Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hije dyshimi për mashtrim në zgjedhjet e pritshme të Nëntorit në Kosovë
English

Hije dyshimi për mashtrim në zgjedhjet e pritshme të Nëntorit në Kosovë

Mossuksesi në adresimin e shqetësimeve të përgjithshme rreth mashtrimit në vitin 2007, ngjall frikë që problemet e njëjta ose edhe më të rënda të rishfaqen edhe kësaj radhe në zgjedhjet vjeshtore të Kosovës. Sipas hulumtimit të Prishtina Insight, askush nga hajnat elektoralë të vitit 2007 nuk është vënë përballë drejtësisë

Nga Lawrence Marzouk dhe Mia Marzouk

Një hulumtim i bërë nga Prishtina Insight ka zbuluar që përderisa 57 njerëz janë dyshuar për hile elektorale në zgjedhjet e Kosovës të vitit 2007, asnjëri prej tyre nuk është vënë para gjyqit. Shqetësimet janë në rritje e sipër që mbase të metat e njëjta ose edhe më të këqija do të përsëriten gjatë zgjedhjeve lokale të nëntorit. OSBE-ja nëpërmjet një raporti kritikon prokurorët dhe policinë për anulimin e hetimeve për shkak se "nuk është bërë kontestimi i rezultateve" dhe për shkak të përkrahjes së arsyetimeve nganjëherë të pabaza pse nuk ka proceduar me rastet. Këtu përfshihet pamundësia për t'i gjetur dëshmitarët, madje edhe kur kanë pasur poste komunale. Sipas OSBE-së, mossuksesi në sjelljen e këtyre rasteve para drejtësisë "inkurajon pandëshkueshmërinë dhe mund të shpie deri te përsëritja e shpërdorimit në zgjedhjet pasuese". Po ashtu, doli që boja e padukshme e përdorur gjatë zgjedhjeve të 2007-s kishte qenë e cilësisë aq të dobët, saqë mund të lahej tërësisht me ujë, duke mundësuar kështu votimin e shumëfishtë. Është thënë se partitë politike kanë mbyllur sytë para dredhisë për shkak të negocimeve për "statusin" e Kosovës në atë kohë dhe si rezultat i sistemit me lista ta hapura, që ndoshta është keqpërdorur për sigurimin e zgjedhjes së disa kandidatëve. Janë shprehur shqetësime edhe për nivelin e dobët të përgatitjes së personelit të Komisionit Qendror Zgjedhor-KQZ, që do t'i drejtojë zgjedhjet e këtij viti për dallim prej zgjedhjeve të kaluara që janë menaxhuar nga OSBE-ja. Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së partisë opozitare, Aleanca për të Ardhmen e Kosovës-AAK, i ka thënë Prishtina Insight: "Ka pasur shqetësime serioze për hile zgjedhore në të gjitha nivelet. Nuk i është dhënë shumë KQZ-së, por është sekret publik që ka pasur manipulime". Megjithatë, Nesrin Lushta, kryesuese e KQZ-së, ngulmon që stafi "ka punuar në mënyrë shumë profesionale". Ajo thotë: "Po që se vazhdojmë me optimizmin dhe entuziazmin e njëjtë, do t'ia dalim deri në fund, ndërsa rezultati do të jetë rezultat real i përpjekjeve në respektimin e ligjit dhe vetëm të ligjit. Dëshiroj që këto zgjedhje të mbërrijnë deri në fund dhe apeloj edhe një herë te secili që të na përkrahë". Nuk ka padi për 57 rastet: Rezultatet e votimit nga 40 qendra votimi anulohen pas zgjedhjeve komunale dhe të Kuvendit të vitit 2007 për shkak të parregullsive dhe mashtrimit duke përfaqësuar kështu vetëm pak mbi 1 % të numrit total të votave. Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) ka parashtruar çështje me përmbajtje të aktiviteteve të supozuara kriminale në Zyrën e Prokurorisë Publike të Kosovës, që më pas ia ka kaluar ankesat zyrave publike komunale për ndjekje ligjore. Përkundër faktit që 36 raste të tilla të supozuara të mashtrimit elektoral, duke përfshirë 57 persona, u janë parashtruar prokurorive publike komunale, asnjëri prej tyre nuk është përballur me ndonjë seancë gjyqësore para ndonjë gjyqi. Pretendimet për mashtrim janë bërë në Gjakovë, Gllogovc, Prizren, Viti, Prishtinë, Lipjan dhe Malishevë. Ato kanë përfshirë qendrat e votimit ku gjoja numri i votuesve ka arritur 90%-shin, përderisa në hapësirat fqinje, numri total i votuesve ka shkuar vetëm deri në rreth 25 %. Po ashtu, ka pasur raste ku deri në 80 % e fletëvotimeve duket të jenë nënshkruar nga i njëjti person. Në