English

Topi e Berisha mesazhe ngushëllimi Shkupit dhe Sofjes, për tragjedinë në Ohër

Tiranë, 6 shtator NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha kanë ngushëlluar sot homologët e tyre nwë Bullgari dhe Maqedoni për viktimat e aksidentit tragjik të fundosjes së anijes "Ilinden" në liqenin e Ohrit.

"Me keqardhje dhe hidhërim të thellë mësova për aksidentin tragjik të fundosjes së anijes turistike "Ilinden" në ujërat e Liqenit të Ohrit me 73 persona në bord, pjesa më e madhe e të cilëve ishin qytetarë bullgarë. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, më lejoni t'ju përcjell Ju si Kryetar i shtetit bullgar dhe nëpërmjet jush familjarëve të të gjitha viktimave ngushëllimet më të thella e të sinqerta për këtë humbje të rëndë! Ju lutem, pranoni Zoti President, ndjenjat e mbështetjes dhe solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të rënda të kësaj tragjedie njerëzore." - përfundon mesazhi ngushëllues i Presidentit të Shqipërisë drejtuar Presidentit të Bullgarisë Georgi Parvanov.

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha u ka dërguar mesazhe ngushëllimi presidentit të Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Në mesazhin tij drejtuar kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, për tragjedinë që ndodhi dje në liqenin e Ohrit, Berisha shprehet;

"Lajmi i vdekjes tragjike së turistëve bullgarë në ujërat e liqenit të Ohrit, në datën 5 shtator, më ka tronditur thellë mua, qeverinë shqiptare dhe popullin e vendit tim. Duke ju shprehur Ju, qeverisë bullgare, kombit tuaj mik dhe familjeve të viktimave simpatinë, solidaritetin dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të qeverisë shqiptare, unë lutem bashkë me ju që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar".

"I dashur zoti Kryeministër Gruevski, Humbja e jetëve në ujërat e liqenit të Ohrit të një numri të madh turistësh, në mëngjesin e datës 5 shtator, është një ngjarje tragjike që ka tronditur jo vetëm Ju, qeverinë tuaj dhe popullin mik maqedonas, por ka tronditur thellë edhe mua, qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Me këtë rast në emër të qeverisë shqiptare ju përcjell Ju, qeverisë tuaj dhe familjeve të viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem së bashku me të gjithë ju, që shpirtrat e viktimave të pafajshme që mbetën në ujërat e liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar" thuhej në mesazhin që Berisha i ka dërguar sot kryeministrit të Maqedonisë.

k.k/NOA

KOMENTE