English

Tërmeti, reagon Ministria e Brendshme: PS qëndrim politik, qeveria po ndihmon banorët

Tiranë, 13 shtator NOA - Ministria e Brendshme ka lëshuar një deklaratë ditën e sotme me anë të së cilës ka përgënjeshtruar deklaratën e Partisë Socialiste e cila u shpreh se qeveria po neglizhon banorët e goditur nga tërmeti një javë më parë në Dibër.

"Partia Socialiste kujtohet të artikulojë politikisht qëndrimin e saj edhe më vonë sesa qeveria vepron praktikisht në terren në ndihmë të qytetarëve.

Ndërhyrja e qeverisë menjëherë pas rënies së tërmetit ka qenë e shpejtë dhe efikase.

Janë ngritur menjëherë dy kampe me çadra në komunat Gjoricë dhe Shupenzë.

292 çadra janë shpërndarë për banorët, shtëpitë e të cilëve janë konsideruar të pabanueshme në komunat Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Ostren dhe Maqellarë. Ndërkohë, 65 çadra janë në gjendje në Komunën Shupenzë.

3.2 tonë ushqime u janë shpërndarë banorëve në këto komuna për të përballuar situatën emergjente të këtyre ditëve" deklaroi Ministria e Brendshme.

Sipas kësaj ministrie, qeveria ka deklaruar se banorët e shtëpive të pabanuara mund të strehohen edhe në shtëpi me qira, ku Ministria e Brendshme do të ndihmojë financiarisht.

Ekspertët dhe grupet e punës të Ministrisë së Brendshme, Entit Kombëtar të Banesave dhe të Qarkut të Dibrës janë në terren që nga dita e parë pas rënies së tërmetit dhe po kryejnë vlerësimin e dëmeve. Deri më tani është vlerësuar dëmi për 392 banesa.

"Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen për shprehjen e qëndrimeve të pabaza dhe informacioneve të pavërteta nga ana e Partisë Socialiste.

Ministria e Brendshme siguron opinionin publik se qeveria ka vënë dhe do të vërë në dispozicion gjithçka të nevojshme për të riparuar të gjitha pasojat e tërmetit në zonën e Dibrës" përfundoi deklaratën e saj Ministria e Brendshme.

k.k/NOA - Lexoni si erdhi reagimi: Tërmeti, PS: Qeveria nuk bëri asgjë për banorët, u dërgoi vetëm fasule dhe makarona

KOMENTE