Gjakovë, 10 raste të mashtrimit janë hedhur poshtë në janar të vitit 2009, mbi baza të "mungesës së dyshimit të arsyeshëm që i dyshuari ka bërë mashtrim në zgjedhje". Në Prizren, 12 ankesa të mashtrimit janë pranuar, por asnjë i dyshuar nuk është marrë në pyetje. Prokurorët janë shprehur se policia nuk ka mundur t'i lokalizojë disa të dyshuar, ndërsa disa raporte të KZAP-së nuk kanë përmbajtur informata të mjaftueshme sa për të nisur një hetim penal. Raporti i OSBE-së nga hulumtimi i bërë, i publikuar në maj, thekson mangësi serioze të kenë ndodhur gjatë marrjes me rastet e mashtrimit. Sipas këtij raporti, shumë raporte të KZAP-së kanë pasur emra specifikë të individëve për të cilët është supozuar të kenë qenë të përfshirë në mashtrim gjatë zgjedhjeve, ose të paktën të kenë qenë të pranishëm kur mashtrimi ka ndodhur. "Megjithatë, në disa rajone nuk ka pasur të dhëna të çfarëdo deklarate të marrë nga dëshmitarë relevantë, duke përfshirë dëshmitarët okularë, ndërkaq në disa raste prokurorët madje kanë dështuar gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve, emrat e të të cilëve shprehimisht janë dhënë në raportet e KZAP-së", thuhet në këtë raport. "Disa prokurorë kanë shkuar edhe më tutje me arsyetime mjaft të papranueshme për mosvazhdimin e hetimeve të tyre. Arsyetimet e tilla kanë përfshirë pamundësinë për t'i lokalizuar për qëllime të marrjes në pyetje, të dëshmitarëve, të cilët në fakt kanë qenë punëtorë në postet publike komunale dhe të cilët kanë raportuar se punojnë aty çdo ditë". "Në anën tjetër, pas kryerjes së pak ose fare pak hetimi, disa prokurorë kanë akuzuar të dyshuarit nëpërmjet padive të mbështetura me pak dëshmi". OSBE-ja ka thënë se këto dështime mund të numërohen si shkelje e obligimeve profesionale të prokurorëve dhe madje të shihen si shkelje e normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në raportin në fjalë, gjithashtu thuhet: "Hetimi efektiv i kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet jo vetëm që siguron përgjegjësi të personave fajtorë për krimet e tilla, por edhe shërben si frenues i shpërdorimit në të ardhmen". "Në të kundërtën, moshetimi i ashpër dhe ndjekja penalisht e rasteve të mashtrimit në zgjedhje, mund ta inkurajojë mosndëshkimin dhe të shpie përfundimisht në përsëritjen e shpërdorimit dhe keqadministrimit gjatë zgjedhjeve pasuese. Një gjë e tillë mund të rezultojë përsëri në zhvleftësimin e fletëvotimeve, vonimin e rezultateve të votimit, ose madje edhe në nevojën për përsëritjen e zgjedhjeve, po që se mashtrimet janë bërë në një shkallë të lartë". Në fund të fundit, jo edhe aq e padukshme Prishtina Insight, po ashtu, ka zbuluar dëshmi që ngjyra e përdorur gjatë zgjedhjeve të vitit 2007 ka qenë e cilësisë aq të dobët, sa që ka mundur të fshihet vetëm me pak ujë. Sipas njërës monitoruese, Albulena Sadiku, nga OJQ-ja INPO, Iniciativa për Progres, kushdo që ka dashur, ka mundur ta heqë atë prej gishtit. "Gjatë vizitave në qendrat e votimit, e kam testuar sistemin", thotë ajo. "Kam votuar një herë si duhet, pastaj i kam larë duart vetëm me ujë, pa sapun, dhe suksesshëm kam kaluar nëpër procesin e votimit edhe dy herë të tjera në tri qendra të tjera votimi në qytetin e Ferizajt". Sadiku potencon me kujdes faktin që ajo nuk ka mbushur fletëvotime dy herët e tjera, meqë qëllimi i saj ka qenë që ta paraqes problemin e mashtrimit pa pësuar akuzimet për marrjen pjesë në të. Prishtina Insight e ka pyetur KQZ-në për problemet me ngjyrën, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Aftësimi as deri në zero Gjithashtu, ka pasur shqetësime për nivelin e trajnimit të ofruar nga anëtarët e KQZ-së dhe nëse ata do të jenë ata të cilët do t'i drejtojnë zgjedhjet e 15 nëntorit. Zyrtarët e KQZ-së janë aftësuar dhe janë duke u aftësuar nga OSBE-ja dhe nëpërmjet fondeve të USAID-it. Nëse kjo do të jetë e mjaftueshme, mbetet temë për t'u debatuar. Avni Bytyçi nga OJQ-ja