Tiranë, 29 shtator NOA - Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka ritheksuar marrëdhënien e kushtëzuar që PS do të vazhdojë të mbajë me Kuvendin nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre.
"Përshëndes të gjitha strukturat dhe anëtarët e Partisë Socialiste për mbylljen me sukses të një proces zgjedhor, të cilësuar nga të gjithë si i rregullt, i lirë e i ndershëm, që tregon jo vetëm shkallën e demokracisë së brendshme në partinë më të madhe në vend, por edhe standardet që ne zbatojmë.
Zgjedhjet e ditës së shtunë, nuk zgjodhën vetëm kryetarin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, por në të njëjtën kohë, konfirmuan në mënyrë plebishitare qëndrimin e socialistëve dhe socialisteve në mbështetje të marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit" tha Klosi.
"Partia Socialiste e Shqipërisë është mëse e vendosur në marrëdhënien e saj të kushtëzuar me parlamentin për aq kohë sa maxhoranca nuk na siguron të drejtën tonë legjitime për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit.
Edhe pse kanë kaluar javë nga parashtrimi i kërkesave tona, kryeministri vazhdon të heshtë.
Sot kërkesa jonë për zbardhjen e të vërtetës që mbahet mbyllur në kutitë e votimit, është e qartë për të gjithë shqiptarët" tha më tej Klosi.
k.k/NOA
Â