English

OMONIA denoncon denoncon shpërthimin me dhunë të zyrave qendrore në Sarandë

Sarandë, 27 Shtator NOA - Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek "Omonia" denoncon dhunën e ushtruar për hapjen me forcë të zyrave të saj qendrore në Sarandë.

"U bëjmë të ditur të gjithëve, se zyrat e Organizatës Politike dhe Etnike Omonia janë të hapura për të gjithë dhe nuk ka nevojë të thyhen bravat e të shqyhen", - deklaroi zyra për shtyp e organizatës në një dalje të posaçme.

OMONIA thotë se konsideron shqetësues faktin që "të gjithë drejtoret e Administratës Shtetërore me origjinë Greke, që u emëruan në këto poste nga PD në pushtet, si shpërblim për luftën që bënë kundër Organizatës Omonia në zgjedhjet e fundit parlamentare, ishin të pranishëm dhe organizatorë të këtyre veprimeve".

Organizata që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, thekson se "duam të besojmë se këto veprime nuk u nxitën nga politika qendrore", kurse shton:

"Sidoqoftë qeveria implikohet nga sjellja e nëpunësve të saj, me pjesëmarrjen e tyre në aksione të tilla".

Organizata vlerëson se të dy partitë e mëdha, janë përpjekur - pa rezultate - edhe më parë, që të tërheqin pas vetes Organizatën Omonia por shton se "asnjëherë ama nuk thyen bravat e as nuk i dhunuan zyrat".

Në përfundim, OMONIA thekson faktin se është Organizatë Politike e Minoritetit Etnik Grek, e cila lufton me dinjitet dhe mjete demokratike për të drejtat e komunitetit tonë. "Asnjëherë dhe askush nuk do të mundet ta përdorë atë për interesat e veta politike, qofshin këto partiake apo personale", - paralajmëron OMONIA.

/v.d/e.r/NOA/

KOMENTE