INPO, i cili ka qenë përgjegjës për 120 monitorime gjatë zgjedhjeve të vitit 2007, thotë se zyrtarët e KQZ-së në shumë fshatra nuk kanë qenë të aftësuar si duhet dhe se "nuk i kanë respektuar procedurat". "Problemi më i madh ka qenë kur votimi është ndërprerë. Nganjëherë ke mundur ta shohësh stafin e KQZ-së duke bredhur nëpër qendër të votimit - pa ndenjur në vendet e veta. Disa prej tyre bënin nga dy gjëra në të njëjtën kohë - duke rritur kështu gjasat për të bërë gabime". Në fshatin Greme, afër Ferizajt, "KQZ-ja nuk ka ditur si t'i numërojnë votat. Kështu monitoruesit me anë të librit të procedurave e kanë bërë një gjë të tillë bashkë me ta", shton ai. "Kur ka filluar numërimi, ka pasur gjithashtu probleme për shkak se disa persona të partive politike në KQZ nuk janë pajtuar me metodat". Shqetësime të ngjashme janë dëgjuar nga Afrim Demiri, ish-përfaqësues i partisë opozitare ORA në komisionin drejtues të KQZ-së dhe gazetar i Kohës Ditore. "Partitë nuk i kanë dërguar njerëzit e cilësisë së mirë", thotë ai. "Sekretariati i KQZ-së nuk ka qenë i trajnuar. Ka pasur presione në qendrat e votimit prej militantëve partiakë". Mund të votojë edhe i vdekuri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zotuar se lista elektorale do të përditësohet për zgjedhjet e nëntorit. Nesrin Lushta, kryesuese e KQZ-së, thotë: "Lista elektorale përbëhet prej dy pjesëve, njëra pjesë është ekstrakt qendror nga regjistri i përgjithshëm prej Ministrisë së Çështjeve të Brendshme dhe ka të bëjë me votuesit brenda territorit të Kosovës". "Pjesa e dytë ka të bëjë me votuesit jashtë Kosovës, meqë edhe ata mbajnë të drejtën për të votuar". Ata së pari duhet të aplikojnë për votim, e pastaj të votojnë. Andaj, kjo është arsyeja e vetme pse lista elektorale nuk është përditësuar akoma. Afati për të aplikuar për votim është 6 ose 7 shtator. Jemi duke punuar fuqishëm në këtë drejtim. "Ekipi ynë, KKZ - Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, me ndihmën e OSBE-së shkon në terren dhe kontrollohen emrat dhe mbiemrat, për të parë kush është gjallë e kush ka vdekur. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e KQZ-së". Leon Malazogu, i cili e ka kryesuar ekipin lokal të monitorimit gjatë zgjedhjeve të kaluara, vlerëson se deri 18.000 njerëz çdo vit kanë vdekur gjatë nëntë viteve pas listës zgjedhore është përpiluar para vitit 2007, kështu ka gjasa të mëdha që deri 162.000 persona të vdekur kanë qenë në listën e votuesve. Të dhënat për listën e votuesve janë siguruar nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që ka shqetësime serioze nëse lista për vitin 2009 do të jetë e saktë. Disa ekspertë janë shprehur se kanë frikë që mijëra persona të vdekur akoma mund të jenë në listën e votuesve. Në zgjedhjet e vitit 2007, lista e votuesve përfshinte Ibrahim Rugovën, ish-presidentin e Kosovës, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2006. Shumë familje nuk i raportojnë vdekjet në zyrat komunale dhe po që se nuk është bërë lajmërimi i vdekjes, lëshohet certifikata e vdekjes dhe personi ngel në listë. Mospërputhje të mëdha? Ibrahim Makolli, zëvendëskryetar i partisë opozitare AKR, Aleanca për Kosovën e Re, pretendon se partia e tij, ne fakt kishte fituar 21 % të votave, e jo 13 % të totalit të votave të vitit 2007. "AKR-ja ka qenë viktima më e madhe e parregullsive", ka thënë ai. "Ajo (vota) është mbajtur para pavarësisë, kjo ka qenë problem", shton ai. "Nuk kemi dashur ta prishim procesin politik, kështu që jemi sakrifikuar. Nuk jemi pishman: Për ne, statusi politik i Kosovës ka qenë gjëja më e rëndësishme". Makolli thotë se duhet instaluar kamera në qendra të votimit, në mënyrë që të parandalohet manipulimi i një shkalle të ngjashme në të ardhmen. Besnik Tahiri, nga AAK-ja, pajtohet se ka pasur problem serioz. "Zgjedhjet e fundit kanë pasur të meta serioze", thotë ai. "Ne duhet ta sigurojmë transportimin e fletëvotimeve... dhe