English

Qeveria e Integrimit Evropian shpall SHBA, aleatin më të madh e strategjik të Shqipërisë

Tiranë, 18 Shtator NOA Update - Qeveria e Integrimit Evropian ka vendosur që Shtetet e Bashkuara të jenë aleatin më i madh e strategjik i shqiptarëve, kurse vendet arabo-islamike dhe Konferenca Islamike, nuk zënë vend në programin e qeverisë së re.

Kjo u konstatua në programin politik të qeverisë së re, që kryeministri Sali Berisha ka prezantuar në Kuvend.

"Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me aleatin më të madh e strategjik të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të përbëjnë përparësi kryesorë të politikës sonë të jashtme", - deklaroi Berisha.

Ai premtoi ndërkohë se Shqipëria Evropiane, Shqipëria anëtare e NATO-s do të vazhdojë një politikë të jashtme të paqes dhe do të forcojë edhe më tej rolin tashmë të konsoliduar të saj, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

"Politika e Jashtme e qeverisë së integrimit evropian do te vijojë të luajë rol të rëndësishëm dhe të kontribuojë në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit në të gjithë sistemin e organizatave ndërkombëtare e rajonale ku Shqipëria aderon, duke intensifikuar prezencën dhe pjesëmarrjen më aktive në veprimtaritë ndërkombëtare", - theksoi Berisha.

Ai siguroi se Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë marrëdhënie shumë të mira politike dy-paleshe me te gjithë vendet demokratike të botës.

"Qeveria e Integrimit Evropian do të zgjerojë dhe konsolidoje edhe më tej marrëdhëniet e ngushta e të shkëlqyera dhe bashkëpunimin e gjithanshëm me të gjithë vendet partnere e aleate, anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në tërësi dhe në veçanti Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Spanja dhe vende të tjera", - u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë marrëdhënie shumë të mira me vende mike si Japonia, Kina, India, Australia, Brazili, vende tjera të Amerikës Latine, vendet arabe, vende të Afrikës, me të cilat është e gatshme të çojë më tej nivelin e tyre në të gjitha sferat e interesit reciprok dhe shkëmbimeve si vende të rëndësishme e me peshë të veçantë në arenën globale.

"Në rajon, qeveria e Integrimit Evropian do të vazhdojë t'i konsiderojë si strategjike marrëdhëniet e shkëlqyera dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet fqinje e mike, aleate në NATO dhe partnere ne BE, Italinë dhe Greqinë, të cilët përbëjnë partneret kryesore tregtarë e ekonomik të vendit tonë. Tradita e shkëlqyer e marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO do të vijojë të thellohet në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta të sigurisë, paqes dhe te zhvillimit ekonomik", - ka premtuar Berisha.

Kurse shtoi se marrëdhëniet me Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe me Serbinë, do të kenë një rendësi te veçantë në politiken tonë të jashtme dhe aksionin diplomatik të Shqipërisë.

"Qeveria do të punojë për të kthyer në tërësisht funksionale, Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, Tregun e Përbashkët të Energjisë, infrastrukturat e rrjeteve energjetike e te transportit në rajon etj.", - ka deklaruar kryeministri.

e.r/NOA

Komentoni më poshtë, politikën e jashtmë të "Berisha 2"

KOMENTE