Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ndoshta është veçse spital burgu
English

Ndoshta është veçse spital burgu

Nuk është OKB-ja vendi ku fuqitë e mëdha bëhen bashkësi ndërkombëtare. Në OKB ato vazhdojnë të mbesin fuqi të mëdha. OKB-ja, më parë, është fushëbeteja e tyre. Kosova është fushëpaqja. Kosova është vendi ku ata bëjnë paqe. Kombet nuk janë të bashkuara në Kombet e Bashkuara por në Kosovë. Ndërkaq, Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu ekzistojnë që ta shprehin kënaqësinë lokale, në emër të të gjithë neve, për këtë bashkim ndërkombëtar. Se, ruana Zot, mos po mendon ndokush mandej që krejt kjo është veç një farsë e dhunshme me vendasit e defaktorizuar

Nga Albin Kurti

Newborn. Kaq. Vetëm kaq. I porsalindur. Ama, njëherë i porsalindur, gjithmonë i porsalindur. Lindi bebja, por ajo nuk do të ushqehet që të rritet e pavarësohet, dhe nuk do të pastrohet që të jetë e shëndetshme dhe e gëzuar. Pra, nuk do të ketë zhvillim ekonomik dhe sovranitet. Dhe, nuk do të eliminohen strukturat paralele të Serbisë e as korrupsioni në majat e sistemit. U lejua që bebja të pagëzohet me të gjitha ceremonitë por jo edhe të jetojë normalisht. E futën atë në një inkubator kot, pa afat se kur do t'i përfundojë qëndrimi aty. Obeliskut Newborn përballë ndërtesës së EULEX-it thuajse me qëllim nuk iu gjet një vend tjetër: EULEX-i e mbikëqyr nga lart ndryshkjen e Newborn-it. Mbikëqyrja e këtillë është fjalë e zbërthyeshme - vetëm këqyrja nga lart. Mbikëqyret diçka që është vlerësuar e paaftë dhe për shkak se është vlerësuar e paaftë. Kaq. Vetëm kaq. Jo që me gjithë mend të aftësohet ajo. Gerald Knaus nga ESI pat deklaruar që Kosova është protektorati i dytë evropian (duke e menduar Bosnjën si rastin e parë). Porse ky mund të jetë më parë projekti se sa realiteti. Meqë është më keq se kaq. Kosova nuk është protektorati i dytë evropian sepse Kosova nuk është protektorat vetëm evropian. Kosova është protektorat i konsensusit ndërkombëtar. Kosova është protektorat i emëruesit më të vogël të përbashkët të fuqive të mëdha. Kosova është vendi ku dallimet ndërmjet tyre merren vesh vetëm përgjatë përpjekjeve të tyre për t'i harmonizuar divergjencat. Kosova është pika e cila fuqitë e mëdha i bën bashkësi ndërkombëtare, është konteksti ku ato e arrijnë unitetin. Nuk është OKB-ja vendi ku fuqitë e mëdha bëhen bashkësi ndërkombëtare. Në OKB ato vazhdojnë të mbesin fuqi të mëdha. OKB-ja, më parë, është fushëbeteja e tyre. Kosova është fushëpaqja. Kosova është vendi ku ata bëjnë paqe. Kombet nuk janë të bashkuara në Kombet e Bashkuara por në Kosovë. Ndërkaq, Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu ekzistojnë që ta shprehin kënaqësinë lokale, në emër të të gjithë neve, për këtë bashkim ndërkombëtar. Se, ruana Zot, mos po mendon ndokush mandej që krejt kjo është veç një farsë e dhunshme me vendasit e defaktorizuar. Le ta përkthejmë tash këtë tek metafora e mësipërme. Protektorati është inkubatori i bebes, kurse konsensusi është pohimi që mjekët shpesh e bashkërisht ia bëjnë njëri-tjetrit dhe bebes, ashtu pa zë e vetëm me tundje koke. Pra, Kosova është bebja për të cilën mjekët mbikëqyrës ndërtojnë konsensus, mjekët që ia zgurdullojnë sytë asaj atëherë kur nuk janë duke