Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Në anën e rezistencës
English

Në anën e rezistencës

"Çdo herë kur thuhet se historia i ka dhënë të drejtë dikujt, në fakt, mendohet që e ardhmja i ka dhënë të drejtë atij. Pra, mendohet që në të ardhmen, atëherë kur të kaluarës do t'i referohemi si histori, do të thuhet se filani ka pasur të drejtë"

Nga Albin Kurti

Çështja shqiptare e posaçërisht Kosova tradicionalisht janë ndodhur përbrenda katrorit të përbërë nga pushteti i huaj, pushteti vendor, populli dhe lëvizjet e ndryshme jashtë sistemit. Ndryshimi i raporteve ndërmjet këtyre ka shënuar faza të ndryshme të historisë dhe ka përcaktuar orientimin politik të kohës.

Mirëpo, nëse ka diçka që përvijohet si e përbashkët, si universalitet i të gjitha periudhave, atëherë kjo është rezistenca e formësuar prej lëvizjeve të ndryshme ilegale e gjysmëlegale. Këto lëvizje e demaskonin pushtetin e huaj, por edhe atë vendor që zakonisht ishte po aq i huaj. Dhe ky demaskim nuk kishte se si të ngjante ndryshe përveçse duke e sfiduar maskën e pushtetit por edhe vetë pushtetin. Dihet se çfarë ngjante mandej: në njërën anë pasonin arrestimet, burgosjet, torturat e vrasjet e veprimtarëve, kurse në anën tjetër pushteti ia përmirësonte gjendjen politike popullit, e që shoqërohej pastaj edhe me përparim ekonomik e kulturor. Progreset e deritanishme politike në Kosovë nuk janë iniciuar nga pushtetet dhe as nuk janë ushqyer nga to. Progresi politik në Kosovë ka disi esencë negative: të arriturat e deritanishme janë koncesione të pushteteve ndaj trysnisë popullore të ushqyer nga lëvizjet e ndryshme, në mënyrë që ato të arritura të mos jenë të plota. Pushtetet janë modeluar e rimodeluar duke iu përshtatur rezistencës e jo anasjelltas. Pushtetet janë përshtatur në mënyrë që të mbesin pushtete sado që të zvogëluara. Rezistenca është ajo që gjithmonë ka prirë. Kur je në pushtet mbase je lart, porse nuk je përpara, je mbrapa. Në rezistencë, ndoshta je poshtë, ama gjithsesi je përpara.        Â

Ali Aliu, Baca Ali, është një jetë e këtillë. Një jetë rezistencë. Në anën e rezistencës, përjetësisht. Saqë, nuk ka më njeri individ aty te Baca Ali, është vetëm kjo jetë, e gjitha rezistencë. Ka shumë njerëz të rezistencës, njerëz si rezistencë, ama jo edhe jetë rezistencë, jo edhe jetë si rezistencë. E gjithë jeta si rezistencë është shumë shumë e rrallë. E, një jetë e gjatë si kjo e Bacës Ali, 85 vjeçare, e gjitha kushtuar rezistencës, është gjithsesi e pashembullt.

Baca Ali nuk ka ecur me kohën, sepse ‘ec me kohën' do të thotë përshtatu. Baca Ali e ka kuptuar që nuk i bën vetëm koha njerëzit por edhe njerëzit e bëjnë kohën, pikërisht duke i rezistuar asaj. Prandaj, Baca Ali kurrë nuk ia ka nënshtruar strategjinë taktikës e ideologjinë politikës ditore. E ka kuptuar mirë përkohësinë e pazareve e lojërave të momentit sepse ka besuar në Ide me ‘I' të madhe, në idenë që nuk e kufizon koha të cilën ne e jetojmë si individë apo si brez. Njeriu për Bacën Ali është njeriu me ide e jo një trup që flet gjersa mendon se si duket vizuelisht.Â

Në rezistencë është më së vështiri. Sepse pushteti e ka fabrikën. E ka ndarjen e punës. Pushteti e ka komoditetin e shndërrimit në makineri. Rezistenca jo. Ajo kërkon njeri e njerëz të kompletuar. Edhe luftëtar, edhe organizator, edhe udhëheqës, edhe studiues, edhe analist, edhe orator, edhe çka jo tjetër... Pra, nuk i kërkon pushteti njerëzit e aftë e të përgatitur por rezistenca i do të tillët. Mu për këtë arsye vetëm në rezistencë kompletohesh e ngrihesh. Mbase e keni parë se si njerëzit e rezistencës kur ngjiten në pushtet disi nuk na ngjanë më të mençur e të ditur si përpara. Kjo nuk është për shkak se në pushtet i njohim më mirë ata, por për shkak se pushteti i topit intelektualisht dhe i bën sipërfaqësor. Në rezistencë mendohet, në pushtet ekzekutohet.

