English

Lëvizja Vetëvendosje konstaton se po jepen 1890 ditë burg për 25 vetura

Prishtinë, 23 Shtator NOA - Plot 21 aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 60 ditë secilit. Kjo masë shtesë e rritë numrin e ditëve të paraburgimit në 90 për secilin aktivist të arrestuar.

Kështu del se të gjithë aktivistëve së bashku u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 1890 ditëve për dëmtimin e 25 veturave.

Këtë vendim e ka marrë sot Gjykata Komunale në Prishtinë. Dhe ky është vetëm fillimi - vetëm masa e paraburgimit. Këta aktivistë ende nuk janë dërguar në gjyq. Dhe ende nuk janë dënuar.

Ndaj Vetëvendosje shtron pyetjen: "Nëse paraburgimi po u dashka të zgjasë 1890 ditë, atëherë çfarë do të jetë dënimi?".

Në fakt, të premten më 25 shtator këta aktivistë mbushin plot 30 ditë qëndrimi në burg, të arrestuar pas aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje! kundër protokolleve që EULEX-i bëhej gati t'i nënshkruante (njërin prej të cilëve e nënshkroi) me Serbinë.

Në këtë aksion ishin përmbysur 25 vetura të EULEX-it, në shenjë proteste kundër padrejtësisë juridike dhe politike që paraqet EULEX-i në mandat dhe veprime.

"EULEX-i na e dëmton vendin, duke na mbajtur nën sundim ekzekutiv/kolonial e duke na i shtuar e trashur lidhjet me Serbinë. Ne ia dëmtuam atij veturat", - pohon Lëvizja.

Ajo vëren dhe faktin se nuk ka intervistë të ndonjë zyrtari të Pieter Feithit ose të zëdhënësve të EULEX-it ku nuk kërkohet dënimi i aktivistëve.

"Gjëja e parë që këta e thonë në paraqitjet e tyre publike është kërkesa për t'i dënuar aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për aksionin e 25 gushtit. Herën e fundit që ka dhënë intervistë për emisionin "Jeta në Kosovë", Pieter Feithi, njeriu me dy kësula (shumë fytyra e pushtet absolut) kishte deklaruar se ishte "e çuditshme se si askush nuk është sjellur para drejtësisë për dëmtimin e veturave".

Sipas Lëvizjes, këto janë ndërhyrje flagrante në paanshmërinë e gjykatës, për shkak se kjo që po flet përmes Feithit është politika ditore e një misioni të padrejtë dhe të imponuar përmbi ne.

Nisur nga ky fakt Vetëvendosje konstaton se Kosova nuk ka sistem të drejtësisë, por menaxhim e administrim të padrejtësisë.

"Padrejtësia në Kosovë nuk jeton vetëm në bazën juridike të sistemit, por edhe në shpërfaqjet praktike të tij. Përderisa 21 aktivistë të Lëvizjes mbahen për 1890 ditë në paraburgim për dëmtimin e 25 veturave të EULEX-it, strukturat paralele të Serbisë madje as që merren në pyetje kur dihet botërisht për të gjitha krimet e tyre, përfshirë vrasjen e 11 shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës në shkurt të vitit 2000", veçon Vetëvendosje.

Ajo përmend dhe dëbimin e 11 364 shqiptarëve nga atje në shkurt të vitit 2000, lëndimi i një numri të policëve të UNMIK-ut, rrezikimi i jetës së njerëzve gjatë ndërhyrjes për të penguar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut, shtënie me armë zjarri e granata dore me qëllim të vrasjes së njerëzve, djegia e pikave doganore në kufirin Kosovë Serbi, uzurpimin e dhunshëm të objektit të gjykatës së Kosovës në Mitrovicë, uzurpimin e dhunshëm të infrastrukturës hekurudhore në pjesën veriore të Kosovës, kontrabandimin e 300 mauneve në ditë me mall nga Serbia, etj.

Para një muaji Gjykata në Prizren ia kishte ndërprerë paraburgimin një të dyshuari për krime lufte. Me të dalë nga burgu ai ishte arratisur për në Beograd ku tash jeton i qetë nën mbrojtje të shtetit të Serbisë.

"Të gjitha këto krime përballen me heshtje nga EULEX-i dhe gjykatat vendore. Ndërsa të gjithë njëzëri i mbajnë në burg aktivistët të cilët i kundërshtuan protokollet që EULEX-i po i nënshkruan me shtetin kriminal serb. Kjo është padrejtësia në vepër dhe kthimi kokëposhtë i parimit të drejtësisë - padrejtësi e cila e shpërblen kriminelin dhe e dënon atë që e lufton krimin", - konstaton Lëvizja Vetëvendosje.

/a.b/k.b/NOA

KOMENTE