e bërë nga një sy gjumë për veten e tyre. Kosova është bebja për të cilën mjekët, përndryshe grindavecë e qaramanë, bien kollaj dakord. Mjekët mbikëqyrës të bebes e duan gjendjen stabile? Në fakt, mjekët e duan stabilitetin e dakordimit të tyre dhe jo të bebes. Apo, më saktë, e duan stabilitetin e gjendjes së bebes në masën që kjo gjë është e nevojshme për stabilitetin e dakordimit të tyre. Problemi nuk është bebja e hospitalizuar, por spitali. Beben nuk e bëri pacient sëmundja por spitali. Në një poster të VETËVENDOSJE!-s patëm shprehur shqetësimin tonë, jo kundër obeliskut të NEWBORN-it, por për shkak të vërtetësisë së trishtueshme të tij pas asaj që u quajt shpallje e koordinuar e pavarësisë: - Bebja s'ka vullnet dhe as që mund të ketë vullnet. Bebja është në mëshirën e të tjerëve. - Bebja s'ka vetëdije për interesat e saj. Të tjerët ia përcaktojnë bebes interesat. - Bebja është absolutisht e varur nga të tjerët, posaçërisht nga nëna e cila e ushqen. - Bebja e thith gjirin e cilësdo nënë sepse nuk e dallon dot se cila është nëna e vërtetë. - Bebja qan shpesh por kjo nuk merret aq seriozisht. Bebja flen shumë dhe kjo i gëzon të gjithë. - Bebja s'ka histori dhe nuk i dihet ardhmëria. Pas shtatzënisë nëntëvjeçare me UNMIK-un, bebja njëvjeçare ende po mbahet në inkubator. - Bebes i duhen 18 vjet për demokraci. Për 18 vjet me radhë ajo konsiderohet e mitur dhe s'ka të drejtë vote. - Mjekët ndërkombëtarë dhe vendorë e kanë definuar beben jo si njeri, por si qenie sui generis. - Kjo bebe nuk lëngon sepse s'ka prindër dhe është jetime. Kjo bebe lëngon sepse ka tepër shumë prindër. - Kosova është vetëm një shtet i ri, është veçse bebe, nga pikëvështrimi i OKB-së. NEWBORN është disenjuar me syrin e ndërkombëtarëve dhe për syrin e tyre. Por ama si u bë që u bëmë bebe? Ne e dimë që s'jemi bebe. Kujtesa që kemi nuk është e implantuar. Në fakt, vazhdimisht janë përpjekur që të na e fshijnë kujtesën. Nuk iu ka penguar që s'kemi kujtesë por pikërisht që e kemi atë. Edhe Newborn është emër projekti e jo përshkrim realiteti. Jo vetëm që ky popull ekzistonte qysh moti, por edhe shoqëria e institucionet e tij janë të vjetra, më të vjetra edhe se mosha e shumë prej mjekëve mbikëqyrës. Në kohën e okupimit të Serbisë i ngjanim disi të burgosurit politik, të cilin e rrahin, e torturojnë, por i cili ka subjektivitet dhe mban qëndrimet e tij. Të burgosurin e akuzojnë, e fyejnë, e dënojnë, ama si një të rritur të padëshirueshëm për ta. I burgosuri politik vazhdon të jetë i rrezikshëm për ata që mbesin jashtë burgut. Me mbarimin e okupimit të Serbisë mbase dolëm nga burgu por me gjasë përfunduam në spital. Nëse sistemi dikur na mbante të burgosur për t'u mbrojtur prej nesh, tash na mbajnë në spital duke u shtirur se po na mbrojnë nga vetvetja jonë. Thuajse e kundërta e burgut të zi na qenka spitali i bardhë. Dhe se nuk ka asgjë ndërmjet apo përtej këtyre. Se çmimi i heqjes së dhunës mbi subjektin është subjekti pa subjektivitet. Se ata që duan të dalin nga spitali i pret mjeku që i kërcënon me burg. Pa protokoll po bëhet e qartë se nuk kemi dalë me tamam nga burgu. Se tashti nuk jemi të lirë vetëm sepse nuk jemi në burg dhe sepse jemi në një spital. Se ndoshta ky spital është veçse spital burgu.

KOMENTE