Kur populli është i shtypur nga pushteti, siç ishte e vazhdon të jetë populli ynë, atëherë patriotët janë të përjashtuar nga sistemi. Pushteti patriotëve iu bën oferta që të përfshihen, por aso ofertash që i ndajnë ata nga populli ashtu qysh është i ndarë vetë pushteti nga populli. Këto oferta patriotëve iu bëhen pikërisht që të mund të vazhdojë sundimi me popullin. Që populli të mos i ketë patriotët në gjirin e vet e pranë vetes, por kur t'i shikojë ata të mos mund t'i njohë më sepse detyrohet të shikojë larg e lart për t'i parë ata, ashtu siç shikon lart e larg kur e sheh pushtetin mbi veten.

Pothuajse secila parti në Kosovë është mundur ta bind Bacën Ali që ky të bëhet pjesë e saj. Natyrisht, që t'ia marrin emrin Bacës Ali. Që ta lënë pa emër Bacën Ali, që ta shkëmbejnë emrin e tij me vota të qytetarëve që sigurisht se e vlerësonin atë. Lëvizje e parti ka pasur gjithmonë në Kosovë, por Baca Ali nuk ka lëvizur: ai ka qenë gjithmonë në anën e Lëvizjeve. Â

Të mos i bësh këto nënshtrime do të thotë ta kuptosh rezistencën nga pikëvështrimi historik. Jo doemos do të çlirohemi e fitojmë plotësisht tash, por obligim parësor është që brezi i ardhshëm i rezistencës ta ketë më të lehtë punën si rezultat i qëndrimeve konsekuente të brezit aktual. Detyra parësore e brezit të tanishëm është brezi i ardhshëm, mundësitë e brezit të ardhshëm, e jo aktualizimi i mundësive të brezit të tashëm. Kjo vjen vetëm më pas. Nëse fillohet me aktualizimin e mundësive të brezit të tanishëm, pa kujdes për brezin që vjen, përfundohet në improvizime e ndërmarrje të atypëratyshme, eventualisht në përmirësime të menjëhershme e të vogla që sjellin me vete keqësime të mëdha e afatgjate. Kur mendon kësisoj, sikurse që mendon Baca Ali, atëherë nuk del më i pasur pas përfundimit të luftës, dhe nga ruajtja e shpirtit me konsistencë parimesh e idesh nuk kalon te ruajtja e trupit me truproje kokërruar e xhipa të blinduar. Baca Ali është dëshmi që veprimtari bën të jetojë në banesë dydhomëshe dhe të mos ketë pallate, se ai bën të ecë në këmbë e jo me vetura që u shkëlqen e zeza. Baca Ali është dëshmi e gjallë për të gjithë bashkëveprimtarët e tjerë që është e mundur të jetosh pa u shitur. Se mund të jetosh duke ruajtur parimet me dashuri dhe shpresën pa cinizëm. Se mund të jetosh pa skizofreni politike e cila kur përballet shprehet se: bën kështu, bën edhe ashtu, ndonëse nuk bën ta përjashtojmë edhe variantën ashtu-kështu.     Â

Çdo herë kur thuhet se historia i ka dhënë të drejtë dikujt, në fakt, mendohet që e ardhmja i ka dhënë të drejtë atij. Pra, mendohet që në të ardhmen, atëherë kur të kaluarës do t'i referohemi si histori, do të thuhet se filani ka pasur të drejtë. Mirëpo, Bacës Ali, qysh tash, i ka dhënë të drejtë aktualiteti. S'ka nevojë të presim të ardhmen për të thënë që historia i dha të drejtë. E tashmja, kur sundimtarët vijnë e shkojnë, kur pushtetarët ndërrohen për të mos ndryshuar gjendja e të tjerëve, kur varfëria e papunësia rriten kurse të drejtat zvogëlohen, kur shtohen e trashenlidhjet e varësisë së Kosovës me Serbinë, me protokolle e pa protokoll, e tashmja pra është dëshmia dhe testi i vërtetësisë, jo e ardhmja.Â

Përderisa s'jemi të lirë, liri kemi aq sa kemi rezistencë. Jetë kemi aq sa kemi liri. Nëse mund të diskutohet se kush nga veprimtarët e patriotët rezistoi më shumë, sigurisht se nuk mund të diskutohet se kush rezistoi më gjatë. Prandaj, pra për këtë arsye, urime ditëlindjen Baca Ali. Sepse, sa më e gjatë jeta jote, e tillë edhe rezistenca.

(*) Fjalim në Akademinë Jubilare me rastin e 85 vjetorit të lindjes së veprimtarit Ali Aliu, organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës

KOMENTE