English

SHBA, Berisha: Shqipëria e gatshme të japë kontributin e saj për zgjedhjen e krizës globale

Nju Jork, 27 shtator NOA - Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në SHBA, ku premtoi se Shqipëria do të japë kontributin e saj për zgjidhjen e krizës globale.

Ai tha se kriza botërore preku edhe Shqipërinë por vendi u mbrojt nga kjo krizë për faktin se ka barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe ekonomia është e mbështetur gjerësisht në standarde liberale.

Më tej Berisha bëri thirrje për njohje të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës.

"Shqipëria dhe populli shqiptar, mbeten të angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe janë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre modest në përparimin e paqes, lirisë dhe sigurisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, luftën ndaj varfërisë, nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe prosperitetit si dhe mbrojtjes së mjedisit." tha Berisha gjatë fjalimit të tij.

Berisha është ndalur gjatë në çështjen e pavarësisë së Kosovës ku u shpreh: "Themelimi i shtetit të pavarur të Kosovës, ndonëse ka kaluar vetëm një periudhë kohore e shkurtër, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Evropës Jug lindore.

Në këtë vend që ka shpallur pavarësinë rreth 20 muaj më parë, janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, serbët nuk po largohen më nga Kosova, po ndodh e kundërta, shumë familje serbe po kthehen në Kosovë, për të ndërtuar aty të ardhmen e tyre.

Qeveria ime është e vendosur të ndihmojë dhe asistojë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për të lehtësuar kthimin e të larguarve në vend".

"Bashkimi Evropian ka dërguar aty misionin Eulex, i cili po bën një punë të shkëlqyer dhe po i jep një ndihmë shumë të çmuar qeverisë të Kosovës dhe autoriteteve të saj në konsolidimin e shtetit ligjor, demokracisë funksionale në Kosovë si dhe në zhvillimin e standardeve më të mira evropiane të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme etnike.

Ndërkohë, Kosovën e kanë njohur 62 vende anëtare të OKB-së dhe Republika e Kosovës është bërë anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Por Kosova ende nuk ka marrë vendin që meriton në familjen e kombeve sovrane, në këtë organizatë prestigjioze.

Me këtë rast dëshiroj të theksoj se të gjitha vendet, që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që e kanë pranuar atë në gjirin e tyre, si vend anëtar i pavarur e kanë bërë sepse mbi te gjitha ata janë të bindur se pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare sjell një kontribut madhor në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit" tha më tej Berisha.

"Ju bëj një thirrje të veçante të gjithë atyre vendeve që 14 vjet më parë, përmes rezolutës nr. 49/204, kërkuan me votën e tyre qe vullneti i popullit të Kosovës të njihet dhe të respektohet duke dhëne kështu një kontribut të madh në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë: Sot, 14 vite me vonë, ky vullnet është njohur nga 62 vende që asokohe e votuan ketë rezolute.

Shpresoj dhe besoj se edhe vende të tjera që votuan këtë rezolutë historike do të rikonfirmojnë vullnetin që shprehën 14 vite më parë, por kësaj here për të njohur shtetin më të ri evropian, Republikën e Kosovës" shtoi më tej kryeministri Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE