë me ju, për të mos lejuar që ky dëshmitar të blihet, të trembet, të shkurajohet, të konformohet e të falë krimin elektoral të 28 qershorit.

Unë jam këtu bashkë me ju, për të mos lejuar që rezultati i imponuar pabesisht nga shteti-pushtet në 28 qershor, të errësoj shikimin dhe arsyen e Partisë Socialiste me analiza e konkluzione që na fusin në rrugë të gabuara e qorrsokakë të pashmangshëm.

Unë jam këtu bashkë me ju, për të mos lejuar që të mbetet në mes të rrugës projekti që entuziazmoi të gjithë ata që na e dhanë votën apo ata që duan sot më shumë se kurrë vazhdimin e tij, megjithëse në 28 qershor nuk e votuan projektin tonë.

Kam parasysh këtu jo vetëm, por edhe ata dhjetëra mijëra patriotë e socialistë të ndershëm, që besuan tek Ilir Meta, që u mikluan nga radikalizmi i tij, gjoja i majtë kundër Sali Berishës dhe që fatkeqësisht me votën për LSI-në, paguan thjesht prikën që Iliri çoi tek Saliu për dasmën e turpshme të pushtetit të vjedhur bashkë me një zogori krushqish tejet të uritur.

Është koha për të hapur kapitullin e bashkimit me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve, jo me LSI-në e tahmaqarëve. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Pëllumb Xhufit, Sabit Brokajt, Ndre Legisit, Fatos Klosit e Mustafa Muçit, e të mijëra të tjerëve si ata në opozitë me Sali Berishën.

Padyshim, jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës. E cila s'ka qenë e s'mund të jetë dot asgjë më shumë se sa ajo që ne dinim qysh ditën e ndarjes me të dhe që tani e gjithë Shqipëria e pa me sytë e saj: një bahçe private e politikës së vjetër prapa oborrit të Sali Berishës.

Është koha për të hapur diskutimin për formën e re të bashkimit e bashkëpunimit opozitar me aleatët tanë të vegjël.

Është koha për të hapur një dialog edhe me forcat e tjera opozitare me Sali Berishën, qoftë ato politike, qoftë ato sociale. Për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit konkret në aksionin politik për zbardhjen e ndëshkimin e krimit elektoral.

Është koha padyshim për të hapur edhe një debat të gjerë në parti, paralelisht me betejën e përditshme opozitare. Sepse jo vetëm s'ka arsye të ndalemi në reformimin e transformimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste, por përkundrazi duhet të shkojmë përpara, duke reflektuar me të gjithë anëtarësinë çfarë duhet të bëjmë në të gjitha nivelet e organizatës tonë, për të rritur forcën e impaktin tonë në shoqëri.

S'kam qenë kurrë kundër rishikimit të statutit, sepse gjithnjë kam besuar tek nevoja e cikleve të reformimit të brendshëm të partisë, për të garantuar mbarëvajtjen në rrugëtimin me kohën e shoqërinë që ndryshon, për t'iu adaptuar vijimësisht kushteve të një realiteti shqiptar aspak uniform në zhvillimin e tij, për të vënë në lëvizje e harmonizuar sa më shumë energji njerëzore në funksion të objektivave të punës sonë.

Ne duhet të rishikojmë jo vetëm statutin, por edhe të rregullojmë tërësinë e veprimtarisë së bashkimit tonë vullnetar, duke plotësuar të gjithë boshllëqet që kemi në standardizimin e kulturës së organizatës tonë.

Demokratizimi i mirëfilltë e funksional i partisë është pikërisht pranimi e respektimi i standardeve të lirisë brenda një sistemi rregullash e detyrimesh, që s'mund të shkelen apo anashkalohen sipas dëshirës nga kushdoqoftë. Jemi në momentin e duhur dhe kemi të gjithë kohën e nevojshme që na duhet për një proces gjithëpërfshirës, që brenda një periudhe të arsyeshme të na çojë në një rezultat optimal e të qëndrueshëm me këtë reformë. E cila, e përsërisë, nuk duhet të jetë thjesht statutore, por tërësore në sistemin tonë të organizimit e funksionimit.

Më lejoni tani që ta lë statutin për në kohën e tij, dhe t'u drejtohem nga kjo tribunë të gjithë atyre që në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, në këtë parti dhe jashtë kësaj partie, morën pjesë me gjithë shpirt, nga afër apo nga larg, në fushatën tonë të 28 qershorit.

Punuan a thjesht folën, ku mundën me entuziazëm. Bën gjithçka kishin në dorë. U përfshinë me pasion e kontribuuan me votë për ndryshimin e madh. U angazhuan seriozisht në komisione e në numërime që shpesh herë kaluan në vuajtje të vërteta njerëzore. Dhe në fund nuk morën frytin e merituar të përkushtimit e angazhimit të tyre.