kemi nevojë për një monitorim të besueshëm (të votave) të shoqërisë civile për të treguar cilat kanë qenë dëshmitë e tyre". Të hapur ndaj keqpërdorimit? Sistemi me lista të hapura është futur në zgjedhjet e vitit 2007 për t'iu mundësuar votuesve përzgjedhjen e dhjetë kandidatëve prej njërës parti që ata kanë dashur t'i përfaqësojnë. Në vend se të votojë vetëm për njërën parti politike, votuesi ka pasur mundësi të zgjedhë deri në 10 kandidatë specifikë. Secilit kandidat i është caktuar një numër sipas rendit në të cilin partia ka pasur dëshirë që kandidatët të zgjidhen. Problemet janë shfaqur për shkak se fletëvotimet në të cilat janë rrumbullakuar më shumë se dhjetë kandidatë, nuk janë shpallur të pavlefshme. Ky vendim është marrë për shkak të frikës se votuesit do të bënin gabime gjatë përballjes me fletëvotime të komplikuara, që ka përfshirë kandidatët për tri zgjedhjet veç e veç. Në rastet kur një votues ka zgjedhur më shumë se dhjetë kandidatë, dhjetë kryesorëve u janë dhënë votat, bazuar në preferenca individuale partiake. Disa kandidatë të pasuksesshëm kanë pretenduar se fletëvotimet kanë qenë të përpiluara asisoj sa kanë favorizuar deputetët e synuar të rangut më të lartë. Ibrahim Shala, një kandidat i dështuar i PDK-së për Kuvendin e Kosovës në vitin 2007 dhe tani drejtor i Marrëdhënieve Publike për Ministrinë e Forcave të Sigurisë të Kosovës, është deklaruar për Prishtina Insight: "Shumë njerëz nga ana partiake kanë dërguar drejtimin e një liste specifike të njerëzve që duhet të fitojnë". "Nëse ke rrumbullakuar më shumë se dhjetë kandidatë, vetëm 10 më kryesorët do të merren parasysh. Kështu personat e partive shtohen në top dhjetëshe". "Ka qenë procesi i dytë i votimit, gjatë procesit të numërimit". Ai ka thënë që mënyra më e mirë për shmangien e mashtrimit në të ardhmen do të ishte zhvleftësimi i fletëvotimeve me më shumë se 10 kandidatë të përzgjedhur. Kush do ta monitorojë votën dhe ku do të mbahet ajo? Ndërkohë me vetëm dy muaj para nëntorit, ende është e paqartë kush do t'i monitorojë zgjedhjet lokale. OSBE-ja, misioni i sundimit të ligjit i BE-së, EULEX-i, Zyra Ndërkombëtare Civile, ICO-ja dhe EUSR-ja tanimë kanë thënë se nuk do t'i monitorojnë zgjedhjet. Në një deklaratë të OSBE-së thuhet: "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do t'i organizojë zgjedhjet. Në përputhje me mandatin tonë, ne tani i sigurojmë asistencë dhe këshillim KQZ-së dhe sekretariatit të tij. Krahasuar me vitin 2007, kjo asistencë është më e vogël për nga vëllimi, meqë, për shembull, nuk jemi të përfshirë në numërim dhe qendrat e votimit ose në certifikimin e rezultateve". KQZ-ja ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të ndihmojë me monitorim, por akoma nuk është marrë ndonjë përgjigje. OJQ-të lokale duhet ta japin maksimumin në plasimin e njerëzve në terren. Ndërkohë që, komunat në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet, akoma nuk janë caktuar. Edhe pse Zyra Ndërkombëtare Civile-ICO, pretendon t'i ketë të gjitha komunat e reja sipas Planit të Ahtisaarit, të gatshme për të votuar më 15 nëntor, ngelet për t'u parë nëse ata do të jenë të gatshëm t'i realizojnë këto zgjedhje. Kjo është çështje e negocimeve intensive të brendshme dhe ndërkombëtare, me disa argumentime se asnjëra prej komunave të reja me shumicë serbe nuk do të përfshihet në votim, në raste se në vota dalin një numër shumë i vogël njerëzisht. Piether Feith, kryeses i ICO-së, thotë se në konsultim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, "autoritetet kosovare janë duke vlerësuar aktualisht sa prej këtyre komunave të reja janë tashmë në një pozicion për të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit". Ai shton: "Me sa duket, numri i personave që do të dalin në këto votime është çështje kryesore. Andaj, shpresoj fort që Qeveria e Serbisë do t'i inkurajojë serbët e Kosovës që të përfitojnë nga kjo mundësi".Â

KOMENTE