English

Pano: Senatori Eduard Kenedi, ose politikani titanik

Historiani shqiptaro-amerikan, Nikolla Pano, vlerëson Senatorin Kenedi

Isabela Çoçoli/VOA

Uashington, 28 Gusht NOA/VOA - Historiani shqiptaro amerikan, Nikolla Pano, njëkohësisht edhe studiues i çështjeve shqiptare thotë se figura e Senatorit Eduard Kenedi është ajo e një politikani titanik, që e përmbushi detyrimin e tij sublim në shërbim të vendit, duke e vënë veten në pozitën e mbrojtësit për ata që kishin nevojë për një zë që të shprehte dhe luftonte për aspiratat e tyre.

Profesor Pano, çfarë ndikimi do të kishte në Senatin amerikan humbja e Senatorit Eduard Kenedi?

Senator Kenedi ishte një prej senatorëve të shkollës së vjetër në Senatin amerikane dhe do të thosha në gjithë Kongresin. Ai ishte një nga ata senatorë të aftë për të bashkëpunuar me republikanët si dhe me anëtarë të partisë të tij që kishim mendime të ndryshme prej tij për çështje kyçe. Ai ishte një person me influencë të madhe dhe me aftësinë për t'u dhënë formë ligjeve shumë të rëndësishme. Senator Kenedi ishte njeri i besuar i presidentëve, qofshin ata republikanë si Regan dhe Bush si dhe presidentëve nga partia e tij demokrate. Ai kishte një influencë të madhe në politikën amerikane dhe natyrisht në partinë demokrate. Ai lë një boshllëk të madh si në Senatin amerikan ashtu edhe në Partinë Demokratike dhe vjen në një kohë kur ndarjet partiake në këtë vend bëhen gjithnjë e më të theksuara. Në këtë drejtim, Senatori Kenedi ishte i aftë t'i bashkonte palët dhe është për të ardhur keq që në Senatin amerikan pak senatorë e kanë një aftësi të tillë.

I quajtur "luani i Senatit amerikan", analistët thonë se influenca e tij nuk vinte vetëm nga fakti se ai i përkiste familjes Kenedi, por edhe nga aftësitë e tij si politikan dhe patriot amerikan. Cila është pikëpamja juaj si historian?Â

Për mendimin tim, kur të shkruhen kapitujt e rinj të historisë amerikane Senatori Kenedi do të hyjë në të si një prej titanëve të Senatit. Ai njihej si "luani i Senatit", kryesisht për prestigjin, influencën dhe respektin që gëzonte. Por po t'i hedhim një sy kursit të historisë amerikane, Senatori Kenedi hyn në radhët e senatorëve të mëdhenj të shekullit të 19-të të vendit tonë, si Daniel Uebster dhe Henri Klei, të cilët ashtu si Senatori Kenedi ishin të aftë të shfrytëzonin influencën e tyre për të mbështetur ligje konstruktive dhe për të shuar përplasjet. Në periudhat më të fundit, ai mund të krahasohet me ligjvënës së tillë si Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tip O'Nill, Sem Rejbërn, një tjetër kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Lindon Xhonson, kur ishte udhëheqësi i shumicës në Senat, Everet Dirkson, senator republikan. Ashtu si Senatori Kenedi ata ishin ligjvënës luftarakë dhe mbronin deri në fund pikëpamjet e tyre, por kur gjërat vendoseshin ata ishin në gjendje të uleshin e të diskutonin së bashku e të mbeteshin miq. Dhe kjo për mendimin tim është një prej arsyeve që Shtetet e Bashkuara kanë në sistem politik kaq të qëndrueshëm. Senatori Kenedi ishte pjesë e kësaj tradite.

Një tjetër arsye që do ta bënte atë një figurë të rëndësishme në histori është fakti se ai sponsorizoi ose bashkë-sponsorizoi rreth 300 ligje madhore, krahas shumë të tjerëve më pak të rëndësishëm, për një sërë çështjesh nga të drejtat civile tek kujdesi shëndetësor, imigracioni, kujdesi për fëmijët dhe arsimi. Ai është nga ata të paktë senatorë të kanë arritur të sponsorizojnë, të argumentojnë dhe të miratojnë ligje nëpërmjet Kongresit.

Cili do të ishte vlerësimi juaj për rolin i Senatorit Kenedi në politikën e jashtme amerikane?

Unë do të thosha se Senator Kenedi meriton të vlerësohet jo vetëm si një figurë e rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara, por ai ishte edhe një faktor shumë i rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane. Ai njihet për rolin e tij ndërmjetësues për t'i dhënë fund luftës civile në Irlandën e Veriut, ai ishte zëri i arsyes në debatin për luftën në Irak dhe votoi kundër saj, si dhe më parë për luftën në Vietnam.

Si kampion i politikave të brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara, si Kenedi dhe si individ, çfarë imazhi lë pas figura e tij?Â

Për mendimin tim karriera e Senatorit Kenedi përmban disa mësime të rëndësishme për politikanët në përgjithësi, përfshirë këtu edhe politikën shqiptare. Ata do të përfitonin nga shembulli i tij, së pari duke kuptuar se politika e mirë kërkon që politikanët të bashkëpunojnë me njeri tjetrin për të miratuar ligje konstruktive. Gjatë karrierës së tij ai tregoi se njeriu mund të jetë mbrojtës i fuqishëm i qëndrimeve të tij, pa i bërë ato qëllim në vetvete. Dhe së treti, karriera e Senatorit Kenedi është shembull i faktit se ai hyri në politikë dhe qëndroi në politikë jo për t'u pasuruar apo për të pasuruar familjen e tij, por për t'i shërbyer popullit. Senatori Kenedi e vuri veten gjatë gjithë karrierës së tij në pozitën e mbrojtësit për ata që kishin nevojë për një zë që të shprehte dhe luftonte për aspiratat e tyre dhe kjo është natyrisht detyrimi më sublim i një politikani.Â

KOMENTE