Unë e di mirë se çfarë keni ndjerë dhe përjetuar pas përfundimit të asaj përpjekjeje të stërlodhshme. Dhimbja, boshllëku e trishtimi juaj kanë edhe qenë dhimbja, boshllëku e trishtimi im përpara realitetit dramatik të një beteje ku fuqia jonë për një politikë të re shqiptare të ëndrrave dhe të shpresave nuk ia doli të fitojë këtë radhë mbi fuqinë abuzive të makinerisë elektorale të shtetit që i shërbeu pushtetit të korrupsionit e të gënjeshtrave hiperbolike.

Këta muaj s'kanë qenë aspak bujarë për zemrat e mendjet tona të trazuara nga mosrealizimi i një objektivi për të cilin as unë as ju nuk kursyem asgjë.

Dua t'ju përulem me mirënjohje të gjithëve për gjithçka bëtë e dhatë nga vetja dhe t'ju falënderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen e pakursyer që me keni dhënë deri në 28 qershor, si edhe për mijëra mesazhet vëllazërore, solidare e inkurajuese që më keni dërguar në këtë periudhë jo të lehtë për ju e për mua.

Por do të më lejoni sidoqoftë të veçoj këtu një njeri, mikun e bashkëpunëtorin tim të afërt në ditë të mira, por sidomos në ditë të vështira, Gramoz Ruçin, të cilit i jam veçanërisht mirënjohës, jo vetëm sepse në fushatën e 28 qershorit bëri si gjithnjë, me angazhimin më të veçantë nga të gjithë, e këtë herë edhe me rezultatin më të mirë nga të gjithë detyrën e tij, por edhe sepse me udhëheqjen e shkëlqyer, me organizimin deri në detajet më të vogla e me fitoren spektakolare në qytetet e në fshatrat e Qarkut të Fierit, ka dhënë dëshminë më kuptimplotë të kotësisë e të cektësisë së pretendimeve të pathemelta apo të karshillëqeve të ngutura për të shpjeguar humbjen në këta muaj të nxehtë.

Sipas pretendimit më kumbues, nuk kishim program. Ky pretendim në fakt jo vetëm fyen punën e atyre qindra njerëzve të cilët e kanë shkruar programin tonë qeverisës, por fyen edhe inteligjencën e atyre që na kanë votuar masivisht, madje jo vetëm shumë më shumë se në 2005, por edhe më shumë akoma se në 2007 në kryeqytet e në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, ku kemi fituar bindshëm në 28 qershor.

A e dini se ndërkohë që në vitin 2007 kemi fituar në 33 bashki bashkë me LSI-në, kurse në 28 qershor kemi fituar vetëm si Parti Socialiste në 47 bashki ose në 61 % të hapësirës urbane të vendit?

"Nuk kishim program për fshatin". Kjo nuk bën sens, sepse në të gjithë zonën rurale e bujqësore të Qarkut të Fierit, kemi fituar thellë dhe kemi kaluar nga nivelet e papranueshme të vitit 2005, por edhe të vitit 2007, në nivele plotësisht të kënaqshme.

Ashtu siç kemi fituar edhe në ato zona bujqësore të shkëputura ku nuk janë planifikuar apo nuk janë bërë dot manipulime të ndjeshme, siç është shembulli mes shumë rastesh Kopliku e Gruemira në Malësinë e Madhe, ku në tërësinë e territorit ka patur një deformim të rëndë të rezultatit përmes manipulimeve.

E vërteta është se jo programi ynë, por programi i operacionit të grabitjes e manipulimit të rezultatit në rrethina urbane e në zona rurale vulnerabël, për shkaqe, faktorë e aktorë që do të na duhet t'i identifikojmë e t'i analizojmë me shumë kujdes, durim e qetësi, ka bërë të mundur përmbysjen e një rezultati që pa asnjë dyshim ka dalë ndryshe nga dora e popullit dhe ndryshe nga kutitë e votimit.

Nuk po marrë kohën tuaj për të kaluar me radhë pretendimet e atyre mes nesh që merren me humbjen, por po kaloj nga ai më kumbuesi për programin tek ai më tingëlluesi për këngën e fushatës.

"Humbëm sepse në këngë thuhej, unë do ta fitoj këtë garë dhe jo ne do ta fitojmë këtë garë."

Në fakt, kënga thotë "unë do ta fitoj këtë garë bashkë me ju" dhe sot më shumë se kurrë jam i vendosur që bashkë me ju, me të gjithë popullin opozitar të Shqipërisë, ta çoj përpara misionin tonë të pashmangshëm historik për ta ndryshuar këtë vend, duke ndryshuar në radhë të parë politikën. Sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë se nuk ka kthim mbrapa nga rruga jonë e re dhe mbi të gjitha nuk ka kohë shqiptare për tu humbur me përsiatje që e s'postojnë debatin publik nga kriza e rëndë e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e ekonomisë së këtij vendi tek probleme të brendshme të PS që duhet ma patjetër ti trajtojmë bashkërisht, por pa e kthyer në problem të panevojshëm për shqiptarët.

FUND

KOMENTE