English

Kosova në BE, Brukseli i shqetësuar për cilësinë e qeverisjes së Prishtinës

Prishtinë, 7 tetor NOA-Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Pieter Feith ka thënë për BBC-së se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për cilësinë e qeverisjes në Kosovë.

Ai nuk ka dashur të komentojë raportin e progresit të Komisionit Evropian që pritet të lëshohet së shpejti, por ka thënë se qeverisja në Kosovë duhet të fuqizohet edhe më shumë.

Feith ka shprehur shqetësimin e tij edhe për "ndërhyrje në procesin gjyqësor ndaj Grupit të Llapit", pas distancimit të një gjykatësi kosovar nga vendimi për dënimin e tre pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 13 vjet burg.

Por zyrtari i lartë evropian ka lavdëruar punën që ka bërë qeveria për integrimin e pakicës serbe përmes procesit të decentralizimit dhe ka shprehur bindjen se institucionet e vendit do të organizojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

Cili është vlerësimi për punën që kanë bërë institucionet e Kosovës deri tani në zbatimin e planit të Ahtisarit?

Mendoj se në përgjithësi ne kemi përshtypje të mira. Të hënën kishim takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në të cilin Kosova dhe zyra ime morën vlerësime pozitive për përparimet e bëra. Posaçërisht sa i përket decentralizimit ne mendojmë se ka të arritura të mëdha dhe ne shpresojmë se kjo do të çojë në integrim më të madh të komuniteteve. Më duhet të them se ne kemi disa shqetësime për gjendjen ekonomike dhe nevojën e mbajtjes së disiplinës fiskale.Po sa i përket sistemit gjyqësor në Kosovë?

Mendoj se EULEX-i po bën përparime të mira, në anën tjetër unë kam shqetësime për vendimin e ditëve të fundit të Grupit të Llapit dhe distancimin e një gjykatësi. Mendoj se në këtë rast ndoshta ka pasur ndërhyrje në funksionimin e pavarur të gjyqësorit.

Kur thoni ndërhyrje, nga kush mendoni se është bërë kjo?

Nuk dua të jem shumë specifik, por është për të ardhur keq që vendimi i gjykatës po kontestohet.

I takon EULEX-it që të nxjerrë përfundime dhe ai do ta bëjë këtë, por është e rëndësishme që kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësishme, të mos ndërhyhet në punën e gjyqësorit në Kosovë.

Komisioni Evropian pritet që të lëshojë së shpejti raportin e progresit për vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Burime që e kanë parë draft-raportin e progresit, thonë se Komisioni përveç tjerash do të adresojë disa kritika për institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë aq sa duhet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për keqmenaxhim të ndërmarrjeve publike, tenderëve etj. A e paraqet kjo gjendjen reale në terren?Unë nuk dua të komentoj raportin e progresit para se ai të publikohet, por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për kualitetin e qeverisjes në Kosovë, që ende duhet të fuqizohet.

Ne duam të sigurohemi se sa i përket prokurimit, tenderët për ministritë, pajisjet, rregullat po respektohen.

Kosova së shpejti do të mbajë zgjedhjet lokale. A mendoni se institucionet e vendit do të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike?

Unë jam goxha i bindur se kjo do të ndodhë. Ne jemi të kënaqur me punën e KQZ-së në përgatitjen e zgjedhjeve, ne presim gjithashtu të shohim një numër vëzhguesish të zgjedhjeve që do të vinin në Kosovë për të qenë këtu në ditën e votimeve, duke përfshirë anëtarët e Parlamentit Evropian dhe miqtë tanë nga vendet anëtare të BE-së. Jam goxha i bindur se ky do të jetë një proces i rregullt, shpresojmë që fushata do të jetë e qetë dhe gjithashtu do të ketë mundësi për debat të hapur në media.

Serbët janë të ndarë rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Disa entitete serbe janë ceritifikuar për të marrë pjesë dhe Prishtina po bën thirrje për pjesëmarrje, mirëpo Beogradi thotë se nuk ka kushte për daljen e serbëve në zgjedhje. Çfarë mendoni se do të ndodhë më 15 nëntor, a do t'i shohim serbët në qendra të votimit?

Është vështirë të parashikohet me saktësi se sa e madhe do të jetë pjesëmarrja e serbëve, por në bazë të trendit të zhvillimeve, sidomos në jug të lumit Ibër, na jep neve shpresë se një numër domethënës i votuesve serbë do të dalin për të votuar. Ata e kuptojnë se kanë mjaft për të fituar nga kjo, duke përfshirë ofertën e qeverisë për decentralizim që i jep autonomi shtesë komunitetit serb, kështu që unë jam optimist se këto zgjedhje do të çojnë në integrim më të madh të komunitetit serb të Kosovës.

Me zgjedhjet e nëntorit serbët do të fitojnë tri komuna të reja plus Novobërdën. Po komuna e Mitrovicës Veriore dhe e Parteshit kur do të themelohen?

Kjo varet nga zgjedhjet e majit në këto dy komuna. Duke supozuar se do të ketë dalje të mjaftueshme në zgjedhje, posaçërisht në veri të Mitrovicës, ne mund të lëvizim drejt themelimit të një komune atje. Në Partesh besoj se kjo do të jetë më pak problem, por mbetet të shihet nëse në veri të Mitrovicës do të ketë interesim të mjaftueshëm për të themeluar komunën e re.Për momentin nuk ka gatishmëri të serbëve në veri të Mitrovicës për të bashkëpunuar?

Po, ne e kuptojmë këtë, por ne jemi ende në fazën e hershme, po vendosim ekipin përgatitor për Mitrovicën Veriore dhe unë shpresoj se zgjedhjet e 15 nëntorit do t'i nxisin më shumë serbët në veri të lumit Ibër që të fillojnë së menduari për t'iu bashkuar përpjekjeve për decentralizim.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar synimin e tij për ta rritur praninë evropiane në veri të Kosovës. Ju jeni i përfshirë në këtë çështje si i dërguar i BE-së. Cili është qëllimi i hapjes së të ashtuquajturës "shtëpi evropiane" në veri?

Mendojmë se është e rëndësishme që t'i afrohemi qytetarëve në veri në mënyrë më efektive. Kjo do të bëhet përmes EULEX-it. EULEX-i do të vazhdojë mandatin e tij gjithashtu në veri për të fuqizuar rendin dhe ligjin, ne do të donim ta bënim këtë edhe me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe aktivitetet e tij informuese. Ne mendojmë se do të ketë hapësirë për më shumë lehtësi politike për të siguruar se gjendja e sigurisë në veri të Mitrovicës mbetet stabile dhe e sigurtë.

A nuk është ky një paralelizëm i institucioneve të BE-së në Kosovë?

Po është, por ne gjithnjë e kemi thënë se do të shtrihet mandati në tërë territorin. Është e rëndësishme që ne të kemi tani qasje në veri dhe mendojmë se ka një gatishmëri më të madhe në mesin e qytetarëve atje për praninë evropianë dhe ne duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi.

Pavarësisht vendimit, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme?

Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, e kam thënë këtë, pavarësia është e pakthyeshme, opinioni i Gjykatës nuk do të jetë i detyrueshëm dhe nuk do të ndikojë në njohjet që Kosova ka pasur deri tani.

KOMENTE