English

Presidenti Topi uron për Ditën e Bajramit: Një ditë e madhe për besimtarët myslimanë

Tiranë, 20 shtator NOA - Besimtarët mysliman kanë marrë urimet me rastin e festës së Fiter Bajramit edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi sot paradite Bashkësinë Myslimane Shqiptare.

Në Hotel "Tirana International", Kreu i shtetit takoi dhe uroi Kryetarin e kësaj Bashkësie, Haxhi Ing. Selim Muça dhe më pas vizitoi dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit nga Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Reshat Bardhi. "Uroj që Fiter Bajrami, kjo ditë e pastrimit dhe dlirësisë shpirtërore, që vjen pas muajit të shenjtë të agjërimit e përkushtimit, të na ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, plot dashuri për familjet e të afërmit e me më tepër patriotizëm për Shqipërinë! - u shpreh Presidenti Topi në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, duke shtuar se

"harmonia dhe tolerance fetare, festimi i përbashkët i festave fetare përbëjnë disa nga tiparet e vyera të bashkëjetesës së kombit tonë, që ne i kemi trashëguar nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë akoma edhe më shumë vlerat të familjes së përbashkët evropiane, pjesë e së cilës do të jemi edhe formalisht së shpejti". Presidenti Topi e përsëriti urimin e tij edhe para mediave të pranishme duke theksuar:

"Së pari më lejoni që të ndaj së bashku me ju emocionet e kësaj dite të veçantë, që është një ditë e madhe në radhë të parë për besimtarët myslimanë! Besoj që sot është kulmimi i ditës së pastrimit apo kthjellimit të shpirtit, mbas një sakrifice të gjatë agjërimi dhe ju e dini që në kushtet e sivjetshme, agjërimi ka qenë vërtet një sakrificë e veçantë.

Por besimtarët myslimanë, që kanë raporte shpirtërore me Zotin, pavarësisht nga vështirësitë e motit, kanë ditur ta përballojnë dhe ky është mesazhi më i mirë i forcës së karakterit, i forcës së shpirtit, i asaj që përcjell Zoti tek të gjithë ne. Sot këtë urim e jap për të gjithë besimtarët myslimanë kudo ku ata jetojnë, në radhë të parë për besimtarët shqiptarë, duke qenë i bindur që festat ne i gëzojmë së bashku dhe besoj që është edhe një apel që Dita e Bajramit të japë më shumë harmoni midis njerëzve, më shumë dhembshuri për njerëzit në nevojë, më shumë solidaritet dhe fjala solidaritet natyrisht që vlen për të gjithë! Duhet të arrijmë në atë lloj solidariteti që të pastrojmë jo vetëm shpirtin, por të mos prekim me frymën e debatit pikërisht strukturën e konstitucionit shpirtëror!" tha Topi.

"Debati është shumë i nevojshëm, është shumë i rëndësishëm, por deri aty ku të mos preken kufijtë e tolerancës dhe solidaritetit. Kështu që kjo është dita për ta dhënë këtë mesazh dhe ky mesazh vlen për të gjithë" përfundoi urimin e tij Kreu i Shtetit.

k.k/NOA

KOMENTE