English

Kandidati për kreun e PS Maqo Lakrori: Gara është serioze, ftoj Ramën në debat publik

Tiranë, 4 shtator NOA - Maqo Lakori, kandidati për kreun e Partisë Socialiste përballë Edi Ramës, ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se ka hartuar një platformë me të cilën ai konkurron.

Gjithashtu Lakrori i bëri ftesë publike rivalit të tij të vetëm në këtë garë, Edi Ramës për tu përballë në një debat publik pak para votimit më 26 shtator.

"Kam hartuar një platformë me të cilën konkurroj dhe që është botuar sot në formën e një broshure dhe do të shpërndahet në të gjitha strukturat e partisë.

Ftoj edhe konkurrentin tim zotin Rama që të botojë edhe ai platformën e vet.

Gjithashtu shpreh gatishmërinë time që krahas takimeve të pavarura të secilit, të paraqitemi së bashku në 12 qarqet e vendit në takime të përbashkëta me përfaqësues socialistë, në çdo bashki e komunë që të parashtrojmë secili platformat dhe argumentet e veta dhe tu përgjigjemi pyetjes së pjesëmarrësve.

Jam i gatshëm gjithashtu që unë dhe konkurrenti im të zhvillojmë një debat përfundimtar publik live në televizion një ose dy ditë para votimit të 26 shtatorit" deklaroi Lakrori.

"Ftoj të gjithë socialistët dhe opinion publik që të marrin pjesë në këtë proces dhe të japin kontributin e tyre për mbarëvajtjen e tij.

Ky nuk është procesi i dy individëve që konkurrojnë për një vend pune por është proces i Partisë Socialiste po njëkohësisht edhe i gjithë shoqërisë Shqiptare.

Është i gjitha shoqërisë shqiptare jo falë kandidatëve por për shkak të peshës që ka në jetën e vendit gjithçka që ndodhet në Partinë Socialiste.

Do të ftojë cilindo të interesuar që fillimisht të analizojë dhe krahasojë platformat e konkurrentëve dhe veprimtarinë e tyre deri në ditët e sotme në jetën politike të Shqipërisë, seriozitetin e garës e dikton rëndësia që ka për gjithë vendin dhe jo për të ardhmen e dy individëve, zgjedhja që përcakton vota e anëtarëve të partisë socialiste në datën 26 shtator" tha më tej kandidati për kreun e Partisë Socialiste, Maqo Lakrori. k.k/NOA

KOMENTE